Në muajin tetor, sikurse edhe në muajin mars, Komisioni profesional do të shqyrtojë aplikimet e Konkursit për financimin e përkthimit dhe botimit të veprave të autorëve maqedonas në gjuhë të huaja për vitin 2026/2027, transmeton Portalb.mk.
“Qëllimi i Konkursit është të nxitet afirmimi ndërkombëtar i letërsisë maqedonase, të rritet qasshmëria e autorëve vendas për lexuesit e huaj dhe të avancohet bashkëpunimi kulturor me botuesit ndërkombëtarë”, raportoi Ministria e Kulturës dhe Turizmit në Maqedoninë e Veriut.
Ministria do të financojë deri 300 mijë denarë përkthimin e veprave, ndërsa aplikimi bëhet në adresën translation@kultura.gov.mk.
“Të drejtë pjesëmarrjeje kanë ekskluzivisht botuesit e huaj, veprimtaria e të cilëve përfshin botimin e librave. Me Konkursin do të mbështeten përkthimi dhe botimi i prozës artistike, poezisë, dramës, eseve, letërsisë për fëmijë, si dhe antologjive dhe përzgjedhjeve të tjera letrare të dedikuara për rreth më të gjerë të lexuesve”, raportoi Ministria.