Gashi: Reagimi për aktgjykimin ndaj drejtuesve të UÇK-së është qëndrimi im personal

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, tha se reagimi që ai e publikoi pas shqiptimit të aktgjykimit për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte qëndrim i tij personal, dhe jo qëndrim i lidhur me funksionin e lartë shtetëror që ushtron, transmeton Portalb.mk.

Gashi këtë e tha duke iu përgjigjur pyetjeve në brifingun e sotëm me gazetarët, ndërsa e përsëriti edhe në një deklaratë pas përfundimit të takimit të rregullt me përfaqësuesit e mediave. Konkretisht, Gashit para kamerave iu bë pyetja se si mendonte se kishte bërë dallimin mes funksionit që ushtron dhe vetes si person, kur ishte i vetëdijshëm se qëndrimi i tij lidhur me aktgjykimin ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së do të shkaktonte reagime.

Duke iu përgjigjur pyetjes, kryetari i Kuvendit tha se qëndrimin e tij e kishte shprehur në profilin e tij personal në Facebook dhe se në të askund nuk i ishte referuar Kuvendit si institucion, kryetar i të cilit është.

Në këtë kontekst, Gashi deklaroi se pret edhe nga gazetarët dhe qytetarët ta kuptojnë se ai nuk mund të jetë 24 orë vetëm kryetar i Kuvendit.

“Pres që edhe ju gazetarët, edhe qytetarët ta kuptojnë se personi Afrim Gashi nuk mund të jetë 24 orë, edhe nga aspekti politik, vetëm kryetar i Kuvendit. Prandaj, duke qenë i vetëdijshëm se nuk po e them këtë nga pozita e kryetarit të Kuvendit, ky ishte qëndrimi im personal nga e kaluara ime politike dhe për këtë arsye ishte e qartë se askund nuk iu referova Kuvendit apo institucionit. Prandaj do të doja që edhe ju, edhe qytetarët ta kuptoni se ky është qëndrimi im personal dhe nuk duhet të përzihet me funksionin që ushtroj”, tha kryetari i Kuvendit.

Kujtojmë se, Gashi më 16 shtator, ditën kur Dhoma e Specializuar shpalli aktgjykimet për ish-drejtuesit e UÇK-së – Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, në një postim në profilin e tij në Facebook, ndër të tjera shkroi se ata i përkasin një kapitulli të lavdishëm në historinë e Kosovës. Duke theksuar se bëhet fjalë për aktgjykim të shkallës së parë ndaj të cilit lejohet ankesa, kryetari i Kuvendit theksoi gjithashtu se kjo është “dita kur të gjithë duhet të qëndrojnë së bashku dhe me dinjitet e qetësi të dëshmojnë se mendjet dhe zemrat e tyre janë pranë çlirimtarëve të Kosovës dhe familjeve të tyre”.

Qëndrimi i Gashit shkaktoi reagim të ashpër nga opozita, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), prej ku qëndrimet e publikuara prej tij në rrjetin social i vlerësuan si jashtëzakonisht të papërshtatshme. Argumenti i LSDM-së ishte se Gashi nuk mund të ketë standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për aktgjykime gjyqësore, pasi ushtron funksion shtetëror, përkatësisht është kryetar i organit ligjvënës dhe përfaqësues i një shteti që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ndryshe, përveç Gashit, edhe partia e tij VLEN, e cila është pjesë e Qeverisë, e vlerësoi si të padrejtë dhe të papranueshëm aktgjykimin e Dhomave të Specializuar të Kosovës në Hagë kundër katër ish-drejtuesve të UÇK-së. Sipas VLEN-it, dënimet e shqiptuara janë të larta dhe të papranueshme.

Edhe lideri i opozitës, BDI-së, Ali Ahmeti, më herët e cilësoi si të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes aktgjykimin kundër ish-drejtuesve të UÇK-së. Ai bëri thirrje për përmbajtje dhe unitet në këto, siç i quajti, momente të vështira dhe porositi se me besim në drejtësi, beteja do të vazhdojë përmes procedurës së ankesës.

Dhoma e Specializuar e Hagës më 16 shtator dënoi me burgime shumëvjeçare ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin, duke i shpallur fajtorë për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet burg, ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burg.

Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar bënë thirrje që të pranohet dhe respektohet aktgjykimi i Hagës, me të cilin drejtuesit e ish-UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, u dënuan me burgime të gjata për krime lufte të kryera gjatë luftës së Kosovës për pavarësi në vitet 1998 dhe 1999.

Afrim GashiGjykata Speciale - HagëUshtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK)