Pesë kandidatë janë në garë për shef në PTHP NKOK

Pesë prokurorë publikë deri më tani kanë parashtruar kandidatura në shpalljen për zgjedhjen e një prokurori publik themelor të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), konfirmoi për MIA-në kryetari i Këshillit të prokurorëve publikë, Bashkim Besimi.

Sipas informacioneve të cilat i disponon MIA, për këtë funksion janë kandiduar Prokurori i Lartë Publik Jove Cvetanovski, ish-prokuror në Prokurorinë Speciale dhe tani prokuror në Prokurorinë e Lartë Publike, Trajçe Pelivanov, prokurorja nga PTHP Shkup, Lidija Raiçeviq, si dhe prokurorët nga PTHP NKOK Iskra Haxhi-Vasileva dhe Faton Azizi.

Në pyetjen e MIA-s nëse kjo është lista përfundimtare e kandidatëve, Besimi deklaroi se deri më tani, janë paraqitur këta pesë prokurorë.

“Tani për tani janë këto, pas festës do të jetë zyrtare”, deklaroi Bashkim Besimi për MIA-në.

Këshilli i Prokurorëve Publikë për të premten ka caktuar një seancë në të cilën, ndër të tjera, duhet të formohen komisionet që lidhen me procedurën për zgjedhjen e një drejtuesi të ri të PTHP NKOK. Sipas vendimit për thirrjen e seancës së 50-të, në rend të ditës është krijimi i një Komisioni për përgatitjen e listave të kandidatëve, si dhe Komisioni për zgjedhjen e një prokurori publik në PTHP NKOK.

Shpallja për përzgjedhjen e udhëheqësit të PTHP NKOK u publikua nga Këshilli i prokurorëve publikë bazuar në Ligjin për Këshillin e prokurorëve publikë dhe Ligjin për Prokurorinë publike. Sipas shpalljes, zgjedhja e prokurorit publik themelor të PTHP NKOK do të realizohet më 28 tetor 2026, në periudhën prej orës 8 deri në orën 16.

Të drejtë në kandidaturë kanë prokurorët publikë me të paktën gjashtë vjet përvojë të vazhdueshme si prokurorë publikë në momentin e paraqitjes dhe me një vlerësim pozitiv në tre vitet e fundit.

Zgjedhja e një shefi të ri të PTHP NKOK vjen pas skadimit të mandatit të udhëheqësit aktual, Islam Abazit, i cili e mban këtë funksion që nga tetori i vitit 2022.

Akademia e Gjykatësve dhe ProkurorëveKëshilli i Prokurorëve RMVProkuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit