Marta Kos: Maqedonia duhet ta përmbushë premtimin dhe t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë

Eurokomisionerja për Zgjerim, Marta Kos, thotë se Maqedonia duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese me të cilat bullgarët do të përfshihen në Kushtetutë, si kusht për vazhdimin e procesit të eurointegrimit. Në një intervistë për BNT, në pyetjen se si mund të ndikojë te Shkupi që t’i bëjë ndryshimet kushtetuese, Kos tha se beson se me qeverinë e re bullgare do të gjendet një mënyrë që procesi me Maqedoninë e Veriut të vazhdojë, transmeton Portalb.mk.

“Unë besoj te qeveria e re bullgare, me të cilën punojmë shumë mirë. Të gjithë së bashku do të gjejmë një mënyrë për ta çuar përpara procesin me Maqedoninë e Veriut”, tha Kos.

Ajo shtoi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet ta përmbushë premtimin dhe ta ndryshojë Kushtetutën.

“Ata duhet ta ndryshojnë Kushtetutën, kjo është dakorduar mes Maqedonisë së Veriut dhe 27 vendeve anëtare të BE-së. Pasi kjo të bëhet, do të llogaris edhe në mbështetjen e vendit tuaj që të vazhdojmë përpara edhe me Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Kos.

Sa i përket procesit të zgjerimit, Kos theksoi se Mali i Zi është më pranë anëtarësimit, ndërsa për Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën po përgatiten udhërrëfyes me hapat e mundshëm teknikë deri në përfundimin e mandatit të Komisionit Evropian.

Ajo vlerësoi se përparimi i dy vendeve të Ballkanit Perëndimor mund t’i motivojë edhe Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën që të ecin përpara.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Bashkimi Evropian (BE)BullgariaEurointegrime Negociata RMV-BEMarrëveshja me BullgarinëMarta KosNdryshime Kushtetuese RMV