Pas konfliktit të vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut, disa procese gjyqësore ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut u cilësuan nga familjarët, avokatët mbrojtës dhe partitë shqiptare si të montuara dhe të motivuara politikisht. Rastet e njohura si “Sopoti”, “Brodeci”, “Alfa”, “Monstra” dhe “Lagjja e Trimave” ndër vite u shoqëruan me protesta dhe u bënë pjesë e premtimeve të partive politike gjatë fushatave zgjedhore për zbardhjen dhe rishikimin e tyre. Megjithatë, pavarësisht premtimeve të përsëritura, këto raste vazhdojnë të mbeten çështje debati dhe kërkesash për drejtësi. Kujtojmë se gjyqësori në vend ka besueshmëri shumë të ulët, prandaj edhe këto raste janë kryefjalë e çdo fushate me thirrje për drejtësi. Portalb.mk sjell në vazhdim se çfarë ndodhi në secilin prej këtyre rasteve, çfarë u premtua dhe si përfunduan proceset gjyqësore, si dhe çfarë mund të bëjë realisht Ministria e Drejtësisë për raste konkrete, duke pasur parasysh pavarësinë që duhet të ketë gjyqësori.
“Sopoti”
Në vitin 2003, pranë fshatit Sopot të Kumanovës shpërtheu një minë, nga e cila humbën jetën dy ushtarë polakë të NATO-s dhe një civil. Për këtë rast u dënuan 11 shqiptarë me gjithsej 156 vjet burg, ndërsa ata gjatë gjithë procesit mohuan përfshirjen.
Në vitin 2009, Kuvendi formoi një grup pune për të shqyrtuar rastin dhe për të mbledhur të dhëna që do të mund të shërbenin për rihapjen e tij. Më pas, pas pretendimeve të dëshmitarit kryesor, Ramadan Bajrami, se dëshmia e tij ishte marrë nën presion dhe torturë, u kërkua përsëritja e procedurës gjyqësore. Në vitin 2011 nisi rigjykimi i rastit.
Çfarë premtuan partitë?
Në vitin 2015, ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Adnan Jashari, kërkoi që “Sopoti” të hetohej nga Prokuroria Speciale dhe të zbardhej e vërteta për rastin. Jashari tha se rastet me karakter etnik, përfshirë “Sopotin” dhe “Monstrën”, duhej të trajtoheshin me prioritet nga Prokuroria Speciale, në mënyrë që të hiqeshin dilemat nëse kishte ndikim politik në to.
Në vitin 2016, partitë shqiptare, përmes një deklarate të përbashkët, kërkuan zbardhjen e “Sopotit”, “Brodecit”, “Monstrës” dhe ngjarjeve në Kumanovë përmes një komisioni hetimor ose një trupi të pavarur ndërkombëtar.
Në vitin 2017, lënda “Sopoti” iu dorëzua Prokurorisë Speciale Publike, ndërsa Lëvizja Besa kërkoi që Zoran Zaev dhe PSP-ja ta procedonin urgjentisht rastin. Në të njëjtën periudhë, materialet e publikuara nga opozita maqedonase përfshinin edhe biseda të zyrtarëve të lartë për “Sopotin”, të cilat u përdorën si pjesë e hetimit të PSP-së.
Si përfundoi rasti?
Në mars të vitit 2018, Prokuroria Speciale Publike u tërhoq nga aktakuza për rastin “Sopoti”, pasi konstatoi se nuk kishte prova të mjaftueshme se të akuzuarit e kishin kryer veprën për të cilën ngarkoheshin. Pas tërheqjes së aktakuzës, Gjykata i liroi të akuzuarit nga akuzat.
“Brodeci”
Më 7 nëntor 2007, policia zhvilloi aksionin “Stuhia Malore” në fshatin Brodec të Tetovës. Gjatë aksionit u vranë gjashtë pjesëtarë të një grupi të armatosur, ndërsa u arrestuan 13 persona nga fshati.
Në vitin 2008, 17 persona u dënuan me gjithsej 192 vjet burg për vepra penale që lidhen me terrorizëm, sulm ndaj policisë dhe posedim të paligjshëm të armëve dhe eksplozivit. Mbrojtja e kundërshtoi procesin, ndërsa pati edhe akuza për keqtrajtim të të arrestuarve.
Çfarë premtuan partitë?
Në vitin 2016, “Brodeci” u përfshi në deklaratën e përbashkët të partive shqiptare, të cilat kërkuan zbardhjen e rastit përmes një komisioni hetimor ose një trupi të pavarur ndërkombëtar.
Në vitin 2017, atëherë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, premtoi përfshirjen e faktorit ndërkombëtar në hetimin dhe zbardhjen e “Brodecit”, “Monstrës” dhe ngjarjeve në Kumanovë.
Kërkesa për rishikimin e rasteve nuk mbeti vetëm te partitë shqiptare. Në programin e Qeverisë së re u përfshi edhe zotimi për zbardhjen e rasteve gjyqësore për të cilat kishte dyshime për motivim politik, ndërsa “Brodeci” ishte ndër rastet e përmendura në këtë kontekst.
Si përfundoi rasti?
Aktgjykimet ndaj 17 të dënuarve nuk u ndryshuan, ndërsa hetimi ndërkombëtar i premtuar nuk u realizua. Disa prej të dënuarve i përfunduan dënimet, ndërsa “Brodeci” vazhdoi të mbetet pjesë e kërkesave për rishikimin e rastit.
“Alfa”
Më 26 nëntor 2008, në afërsi të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në Shkup u vra polici i njësisë “Alfa”, Afrim Arifi, ndërsa dy policë të tjerë u plagosën.
Në prill të vitit 2010, Rexhail Qerimi dhe Agim Islami u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Ramadan Shaqiri me gjashtë vjet burg. Almir Dërplani, i cili ishte në arrati, u dënua me burgim të përjetshëm në mungesë dhe më vonë, pas ekstradimit nga Kosova, iu zhvillua procedurë e veçantë gjyqësore.
Të dënuarit, familjarët dhe mbrojtja ndër vite e kundërshtuan procesin dhe kërkuan rishikimin e rastit. Në vitin 2021, mbrojtja dorëzoi një ekspertizë të re të video-incizimit, të përgatitur në Serbi, të cilën e paraqiti si provë për kërkesën për rigjykim.
Rexhail Qerimi, njëri nga të dënuarit me burgim të përjetshëm, ndërroi jetë në burgun e Idrizovës më 27 janar 2022, ndërsa vuante dënimin.
Çfarë premtuan partitë?
Në vitin 2021, marrëveshja mes LSDM-së dhe Alternativës parashikonte që Qeveria t’i kërkonte Komisionit Evropian një ekip të pavarur ekspertësh për rastet për të cilat kishte dyshime për ndikim politik, mes tyre edhe “Alfa”.
Po atë vit, zëvendësministri i atëhershëm i Drejtësisë, Agim Nuhiu, foli për rivlerësimin e fakteve dhe provave në rastet për të cilat kishte dyshime se ishin të fabrikuara.
Në vitin 2022, Nuhiu tha se për rastin “Alfa” ishte siguruar ekspertizë nga jashtë vendit dhe se, pasi ajo të merrej si provë, vendimin për përsëritjen e procedurës duhej ta merrte gjykata.
Po atë vit, ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi deklaroi se Agim Islami nuk duhej të ishte në burg dhe kërkoi që rasti të rigjykohej mbi bazën e provave të reja.
Në vitin 2023, Ziadin Sela e përmendi “Alfën”, bashkë me “Monstrën” dhe “Lagjen e Trimave”, duke kërkuar që lehtësimi i dënimeve të mos trajtohej veçmas nga këto raste.
Në prill të vitit 2024, gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari, premtoi se do të trajtoheshin rastet që ai i konsideronte të montuara politikisht, duke përmendur “Alfën”, “Monstrën” dhe “Sopotin”. Taravari tha se për këto raste duhej gjetur një zgjidhje përmes drejtësisë, ndërsa foli edhe për mundësinë e faljes së personave që, sipas tij, ishin viktima të këtyre rasteve.
Po atë periudhë, në programin e VLEN-it për drejtësinë u përfshi edhe krijimi i një trupe të përkohshme ekspertësh nga vendet evropiane, e cila do të përfshihej në punën e këshillave gjyqësorë dhe prokurorialë dhe do të monitoronte punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Si përfundoi rasti?
Në dhjetor të vitit 2024, Gjykata Penale e Shkupit e refuzoi kërkesën e Agim Islamit për përsëritjen e gjykimit në rastin “Alfa”. Gjykata nuk e pranoi ekspertizën e re të paraqitur nga mbrojtja.
Në prill të vitit 2025, Gjykata e Apelit e refuzoi kërkesën për përsëritjen e gjykimit, duke arsyetuar se nuk kishte dëshmi të reja që do të justifikonin përsëritjen e procedurës.
- LEXO: Gjykata Supreme refuzoi ankesën për “Alfa-n”, pamundësohet rigjykimi për Agim Islamin
- LEXO: Pas shumë viteve zvarritje në labirintet e Gjykatës, ia arritën qëllimit që faji të më ngelet mua, deklaroi Agim Islami
“Monstra”
Më 12 prill 2012, pranë Liqenit të Smillkovës në Shkup u vranë pesë persona. Për këtë rast u arrestuan disa shqiptarë dhe ndaj tyre u ngritën akuza për terrorizëm.
Në vitin 2014, gjashtë persona u dënuan me burgim të përjetshëm. Pas vendimit pati protesta dhe kërkesa për rishikimin e procesit.
Në vitin 2015, gjatë publikimit të materialeve të përgjuara, atëherë lideri i opozitës Zoran Zaev deklaroi se posedonte materiale që lidheshin me këtë rast. Në dhjetor të po atij viti, ai i dorëzoi ato në Prokurorinë Speciale Publike.
Në nëntor 2017, Gjykata Supreme anuloi aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë dhe e ktheu lëndën në rigjykim.
Çfarë premtuan partitë?
Në vitin 2014, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, kërkoi monitorim nga ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë të procedurës së shkallës së dytë, me qasje të plotë në proces.
Një vit më vonë, ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Adnan Jashari, kërkoi që çështja të trajtohej me prioritet nga Prokuroria Speciale dhe që materialet e Zaevit të shqyrtoheshin për të parë nëse kishte bazë për procedurë të re. Po atë vit, Afrim Gashi kërkoi lirimin dhe dëmshpërblimin e të dënuarve në “Sopot” dhe “Monstra”.
Në vitin 2016, partitë shqiptare kërkuan zbardhjen përmes një komisioni hetimor ose një trupi të pavarur ndërkombëtar.
Në vitin 2017, BESA kërkoi që Zaev dhe PSP-ja ta procedonin urgjentisht çështjen, ndërsa Zaev përsëriti kërkesën për përfshirjen e faktorit ndërkombëtar. Në vitin 2019, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, kërkoi nga Zaev që ta nxirrte të vërtetën.
Në vitin 2021, marrëveshja mes LSDM-së dhe Alternativës parashikonte kërkesë te Komisioni Evropian për ekip ekspertësh të pavarur për hetim ndërkombëtar të rasteve të dyshuara për ndikim politik, mes tyre “Monstra”, “Alfa” dhe “Lagjja e Trimave”.
Si përfundoi rasti?
Pas më shumë se 50 seancave, më 23 shkurt 2021, Gjykata Penale dënoi Alil Demirin, Afrim Ismailloviqin dhe Agim Ismailloviqin me burgim të përjetshëm, Fejzi Azirin me 15 vjet dhe Haki Azirin me nëntë vjet burg. Për Sami Lutën, Prokuroria hoqi dorë nga akuza, ndërsa Gjykata e shpalli të pafajshëm për mungesë provash.
Në shtator 2022, Gjykata e Apelit i konfirmoi dënimet, ndërsa në shtator 2023 Gjykata Supreme i hodhi poshtë ankesat dhe në tërësi e konfirmoi vendimin e Apelit.
- LEXO: DOSJE: Detaje nga të gjitha seancat gjyqësore të rigjykimit për rastin “Monstra”
- LEXO: Apeli e shpalli vendimin për rastin “Monstra”
- LEXO: Supremja i hodhi poshtë ankesat e të dënuarve në rastin “Monstra”, mbeten në fuqi dënimet
“Lagjja e Trimave”
Më 9 dhe 10 maj 2015, në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë ndodhi një përleshje e armatosur mes forcave të sigurisë dhe një grupi të armatosur. Gjatë përleshjeve humbën jetën tetë pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.
Për këtë rast u akuzuan 37 persona. Tridhjetë e tre prej tyre u dënuan, ndërsa katër u shpallën të pafajshëm. Dënimet e shqiptuara arritën në gjithsej 746 vjet burg.
Edhe për “Lagjen e Trimave” ndër vite pati kërkesa për hetim ndërkombëtar dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Çfarë premtuan partitë?
Në vitin 2016, partitë shqiptare, përmes deklaratës së përbashkët, kërkuan zbardhjen e ngjarjeve në Kumanovë përmes një mekanizmi të pavarur ndërkombëtar.
Në vitin 2017, BDI kërkoi formimin e një komisioni anketues në Kuvend për zbardhjen e motivit dhe organizatorëve të ngjarjeve në Kumanovë. Ali Ahmeti kërkoi gjithashtu hetim ndërkombëtar, shkëmbim të informacioneve me Kosovën dhe Shqipërinë dhe që rasti të zbardhej tërësisht.
