Qeveria u distancua nga postimi i drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, kushtuar Ratko Mlladiqit dhe njoftoi se do t’i kërkojë atij ta tërheqë qëndrimin e tij. Nëse nuk pajtohet me politikat e Qeverisë, nga Kitanoviqi pritet të japë dorëheqje nga funksioni që ushtron, transmeton Portalb.mk.
“Qëndrimi i Qeverisë është i qartë dhe bazohet në faktet juridike të përcaktuara ndërkombëtarisht”, njoftoi Qeveria në reagimin ndaj postimit të Kitanoviqit. Nga Qeveria theksojnë se Ratko Mlladiq është dënuar me vendim të formës së prerë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Qeveria vlerëson se qëndrimi i Kitanoviqit është personal dhe i papranueshëm, dhe se bartësit e funksioneve duhet t’i respektojnë politikat dhe qëndrimet e institucionit në të cilin punojnë.
“Voluntarizmi është i papranueshëm dhe Qeveria do t’i kërkojë Kitanoviqit ta tërheqë qëndrimin”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
Nëse ai nuk pajtohet me politikat e Qeverisë, ata thonë se presin që ai të tërhiqet nga pozita që ushtron.
Reagimet vijnë pasi të premten (28 gusht) drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, shpërndau një përmbajtje glorifikuese ndaj figurave çetnike dhe ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq i njohur si “Kasapi i Ballkanit” për krimet e kryera. Edhe nga partia e Ivan Stoilkoviqit është publikuar një mesazh që glorifikon Ratko Mlladiqin, duke e paraqitur atë si „shpëtimtar të popullit serb në Bosnjë“.