Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Nënë Tereza”, në një takim të organizuar nga Kuvendi Studentor, kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër propozimit lidhur me provimin e jurisprudencës, duke theksuar se ky provim duhet të zhvillohet 100% në gjuhën shqipe, transmeton TV 21.
“Ashtu siç thamë edhe ne pas pres konferencës pas takimit, njëjtë edhe disponimi te studentët është që nuk ka nevojë të thyhet ligji, provimi i jurisprudencës garantohet me ligj dhe Kushtetutë. Duhet të bëhet 100% në gjuhën shqipe, nuk ka nevojë të shkojmë me përqindje, 84, 50 apo çfarëdo që mendon ministri”, tha Besar Sejdi, Kryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit “Nënë Tereza”.
Përfaqësuesit e studentëve theksuan se, sipas qëndrimit të tyre, nuk ka nevojë për ndryshime shtesë ligjore, pasi përdorimi i gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës garantohet me ligj dhe Kushtetutë. Ata kundërshtuan gjithashtu përcaktimin e përqindjeve të ndryshme për përdorimin e gjuhës shqipe, duke kërkuar që provimi të zhvillohet tërësisht në këtë gjuhë.
Studentët bënë të ditur se nuk e pranojnë propozimin në fjalë dhe se mundësia e organizimit të protestave mbetet në shqyrtim. Për hapat e mëtejshëm, ata paralajmëruan se do të konsultohen me Lëvizjen Studentore për të marrë një vendim konkret lidhur me veprimet që do të ndërmerren.
Me qëndrim të njëjtë pas takimit kanë dalë edhe studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore, në të cilin nga viti 2002 Jeton Shasivari është i punësuar. Kreu i Lëvizjes Studentore Mevlan Ademi në një bisedë të shkurtër për Alsat, konfirmoi që studentët e hedhin poshtë propozimin dhe janë të qëndrimit për të dalë në protestë.
Pritet edhe vendimi i studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, të cilët jozyrtarisht do të mblidhen nesër. Gjatë takimit me Shasivarin edhe përfaqësuesi i UT-së ishte në takim, ndërsa ishte në krah të kolegëve të cilët që atë ditë refuzuan propozimin.
Lëvizja Studentore, pas takimit me ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari, deklaruan se nuk janë të kënaqur me zgjidhjen e propozuar për provimin e jurisprudencës dhe se nuk kanë arritur marrëveshje me ministrin. Përfaqësuesi i studentëve, Mevlan Ademi, tha para mediave se nëse propozimi miratohet në Kuvend, ata nuk do ta pranojnë dhe do të protestojnë.
Ademi bëri të ditur se ministri i Drejtësisë ka propozuar që 12 provime të mbahen në gjuhën shqipe, ndërsa dy në gjuhën maqedonase. Sipas studentëve, kjo nuk përbën zgjidhje të plotë dhe nuk i përmbush kërkesat e tyre për dhënien e provimit të jurisprudencës tërësisht në gjuhën shqipe.
Ai kritikoi faktin që, sipas tij, ende po kërkohet mendimi i Komisionit të Venedikut, ndërsa pretendoi se Parlamenti Evropian ka dhënë qëndrimin e tyre se provimet shtetërore mund të mbahen edhe në gjuhën shqipe.
“Ky propozim ligjor, nëse miratohet në Kuvend, nuk e respekton Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe bën shkelje të ligjit aktual. Ne e bëmë të qartë se provimi i jurisprudencës duhet të mbahet 100 për qind në gjuhën shqipe, të zbatohet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe të respektohet Marrëveshja e Ohrit”, u shpreh Ademi.
Kujtojmë se ndryshe nga sa u paralajmërua, që provimi i jurisprudencës do të jepet në shqip vetëm pjesa teorike, deputetja Saranda Imeri Stafai në TV Shenja tha se provimi do të jepet në gjuhën shqipe edhe në pjesën praktike.
“Për herë të parë, pas gjashtë dekadash, studentët do ta japin provimin në gjuhën shqipe. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një provim. Njëmbëdhjetë lëndë do të jepen në gjuhën shqipe, edhe pjesa praktike”, tha ajo.
Së pari, zëvendëskryeministri Bekim Sali, premtoi se çështja do të zgjidhej brenda një jave, më pas afati u shty për në shtator, ku Sali tha se në shtator do ta kemi ligjin e miratuar me ndryshimet e nevojshme, ndërsa sot ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, thotë se në pjesën e parë të tetorit do t’i ftojë studentët për t’ua prezantuar zgjidhjen e provimit të Jurisprudencës.
Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.
Kërkesën për dhënie të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe studentët e artikuluan edhe përmes disa protestave në Shkup, ndërsa mbështetje morën edhe nga kolegët e tyre nga Prishtina dhe Tirana.