Mickoski në takime me ambasadoren britanike dhe me u.d ambasadoren e SHBA-së

Kryeministri Hristijan Mickoski sot ka zhvilluar takime të ndara me ambasadoren britanike, Maya Sivanandam, dhe u.d ambasadoren e SHBA-së, Nicole Warnes, me të cilat ka biseduar për partneritetin strategjik të vendit me Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në, njoftoi ai në Facebook, transmeton Portalb.mk.

Mickoski i vlerësoi marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Britanisë së Madhe si tradicionalisht të mira dhe bëri të ditur se me Sivanandam kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit në disa fusha me interes të përbashkët. Ndërsa për takimin me Warnes, kryeministri njoftoi se kanë diskutuar për marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe SHBA-së, si dhe mundësitë për avancimin e bashkëpunimit dypalësh.

Qeveria britanike më 15 maj të këtij viti njoftoi se Sivanandam është emëruar pasardhëse e ambasadorit Matthew Lawson. Ajo më 29 tetor ia dorëzoi letrat kredenciale presidentes Gordana Siljanovska-Davkova.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump e nominoi Kristi McCormick, ish-anëtare e Komisionit amerikan për Ndihmë Zgjedhore, për ambasadore në Maqedoninë e Veriut. Shtëpia e Bardhë më 9 nëntor ia dorëzoi nominimin Senatit, miratimi i të cilit është i nevojshëm që McCormick ta marrë detyrën.

Ambasada e Amerikës (SHBA) në RMVAmbasada e Britanisë - Anglisë në RMVHristijan Mickoski HristianShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)