Gashi me senatorët francezë: RMV-ja kërkon parashikueshmëri në procesin e zgjerimit të BE-së

 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot zhvilloi takim me Delegacionin e Senatit të Republikës së Francës, të kryesuar nga Marta de Sidrak, senatore dhe kryetare e Grupit të Miqësisë Francë – Ballkani Perëndimor. Senatorja Marta de Sidrak, si dhe senatorët e tjerë, u interesuan për zbatimin e reformave të nevojshme në vend, si dhe për përmbushjen e të gjitha kritereve të nevojshme për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.

Kryetari Gashi theksoi se integrimi evropian mbetet prioritet kryesor strategjik dhe se vendi është i vendosur fuqishëm të vazhdojë me reformat dhe përmbushjen e agjendës evropiane

Ai theksoi nevojën për parashikueshmëri të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe për përfundimin përfundimtar të këtij procesi.

“Rruga e shtetit tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian zgjat jashtëzakonisht shumë dhe është shumë komplekse”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Senatorët shprehën kënaqësi të madhe për shkëmbimin e mendimeve me Kryetarin Gashi dhe për mundësinë që të krijojnë një pasqyrë shumë të qartë mbi përpjekjet dhe reformat që po ndërmerr vendi, si dhe mbi sfidat me të cilat përballet gjatë këtij rrugëtimi.

Kryetari Gashi, në emër të deputetëve dhe në emër të tij personal, i falënderoi senatorët për angazhimin e tyre aktiv në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Maqedonisë së Veriut merr nga Republika e Francës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në përbërje të Delegacionit ishin edhe Arno Bazen, senator dhe kryetar përgjegjës për Maqedoninë e Veriut, Alen Milon, senator dhe kryetar përgjegjës për Kosovën, si dhe senatorja Lorans Aribe, përgjegjëse për Malin e Zi.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Afrim GashiAmbasada e Francës në RMVFrancaParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut