Është zgjatur deri më 12 tetor masa për uljen e TVSH-së për naftën nga 18 në 10 përqind

Deri më 12 tetor zgjatet masa me të cilën TVSH-ja për naftën ulet nga 18 në 10 përqind, njoftoi sot ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska. Me këto masa, siç thekson Dimitrieska-Koçoska, Qeveria vazhdon me mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe stabilitetit të ekonomisë vendase, transmeton Portalb.mk.

“Me zgjatjen e kësaj mase ndikojmë drejtpërdrejt në çmimet me pakicë të karburanteve dhe kufizojmë bartjen e presioneve të jashtme të çmimeve mbi çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera. Reagojmë në kohë dhe me përgjegjësi, duke ndjekur zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe duke ndërmarrë masa kur është e nevojshme për të mbrojtur standardin e qytetarëve”, publikoi Dimitrieska-Koçoska në profilin e saj në Facebook.

Masa me të cilën TVSH-ja për karburantin dizel u ul nga 18 në 10 përqind filloi të zbatohet më 15 shtator, si masë për zbutjen e presionit të çmimeve mbi qytetarët, ndërsa ajo skadon sot.

Komisioni Rregullator për Energjetikë sot pritet të përcaktojë çmimet maksimale të karburanteve që do të vlejnë për shtatë ditët e ardhshme.

Me vendimin e fundit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, çmimi i dizelit u rrit në 104,5 denarë për litër. Çmimi i Eurosuper BS-95 është 99 denarë, ndërsa Eurosuper BS-98 shitet me çmim prej 101 denarësh për litër.

Javën e kaluar, ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, tha se nëse situata me çmimet e karburanteve përshkallëzohet, Qeveria do të ndërmarrë të gjitha masat për të zbutur rrezikun për qytetarët, duke shtuar se situata po monitorohet me kujdes.

Bozhinovska theksoi se rritja e çmimeve është rezultat i faktorëve globalë dhe konflikteve të armatosura mbi të cilat shteti nuk ka ndikim. Bozhinovska tha gjithashtu se për momentin nuk po zhvillohen negociata të reja për zbritje shtesë me “OKTA”, por kjo mundësi mbetet e hapur nëse kriza thellohet.

Çmimi i naftësGordana Dimitrieska KoçoskaMinistria e Financave (MF)NaftaQeveria e Maqedonisë së Veriut