Ndihma e shpejtë ndërhyri disa herë para “Alta Bankës” në Manastir, pasi sportelet për klientët u hapën sërish

Në prani të policisë, sot u rihapën sportelet e “Alta Bankës” SHA Manastir. Gjatë paradites u shërbyen vetëm klientët pa kartela pagesash, të cilët paraprakisht kishin marrë mesazhe SMS dhe mund të tërhiqnin maksimumi nga 20.000 denarë. Edhe pse ishte paralajmëruar se do të paguhej edhe ndihma sociale, paratë ende nuk kishin arritur, raporton Sdk, transmeton Portalb.mk.

Edhe sot para filialit kishte tollovi, ndërsa aty erdhën edhe qytetarë që nuk kishin marrë mesazhe SMS në telefonat e tyre. Ndihma e shpejtë ndërhyri disa herë pasi disa personave që po prisnin në radhë u ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore.

Pranë bankomatit kishte sigurim policor, ndërsa në hyrje të filialit qëndronte sigurimi i bankës. Brenda lejoheshin vetëm klientët që kishin marrë mesazhe SMS. Në to nuk ishte përcaktuar një orar i saktë për t’u paraqitur në sportel, por vetëm intervali kohor nga ora 8:00 deri në 12:00.

“Erdha të tërheq 10.000 denarë nga bankomati, por më thotë se e kam tejkaluar shumën, ndërsa nuk kam marrë asnjë denar nga pensioni. Si do të jetoj këtë muaj? Kam fatura për të paguar, barna”, tha banori i Manastirit, Peco Nikolovski.

Qytetarë të tjerë kërkuan hapjen e një sporteli të veçantë, ku pensionistët do të mund të merrnin vërtetimet e nevojshme për ta transferuar pensionin në një bankë tjetër.

“Nuk bëhet asgjë kështu. Le ta zgjidhin rastin dhe të na transferojnë në banka të tjera, që të paktën pensionin e ardhshëm ta marrim”, thonë banorët e Manastirit.

Për transferimin në një bankë tjetër, përveç hapjes së një llogarie të re transaksioni, për çka vazhdojnë të ketë tollovi në degët e tjera, nevojitet edhe një vërtetim nga Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor. Edhe atje sot kishte fluks të madh pensionistësh dhe pritje në radhë.

Edhe pse punonjësit po i shërbenin qytetarët shpejt dhe po përpiqeshin t’ua lehtësonin procedurat, qasja në zyrat në katin e tretë ishte problem për personat e moshuar dhe personat me aftësi të kufizuara. Në ndërtesë nuk ka ashensor, ndaj atyre u duhej të ngjiteshin nëpër dhjetëra shkallë.

“Në Fond për 10 minuta e morëm vërtetimin, por po aq kohë na u desh të kalonim shkallët dhe korridoret e errëta”, thonë banorët e Manastirit.

Banka Popullore më 1 nëntor vendosi administrim të përkohshëm në “Alta Banka” SHA Manastir, pasi bankës amë në Beograd iu hoq licenca e punës dhe u hap procedurë falimentimi. Që atëherë, klientët e bankës në Manastir mund të tërheqin maksimumi nga 10.000 denarë në javë përmes bankomatit, ndërsa ata që nuk kanë kartela pagesash mund të marrin deri në 20.000 denarë në sportel. Qytetarët ende nuk mund të disponojnë me depozitat e tyre të kursimeve.

Problemet me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan zhvillimet në bankën e saj amë në Serbi, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën e punës. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për tre muaj dhe caktoi tre administratorë për të shqyrtuar gjendjen financiare dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm. Ndërkohë, klientët u përballën me kufizime në tërheqjen dhe transferimin e parave, ndërsa degët u mbyllën përkohësisht.

Sipas Bankës Popullore, rreth 11.500 pensionistë i marrin pensionet përmes kësaj banke, prej të cilëve rreth 3.500 nuk kanë kartela bankare. Për këtë arsye, nga 5 nëntori është mundësuar tërheqja deri në 20.000 denarë në sportelin kryesor në Manastir. Administrimi i përkohshëm duhet të sqarojë gjendjen e bankës, ndërsa një nga mundësitë për zgjidhjen e situatës është gjetja e një investitori të ri.

Banka - BankëBanka Popullore e RMVManastiriSerbia