Një njësi zgjedhore dhe lista të hapura është një nga përfundimet e dala nga debati i platformës “Biseda për të ardhmen 12:05”, tha deputetja e LSDM-së dhe përfaqësuesja e iniciativës, Sllavjanka Petrovska. Nga VMRO-DPMNE thonë se Filipçes nuk i bën përshtypje asgjë sepse partia po i shpërbëhet, po krijohen fronte opozitare që ai të largohet nga LSDM-ja, transmeton Portalb.mk.
Petrovska përsëriti qëndrimin se qeveria aktuale vlerësohet prej tyre si më e paafta dhe se iniciativa është krijuar sepse nuk mjafton vetëm të konstatohet dhe debatohet, por duhet edhe të veprohet.
“Çelësi për këtë pushtet, por edhe për cilindo pushtet, është të ndiejë se ka një kërcënim serioz, konkurrencë. Kjo arrihet me një opozitë të fortë. Më gëzon fakti që një pjesë e madhe e pjesëmarrësve nuk janë dhe nuk kanë qenë pjesë e LSDM-së, e strukturave formale, ndoshta kanë qenë përkrahës, ndërsa disa prej tyre nuk janë as përkrahës – ata vërejnë se partia kryesore opozitare, ose ajo që duhet të jetë forca lëvizëse e opozitës në Maqedoni, duhet të jetë LSDM-ja. Por, për fat të keq, sipas vlerësimeve të tyre, nuk është. Meqë kanë kaluar dy vjet nga kryesia e re e LSDM-së, janë evidentuar mangësi serioze në mënyrën e hartimit të politikave dhe marrjes së vendimeve, si dhe në politikat kadrovike, të cilat rezultuan me rezultate jashtëzakonisht të këqija në zgjedhjet lokale. Prandaj u shtrua pyetja se LSDM-së i nevojiten reforma serioze nëse dëshiron të jetë ajo që vërtet duhet të jetë”, tha Petrovska.
Petrovska tha se për problemet që i kanë evidentuar kanë diskutuar disa herë me liderin e LSDM-së, Venko Filipçe, por janë refuzuar. Gjatë javës së ardhshme, siç tha ajo, kryesisë së LSDM-së do t’i dorëzohet strategjia për reforma.
“Nuk do të presim ftesë, do t’ia dorëzojmë, por në parim kemi thënë se deri në atë moment nuk do të publikojmë asgjë. Do ta lëmë kryetarin e partisë ta shqyrtojë. Nëse do t’i duhet një, dy ditë, një orë apo dhjetë minuta, kjo është çështje e tij. Nëse do ta komunikojë me publikun apo jo, ia lëmë atij. Por absolutisht nuk do të lejojmë që gjërat të mbeten kështu dhe LSDM-ja, për shkak të politikave të këqija, të mbetet peng i VMRO-DPMNE-së dhe të jetë mburoja që vetëm i blen kohë Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së për të qëndruar në pushtet”, shtoi Petrovska.
Nga ana tjetër, LSDM-ja i akuzoi anëtarët e platformës se janë të sponsorizuar mediatikisht nga portale dhe gazetarë të afërt me kryeministrin Hristijan Mickoski, ndërsa Venko Filipçe tha se ata me puç duan ta marrin drejtimin e partisë.
Për zhvillimet në LSDM, reagoi VMRO–DPMNE, ata thonë se Filipçes nuk i bën përshtypje asgjë sepse partia po i shpërbëhet, po krijohen fronte opozitare që ai të largohet nga LSDM-ja.
“Dy vjet si kryetar i LSDM-së vetëm përhap dezinformata dhe marrëzi në opinion, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me realitetin dhe që vazhdimisht demantohen, qoftë nga institucionet vendase, qoftë nga ato evropiane. Dy vjet endet dhe nuk mund të pajtohet me faktin se është në opozitë, madje nuk mund as ta konsolidojë partinë që të fillojnë të sillen si opozitë. Ikën nga grupet e punës, si ai për Kodin Zgjedhor, edhe pse është pjesë e agjendës së reformave, ikën nga pyetjet e deputetëve ose demantohen mes vete në Kuvend dhe nuk mund të pajtohen aspak me faktin se janë në opozitë. Ende jetojnë në epokën e artë që për ta ishte koha kur vidhnin gjithçka dhe çdokënd”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Nga VMRO-DPMNE-ja akuzojnë se Filipçe e mban partinë të uzurpuar dhe se LSDM-ja nuk ka kapacitet të bëjë diçka të mirë për shtetin.