Tetë amendamente ndryshuan kursin e ligjit të ri për duhanin në RMV, çfarë me “dhomat për duhanpirësit”?

Në Kuvend është propozuar përmes një amendamenti që me ligjin e ri të lejohen hapësira të veçanta për duhanpirësit. Në vend të zbatimit të paralajmëruar në mars, shtatë muaj më vonë propozimi ndodhet në lexim të dytë para Komisionit për Shëndetësi, ndërsa mbetet i hapur debati për mundësinë e lejimit sërish të hapësirave të veçanta për duhanpirësit, transmeton Portalb.mk.

Një nga propozimet për amendament parashikon të ashtuquajturat “dhoma për duhanpirës” në objektet hotelierike, kompanitë private dhe institucionet. Ministria e Shëndetësisë është kundër një zgjidhjeje të tillë, me arsyetimin se ajo mund të krijojë hapësirë për anashkalimin e ndalesave të parashikuara me ligj.

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, thotë se ndryshimet e propozuara nuk janë të pranueshme për Ministrinë.

“Ky është thelbi i ligjit – të mos ketë pirje duhani në ambiente të mbyllura”, deklaroi Klekovski, duke vlerësuar se vendosja e hapësirave të veçanta mund ta cenojë qëllimin themelor të zgjidhjes ligjore.

Tetë amendamentet nuk janë të reja. Që në qershor, kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, RasheLla Mizrahi, njoftoi se për të gjitha do të kërkoheshin mendime nga ekspertët, ndër të tjera edhe për të verifikuar nëse zgjidhjet e propozuara janë në përputhje me rregullat evropiane.

Pikërisht konsultimet shtesë me ekspertët dhe sektorin e biznesit e zgjatën procedurën parlamentare. Propozimi ende nuk ka arritur në vendimmarrjen përfundimtare plenare.

Ligji i ri u paralajmërua në fillim të këtij viti si një rishikim i plotë i rregullativës ekzistuese. Qëllimi i tij kryesor është ulja e ekspozimit ndaj tymit të duhanit, kufizimi i përdorimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës, si dhe mbrojtja më e madhe e fëmijëve dhe të rinjve. Parashikohen gjithashtu rregulla për reklamimin, promovimin dhe ekspozimin e këtyre produkteve.

Qeveria e miratoi projektligjin më 2 qershor, pas së cilës ai hyri në procedurë parlamentare. Por amendamentet hapën dilemën kryesore: nëse ndalimi i rreptë i pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura duhet të mbetet pa përjashtime apo të lejohen hapësira të përcaktuara posaçërisht për duhanpirësit.

Derisa deputetët të prononcohen për amendamentet dhe ligji ta përfundojë procedurën parlamentare, vazhdon të jetë në fuqi rregullativa ekzistuese për mbrojtjen nga pirja e duhanit.

Kujtojmë se Maqedonia vazhdon të jetë ndër vendet me përqindje të lartë të konsumit të duhanit dhe produkteve të ngjashme. Sipas të dhënave të fundit të EUROSTAT, në vitin 2022 – 22,5 përqind e qytetarëve mbi 16 vjeç konsumonin çdo ditë duhan ose produkte të ngjashme. Kjo përqindje është dukshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila në vitin 2025 ishte 16,5 për qind.

DuhaniMinistria e Shëndetësisë (MSH)Parlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut