Dënime me kusht për tre zyrtarët e policisë nga Koçani të akuzuar në lidhje me zjarrin në kabarenë “Puls”

Gjykata Themelore Penale në Shkup sot i shpalli fajtorë tre zyrtarët policorë – Kire Bogatinov, Goran Lazarov dhe Aleksandar Temelkov – në lidhje me rastin e të ashtuquajturit kabare “Puls”, ku vitin e kaluar nga zjarri humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u lënduan, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për një nga tre rastet që i udhëheq Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila ka një departament të posaçëm për hetimin e policëve që shkelin ligjin.

Komandanti i stacionit policor në Koçan, Aleksandar Temelkov, u dënua me dy vjet burg me kusht, ndërsa policët Kire Bogatinov dhe Goran Lazarov u dënuan me nga një vit burg me kusht.

Asnjë nga të akuzuarit dhe as avokatët e tyre nuk morën pjesë në shpalljen e sotme të aktgjykimit.

Gjyqtarja Lidija Petrovska në arsyetim tha se policët i kanë kryer detyrat e tyre zyrtare vetëm në mënyrë formale, duke respektuar formën, por jo thelbin.

Edhe pse Bogatinov dhe Lazarov kishin konstatuar shkelje në kabarenë “Puls”, ata nuk kishin kërkuar dokumente për kompaninë. Në vend të kësaj, në procesverbal kishin futur të dhëna që nuk bazoheshin në dokumente zyrtare, duke u mbështetur në “faktin e njohur se Dejan Jovanov është pronar i diskotekës”. Si pasojë, procedura ishte drejtuar ndaj një subjekti juridik që nuk ishte aktiv në atë kohë.

Nga ana tjetër, komandanti Temelkov, edhe pse kishte dokumente nga Ministria e Ekonomisë që tregonin qartë se cila kompani ishte bartëse e licencës, kishte lejuar që procedura kundërvajtëse të zhvillohej ndaj një subjekti që nuk ushtronte veprimtari, në vend që të drejtohej ndaj kompanisë përkatëse “MMMM Kafe” DOOEL Koçan dhe personit përgjegjës Mitko Stojanov.

“Forma është respektuar, por thelbi mungon. Kryerja sipërfaqësore e detyrës krijon përshtypjen se disa subjekte janë ‘të paprekshme’ dhe mbi ligjin. Në një shtet juridik kjo nuk duhet të ekzistojë”, theksoi gjyqtarja Petrovska. Ajo shtoi se një veprim i tillë nuk është vetëm një gabim teknik, por moskryerje e detyrës zyrtare.

Si rrethana lehtësuese, gjykata mori parasysh faktin se të akuzuarit nuk ishin dënuar më parë dhe se janë familjarë.

Gjykata vlerësoi gjithashtu se veprimet e tyre nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me zjarrin në “Puls”, por se me mosveprimin e tyre i kishin mundësuar pronarit përfitim pasuror duke shmangur gjobat kundërvajtëse.

Të dënuarit do të duhet të paguajnë edhe nga 7.000 denarë për shpenzimet gjyqësore.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Në seancën e mëparshme, prokurorja publike Spasenka Andonova kërkoi shpalljen fajtorë të të akuzuarve për moskryerje të detyrës zyrtare dhe përfitim pasuror, ndërsa mbrojtja e cilësoi aktakuzën si të pabazuar dhe kërkoi lirimin e tyre.

Zjarri në “Puls” shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë një performance të grupit DNK dhe konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit. Me seancën e sotme vazhdon procedura e provave me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria, e cila përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.

Për zjarrin në “Puls” janë të akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Ndër ta janë pronari i “Puls”, persona të afërt të tij, inspektorë të institucioneve shtetërore, ish-ministra dhe pjesëtarë të agjencisë që siguronte kabarenë dhe pronari i saj.

Në fillim të procesit gjyqësor, të gjithë u deklaruan se nuk ndihen fajtorë dhe kundërshtuan tezën se ekziston lidhje shkak-pasojë midis veprimeve të tyre dhe shkaktimit të zjarrit fatal.

Gjykatës(e) - Gjykim - GjyqësorKoçaniZjarri në diskotekën në Koçan