Borxhi i Komunës së Tetovës në përmbarues sipas kreut Bilall Kasami, është rreth 3 milionë euro. Ndërkaq, nga BDI-ja opozitare pretendojnë se borxhi real është mbi 31 milionë euro, duke kërkuar publikimin e pasqyrës së plotë të detyrimeve dhe pagesave. Portalb.mk kërkoi sqarime nga komuna, por nga zyra për financa nuk dhanë detaje shtesë për borxhin total.
Komuna thotë se për 2-3 muaj do të stabilizohet gjendja financiare
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami më 23 shtator gjatë brifingut me gazetarë, deklaroi se Komuna e Tetovës ka arritur ta ulë borxhin që e kishte ndaj përmbaruesve në rreth 3 milionë euro.
“Komuna nga një borxh të deklaruar në fillim prej 15 milionë euro, vetëm komuna flasim, por me kamatat e dënimit që i kemi paguar ai borxh ka shkuar në 20 milionë euro, tani kemi arritur atë borxh në përmbarues ta ulim diku në 3 milionë”, tha Kasami.
Ai theksoi se synimi i komunës është që edhe borxhi i mbetur ndaj përmbaruesve të shlyhet në dy deri në tre muajt e ardhshëm, pas së cilës, sipas tij, komuna do të ketë likuiditet financiar.
“Po punojmë që për 2-3 muajt e ardhshëm edhe këto 3 milionë në përmbarues që i kemi t’i paguajmë dhe përfundimisht komuna të ketë likuditet financiar”, deklaroi Kasami.
Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që t’i shlyejnë detyrimet për tatimin në pronë për vitet 2024 dhe 2025, në mënyrë që komuna të mos i dërgojë këto detyrime te përmbaruesit.
“Qytetarët t’i shlyejnë detyrimet për tatimin në pronë për vitin 2024 dhe 2025 që mos të jemi të detyruar që t’i dërgojmë në përmbarues”, tha Kasami.
Opozita kërkon pasqyrën e plotë të borxhit, e kundërshton Kasamin
Deklarata e Kasamit u kundërshtua sot, më 28 shtator nga Arbresha Neziri nga BDI-ja opozitare. Ajo thotë se të dhënat e Ministrisë së Financave për tremujorin e dytë të vitit 2026 tregojnë shifër dukshëm më të lartë të detyrimeve të komunës.
Sipas Nezirit, më 30 qershor 2026 detyrimet e raportuara të Komunës së Tetovës ishin afër 23 milionë euro, ndërsa ajo pretendon se ekzistojnë edhe rreth 8 milionë euro detyrime të paevidentuara. Sipas saj, kjo e çon borxhin e përgjithshëm të komunës në mbi 31 milionë euro.
“Bilall Kasami deklaron se borxhi i Komunës së Tetovës është vetëm 3 milionë euro. Por, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave për tremujorin e dytë të vitit 2026, më 30 qershor detyrimet e raportuara ishin afër 23 milionë euro, dhe sipas informatave tona rreth 8 milion euro të paevidentuara me të cilat borxhi i përgjithshëm i Komunës së Tetovës rezulton të jetë mbi 31 milionë euro”, tha Neziri.
Ajo kërkoi nga komuna ta publikojë dokumentacionin që do të dëshmonte pagesat.
“Si u shlyen 20 milionë euro për dy muaj, me cilat mjete dhe ku janë dëshmitë e pagesave?”, pyeti Neziri.
Ajo kërkoi gjithashtu publikimin e pasqyrës së plotë të detyrimeve dhe pagesave, duke pretenduar se pa këto dokumente nuk mund të verifikohet deklarata e kryetarit të Tetovës.
“Kush po i vjedh paratë e tetovarëve? Kërkojmë publikimin e pasqyrës së plotë të detyrimeve dhe pagesave që e mbështesin deklaratën e kryetarit. Fshehja e qëllimshme ose paraqitja e të dhënave të rreme është vepër penale”, tha Neziri.
Komuna nuk dha shpjegime shtesë
Portalb.mk sot ishte në Komunën e Tetovës për të kërkuar më shumë të dhëna lidhur me gjendjen financiare të komunës, përfshirë pasqyrën e detyrimeve dhe pagesave si dhe borxhin total.
Megjithatl, nga zyra për financa nuk u prononcuan dhe nuk dhanë shifra shtesë për borxhin. Nga aty na njoftuan se kreu Bilall Kasami qëndron pas deklaratës së dhënë javën e kaluar.
Ndërkohë, sipas analizës ekonomike të Portalb.mk të publikuar në maj 2026, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave, borxhi i Komunës së Tetovës atëherë ishte 11.974.062 euro, duke e renditur Tetovën si komunën e dytë me borxhin më të madh në vend.