Venko Filipçe po e shkarkon deputeten Sllavjanka Petrovska nga posti i zëvendëskoordinatores së Grupit Parlamentar të LSDM-së. Në koordinimin e sotëm, ai i ka njoftuar disa nga deputetët e pranishëm se udhëheqësia e LSDM-së, me të në krye, ka marrë vendim për shkarkimin e Petrovskës nga kjo pozitë. Sipas informacioneve të TV 24, ai tashmë e ka ngarkuar koordinatorin Oliver Spasovski që t’i dërgojë letër kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, ndërsa në vend të Petrovskës pritet të emërohet deputetja Jovana Trençevska, e cila është nënkryetare e LSDM-së, transmeton Portalb.mk.
Sipas procedurave, letrën duhet ta nënshkruajnë të gjithë deputetët, përfshirë edhe Petrovska.
Disa nga kolegët e saj kanë insistuar që të zhvillohet debat për këtë vendim. Kjo veçanërisht për shkak se, sipas praktikës, zëvendëskoordinatorët i cakton koordinatori i Grupit Parlamentar. Megjithatë, sipas informacioneve të TV 24, Oliver Spasovski nuk është konsultuar fare. Filipçe, pasi e ka njoftuar vendimin, është larguar nga takimi, duke thënë se kishte obligime të tjera.
Sipas informacioneve jozyrtare, Petrovska e ka nënshkruar dokumentin, por ka kërkuar vetëm një arsyetim për vendimin. Filipçe nuk ka qenë i pranishëm për t’ia dhënë atë, ndërsa Trençevska ka thënë vetëm se “arsyet janë të njohura”.
Largimi i Petrovskës nga posti i zëvendëskoordinatores së LSDM-së vjen pas mbështetjes së saj për “Platformën 12:05” dhe paraqitjes si një nga organizatoret e kësaj platforme, e cila kërkoi dorëheqjen e Filipçes, duke e akuzuar se po punon në interes të Qeverisë së Hristijan Mickoskit dhe se po e mban LSDM-në peng për shkak të lirisë së tij.
Ndërkaq, Filipçe, pas tubimit të parë “Biseda për të ardhmen në 12:05”, ku morën pjesë edhe intelektualë të pavarur, avokatë dhe aktivistë, i cilësoi pjesëmarrësit si njerëz që punojnë për VMRO-DPMNE-në dhe “Platformën ZNAM 2.0”.
Në një paraqitje publike, Petrovska e akuzoi Filipçen për kriminalitet gjatë kohës kur ajo ishte ministre e Mbrojtjes. Pas kësaj, VMRO-DPMNE kërkoi që Prokuroria Themelore Publike të hapë lëndë dhe që Filipçe të japë deklaratë.
Petrovska, së bashku me Ivanovskin, Naçevskin, Petrovin, Stankoviqin, Georgievin dhe të tjerë, i kanë dorëzuar Filipçes një plan për reforma në LSDM, i cili përfshinte edhe dorëheqjen e tij. Ata e kanë akuzuar gjithashtu se e ka kapur partinë.