Gërmimi i paligjshëm i rërës nga shtrati i Vardarit shkaktoi dëme të mëdha ekologjike në lumë dhe në rrethinë

Me makineri të rënda është kryer gërmim i paligjshëm i rërës nga shtrati i lumit Vardar, në afërsi të fshatit Sërbinovë të Tetovës, me ç’rast janë shkaktuar dëme të mëdha në shtratin e lumit dhe në mjedisin përreth. Për rastin kanë alarmuar nga klubi i peshkimit “Ribolovec-Vardar”, i cili si koncesionar ka për obligim ta mbrojë fondin e peshqve në këtë pjesë të lumit, transmeton Portalb.mk.

“Pas një denoncimi nga një qytetar, dola në vendngjarje dhe vërejta gërmim të paligjshëm me dy ekskavatorë dhe tre kamionë, të një kompanie që ende nuk dihet. Konsideroj se është e nevojshme të konstatohet nëse punimet janë kryer me lejet përkatëse dhe me pëlqimin e institucioneve kompetente”, thotë Bozhidar Grozdanovski nga klubi i peshkimit “Ribolovec-Vardar” në Bërvenicë.

Rasti është denoncuar në SPB Tetovë më 3 nëntor. Nga policia informojnë se në lokacionin përballë kazermës “Erebino” janë gjetur dy ekskavatorë pa targa, njëri prej të cilëve kishte mbishkrimin e një kompanie nga Zhelina. Në vendngjarje nuk kishte njerëz, ndërsa makineritë janë siguruar nga policia.

Në rast është përfshirë edhe Prokuroria Publike, e cila ka lëshuar urdhra për mbledhjen e provave dhe dokumentacionit, me qëllim të konstatimit të gjendjes faktike.

Lumi Vardar