Besimtarët muslimanë të mërkurën festojnë Kurban Bajramin, BFI publikoi orët e faljes

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut ka publikuar orën e faljes së namazit të Kurban Bajramit, i cili festohet të mërkurën, më 27 maj 2026, transmeton Portalb.mk.

Manifestimi qendror i Kurban Bajramit do të mbahet në Xhaminë “Mustafa Pasha” në Shkup, ku besimtarët myslimanë do të kenë mundësinë të ndjekin programin fetar të organizuar me rastin e kësaj feste të madhe.

Falja e namazit të sabahut do të bëhet në ora 04:29, lindja e diellit është paraparë në ora 04:59, ndërsa falja e namazit të Bajramit do të zhvillohet në ora 05:45.

Manifestimi do të transmetohet drejtpërdrejt në TVM 2, duke u mundësuar besimtarëve ta ndjekin programin edhe nga shtëpitë e tyre.

Me këtë rast, Bashkësia Fetare Islame u ka uruar të gjithë besimtarëve festën e Kurban Bajrami.

Kurban Bajrami, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e profetit Ibrahim të flijojë djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë. Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë. Familja mban një pjesë; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.

Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.

Bashkësia Fetare Islame RMV (BFI)Festa e BajramitKurban