Kryeministri Hristijan Mickoski i hodhi poshtë idetë për tërheqje nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe negociatat me Bullgarinë dhe njoftoi se Qeveria do të kërkojë zgjidhje me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në një intervistë për MIA-n nga Uashingtoni, ai për herë të parë foli edhe për “elementë radikalë” brenda strukturës së tij politike, të cilët presin një qasje ndryshe.
Sipas Mickoskit, braktisja e njëanshme e detyrimeve ndërkombëtare të marra tashmë nuk është opsion real.
“Pritshmëritë e disa elementëve radikalë në strukturën tonë për t’u tërhequr nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe negociatat – kjo do të ishte ideale nëse do të ishim vetëm në këtë botë, por nuk jemi vetëm”, tha ai.
Në vend të prishjes së marrëveshjeve, Mickoski thotë se Maqedonia duhet, përmes argumenteve dhe luftës diplomatike, të përpiqet të rikthejë një pjesë të pozicioneve për të cilat konsideron se janë humbur nga qeveritë e mëparshme.
Ai theksoi se Qeveria është e gatshme të diskutojë dhe të pranojë argumentet e palës tjetër nëse ato janë më të forta, duke shtuar se Shkupi “nuk bën inat” dhe nuk vepron me kokëfortësi. Megjithatë, ai e kushtëzon një proces eventual të ri me një perspektivë të qartë.
“Kurrë nuk do të hyj në një proces pa pasur parasysh një fund të parashikueshëm”, tha Mickoski.
Një element i ri në qasjen e tij është kërkesa që Bashkimi Evropian të jetë drejtpërdrejt i pranishëm në bisedimet me Sofjen.
Mickoski tha se Maqedonia është e gatshme të diskutojë për harmonizimin e një plani veprimi për pakicat, por këmbëngul që bisedimet të zhvillohen në prani të komunitetit ndërkombëtar. Sipas tij, nëse Shkupi dhe Sofja diskutojnë vetëm mes tyre, kjo do ta konfirmonte më tej qëndrimin maqedonas se kontesti është dypalësh.
“Është e nevojshme të kemi edhe një tjetër në tryezë. Ja, le të jetë ky ndoshta një përfaqësues nga Bashkimi Evropian”, tha kryeministri.
Ai konsideron se para një faze të re të bisedimeve fillimisht duhet të rindërtohet besimi mes Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe se kjo duhet të jetë një proces në të cilin do të ekzistojë vullnet nga të dyja palët.
Marrëdhëniet me Bullgarinë, sipas Mickoskit, tashmë janë temë në bisedimet me përfaqësues të Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian, përfshirë presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së, Kaja Kallas.
Maqedonia aktualisht nuk mund ta hapë pjesën e ardhshme të negociatave të anëtarësimit me BE-në pa ndryshimet kushtetuese me të cilat bullgarët duhet të përfshihen në Kushtetutë. Ky detyrim është pjesë e kornizës negociuese të dakorduar me BE-në në vitin 2022, ndërsa Qeveria kërkon garanci shtesë se pas përmbushjes eventuale të këtij kushti nuk do të ketë bllokime të reja dypalëshe.
Deklarata e fundit e Mickoskit, për këtë arsye, tregon dy linja paralele në politikën e Qeverisë – nuk ka heqje dorë nga marrëveshjet ekzistuese ndërkombëtare dhe nga bisedimet me Sofjen, por nuk ka as pranim të një hapi të ri pa, siç thotë kryeministri, „fund të parashikueshëm“ dhe përfshirje më të madhe të BE-së në proces.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.
Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.
Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Mickoski nga Uashingtoni: Nuk ka tërheqje nga bisedimet me Bullgarinë, patriotët e vërtetë luftojnë dhe fitojnë
- LEXO: Marta Kos: Maqedonia duhet ta përmbushë premtimin dhe t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë
- LEXO: Rokas: Von der Leyen do ta vizitojë rajonin, shpresoj që vizita të jetë vendimtare për integrimin evropian të vendit
- LEXO: Ministrja austriake për Evropën: Propozimi për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar meriton shqyrtim serioz