Në të njëjtën periudhë, Zoran Zaev tha se duhej të gjendej mënyrë për një hetim ndërkombëtar të ngjarjeve në Kumanovë. Kërkesa për hetim ndërkombëtar u përsërit edhe nga mbrojtja dhe figura të tjera politike.
Në vitin 2021, marrëveshja mes LSDM-së dhe Alternativës parashikonte që Qeveria t’i kërkonte Komisionit Evropian një ekip ekspertësh të pavarur, i cili do të kryente hetim ndërkombëtar edhe për rastin “Lagjja e Trimave”.
Në vitin 2023, Ziadin Sela e përmendi “Lagjen e Trimave” bashkë me “Monstrën” dhe “Alfën”, duke kërkuar që këto raste të përfshiheshin në diskutimet për lehtësimin e dënimeve.
Si përfundoi rasti?
Komisioni anketues në Kuvend u formua, por përveç seancës konstituive nuk pati punë të mëtejshme përmbajtësore. Edhe hetimi ndërkombëtar i premtuar nuk u realizua.
Në janar të vitit 2022, Gjykata Supreme i hodhi poshtë si të pabaza ankesat e të dënuarve dhe e konfirmoi aktgjykimin e Gjykatës së Apelit. Me këtë, dënimet e shqiptuara ndaj tyre mbetën në fuqi.
- LEXO: DOSJE: 6 vjet nga konflikti i armatosur në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës, ende asgjë nga hetimi ndëkombëtar
- LEXO: Supremja i hodhi poshtë ankesat dhe e konfirmoi vendimin e Apelit për rastin “Kumanova”
Ministria e Drejtësisë: Nuk mund të ndërhyjmë në rastet konkrete
Për këto raste ndër vite kanë folur edhe ministra e zëvendësministra të Drejtësisë. Në deklaratat e tyre janë përmendur rivlerësimi i fakteve dhe provave, ekspertiza të reja, hetime dhe përfshirja e ekspertëve ndërkombëtarë.
Por, çfarë mund të bëjë Ministria e Drejtësisë për këto raste?
Portalb.mk e pyeti ministrinë se cilat janë kompetencat e saj dhe nëse mund të ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me kërkesat për rishikimin e këtyre rasteve.
“Ministria e Drejtësisë, në përputhje me kompetencat e saj ligjore, nuk është instancë mbi gjykatat dhe prokurorinë dhe nuk mund të ndërhyjë në procedura konkrete gjyqësore, të ndikojë në vendimmarrje apo të rishqyrtojë vendimet gjyqësore jashtë mekanizmave të parashikuar me ligj”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Portalb.mk.
Megjithatë, ministria ka rol në funksionimin e sistemit të drejtësisë. Ajo mund të monitorojë punën e gjykatave në aspekte të përcaktuara me ligj, të trajtojë parashtresa e ankesa dhe të propozojë ndryshime ligjore apo masa për përmirësimin e sistemit.
“Roli i Ministrisë është, para së gjithash, sistemor dhe normativ: të monitorojë dhe analizojë kuadrin ligjor dhe institucional, të identifikojë dobësitë sistemore në funksionimin e gjyqësorit, të propozojë ndryshime ligjore dhe të iniciojë masa për përmirësimin e efikasitetit, pavarësisë dhe llogaridhënies së tij”, thuhet në përgjigje.
Sa u përket lëndëve konkrete, nga Ministria theksojnë se ato zgjidhen përmes institucioneve gjyqësore dhe mekanizmave të tjerë të parashikuar me ligj.
Ndërkohë, të dënuarit në këto raste dhe familjarët e tyre prej vitesh presin që kërkesat për zbardhjen dhe rishikimin e tyre të marrin përgjigje. Premtimet dhe kërkesat janë përsëritur ndër vite, por rastet kanë vazhduar të mbeten në procedurat gjyqësore.
Sot, një pjesë e të dënuarve e kanë përfunduar dënimin, disa ende janë në burg, ndërsa disa kanë ndërruar jetë.
- LEXO: Gjyqësori në vend të parë për mosbesim, qytetarët në Maqedoninë e Veriut më së shumti u besojnë bashkësive fetare dhe ushtrisë
- LEXO: Drejtësia në ngërç reformash në RMV: Prokuroritë pa staf, pa sistem digjital dhe pa transparencë
- LEXO: Pa besimin e qytetarëve në gjyqësor nuk mundet të ketë sundim të ligjit dhe qeverisje të drejtë