“Asnjëherë nuk kam pasur dhe as sot nuk kam asnjë lidhje biznesi me asnjë person të cilin, në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, e kam emëruar gjatë mandatit tim presidencial”. Kjo është një pjesë e reagimit të ish-presidentit Stevo Pendarovski ndaj konferencës së djeshme për media të zëdhënësit të VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasevski, transmeton Portalb.mk.
Manasevski, në deklaratën e dhënë para një objekti në ndërtim e sipër, tha se bashkëshortja e ish-drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës (AI), Erolld Musliu, është investitore e një ndërtese në lagjen Vllae të Shkupit. Zëdhënësi përmendi edhe ish-presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski, duke pretenduar se Musliu është bashkëpunëtor i tij i afërt. Duke theksuar se Pendarovski e kishte emëruar Musliun drejtor, Manasevski pyeti nëse, përveç bashkëpunimit politik dhe institucional, ish-presidenti dhe ish-drejtori i AI-së kanë edhe interesa të përbashkëta biznesi.
Sipas Pendarovskit, konferenca për media e VMRO-DPMNE-së, e mbajtur para një objekti në ndërtim në Shkup, është dëshmi e çorientimit politik të kësaj partie, për të cilën thotë se çdo ditë fabrikon afera me një ritëm të paparë që nga pavarësia e vendit e deri më sot.
Duke i cilësuar si të pakuptimta deklaratat e partisë në pushtet për lidhjen e tij të pretenduar financiare dhe të biznesit me një objekt që po ndërtohet nga një person i emëruar në detyrë nga ai para shtatë vjetësh, Pendarovski thotë se këto të dhëna mund të verifikohen lehtësisht, madje edhe nga institucionet që, siç shton ai, janë tërësisht nën kontrollin e partisë në pushtet.
“Duke ndjekur të njëjtën ‘logjikë’, pres që partia që sot të mbajë një konferencë për media para Pallatit të Bardhë dhe ta pyesë liderin e saj nëse eventualisht ka qenë partner biznesi me truprojën e tij, i cili u arrestua nën dyshimin se për 50.000 euro, gjoja, ka zbuluar sekrete zyrtare”, thuhet në reagimin e Pendarovskit.
Ai konsideron se kjo metodologji e shtrembëruar e denoncimit të njerëzve mund të zbatohet edhe në një sërë aferash të tjera kriminale, në të cilat përmenden publikisht persona të emëruar drejtpërdrejt nga Mickoski ose bashkëpunëtorë të tij më të afërt.
“Fillimisht, zëdhënësi i partisë le ta mbajë konferencën për media që ia propozova. Duke gjykuar nga paraqitja e sotme, ‘argumentet’ tashmë i ka në dispozicion”, shton Pendarovski.