Në disa lokacione në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli është duke u zhvilluar një aksion i madh policor, në kuadër të një hetimi kundër një grupi kriminal të dyshuar për kontrabandë dhe tregti të paligjshme me ilaçe, medikamente dhe suplemente ushqimore, raportuan disa media, duke iu referuar informacioneve fillestare jozyrtare, transmeton Portalb.mk.
“Nën drejtimin e një prokurori publik nga Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të Kryera nga Persona me Autorizime Policore dhe Pjesëtarë të Policisë së Burgjeve pranë Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PNKOK), Ministria e Punëve të Brendshme – Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë, herët këtë mëngjes ka nisur një aksion policor të drejtuar kundër një grupi kriminal të dyshuar për kontrabandë të mallrave dhe vepra penale të natyrës korruptive. Aktualisht janë duke u zhvilluar bastisje dhe veprime të tjera hetimore në disa lokacione. Pas përfundimit të tyre, Prokuroria do ta informojë më në detaje opinionin publik”, konfirmuan nga Prokuroria.
Sipas të dhënave të deritanishme, të dyshuarit ngarkohen edhe për vepra të tjera korruptive, ndërsa deri më tani në aksion janë arrestuar gjashtë persona. Ndërkohë, policia është në kërkim të edhe disa personave të tjerë, për të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit kriminal.
Kontrolle, sipas informacioneve, po kryhen në më shumë se dhjetë lokacione në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli, ndërsa në mesin e të dyshuarve, jozyrtarisht, ka edhe të punësuar në Drejtorinë e Doganave.
Aksioni, sipas informacioneve jozyrtare, po zhvillohet nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar pranë Byrosë për Siguri Publike (BSP), në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Hetimi, siç kanë publikuar disa media, i ngarkon të dyshuarit për disa vepra penale, si kontrabandë, cenim të të drejtave të pronësisë industriale, dhënie dhe marrje ryshfeti, pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra penale.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) për “360 Gradë” kanë konfirmuar se sot në orët e mëngjesit ka filluar një aksion policor nën drejtimin e një prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Siç thonë zyrtarisht nga MPB-ja, aksioni është drejtuar kundër një grupi kriminal të përfshirë në kontrabandë të mallrave dhe kryerjen e veprave penale korruptive.
Sipas informacioneve jozyrtare, aksioni është ende në vazhdim, ndërsa gjatë ditës priten më shumë detaje nga institucionet kompetente për numrin e përgjithshëm të të dyshuarve, personat e arrestuar deri më tani, kualifikimin juridiko-penal të veprave, si dhe nëse gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar sende.