Prokurori publik kompetent ka kërkuar paraburgim afatshkurtër prej 48 orësh për një person lidhur me aksidentin e rëndë të trafikut që të shtunën ndodhi në autostradën Kumanovë–Shkup, ku humbën jetën dy persona, ndërsa tre të tjerë u lënduan rëndë, transmeton Portalb.mk.
Siç informojnë nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, paraburgimi afatshkurtër është kërkuar me qëllim që organet hetimore të sigurojnë prova lidhur me përgjegjësinë eventuale të personit për rrethanat në të cilat ka ndodhur aksidenti.
Aksidenti i trafikut ndodhi të shtunën rreth orës 21:35 në territorin e fshatit Agino, në autostradën Kumanovë–Shkup. Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) informuan se në aksident ishin përfshirë një automjet “Mercedes”, i drejtuar nga M. M. (65), dhe një automobil “Opel Corsa”, i drejtuar nga S. N. (27), të dyja me targa të Shkupit. Në vendngjarje humbën jetën bashkudhëtarët në “Opel Corsa” – V. N. (49) dhe L. M. (71) nga Shkupi, ndërsa një person me lëndime të rënda dhe dy me lëndime trupore u dërguan në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup.
Ministria e Punëve të Brendshme dje njoftoi se, me urdhër të prokurorit publik, shoferi i “Mercedesit” është ndaluar dhe se pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të dorëzohet kallëzim përkatës.
Duke pasur parasysh këtë rrethanë, është e pritshme që pikërisht ai të jetë personi për të cilin Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit afatshkurtër.
Ndërkohë, nga Prokuroria Publike e Republikës informojnë edhe për rrjedhën e veprimeve hetimore lidhur me aksidentin e trafikut që dje ndodhi në rrugën Manastir–Prilep, ku humbi jetën një vajzë 17-vjeçare, ndërsa katër persona, mes tyre edhe një fëmijë 7-vjeçar, u lënduan.
Në aksident janë përfshirë një automjet “Opel” me targa të Manastirit, i drejtuar nga E. F. (28) nga fshati Kanatlarci i Prilepit, dhe një “Ford”, gjithashtu me targa të Manastirit, i drejtuar nga M. N. (48) nga fshati Dollno Srpci.
Rezultatet fillestare të këqyrjes, sipas Prokurorisë, tregojnë dyshime se njëri prej shoferëve me automjetin ka kaluar në korsinë e kundërt dhe është përplasur drejtpërdrejt me automjetin tjetër. Shoferi për të cilin bëhet fjalë, shtojnë nga Prokuroria, aktualisht është i hospitalizuar me lëndime të rënda trupore.
Nga Prokuroria informojnë se lidhur me të dy aksidentet e trafikut, prokurorët publikë kujdestarë kanë lëshuar urdhra për obduksion të trupave të personave të vdekur, si dhe urdhra për ekspertiza shtesë.
“Është urdhëruar një kontroll i detajuar i rrethanave në të cilat kanë ndodhur aksidentet”, thonë nga Prokuroria Publike e Republikës.