BDI-ja në Tetovë ka mbajtur mbledhjen e parë të kryesisë pas zgjedhjeve, paralajmëroi për nesër takim në Shkup

Në orët e pasdites, në selinë e tyre në Reçicë, Bashkimi Demokratik për Integrim ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë Qendrore, si mbledhja e parë pas zgjedhjeve të 8 majit, transmeton Portalb.mk.

“Sot kryesia e Këshillit të Përgjithshëm, respektivisht Kryesia Qendrore, e BDI-së ka mbajtur mbledhjen e parë pas zgjedhjeve parlamentare, me çka u konstatua ajo fitorja e madhe në këto zgjedhjet e dyfishta”, deklaroi Arbër Ademi.

BDI-ja në këtë mbledhje kishte vlerësuar që zgjedhjet ishin të qeta dhe demokratike, duke vlerësuar që vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhje nuk do të mund të devijohet me marrëveshje politike.

“Ky legjitimitet nuk mund të devijohet, qoftë përmes ndonjë inxhineringu, siç ka ndodhur në vitin 2006, qoftë edhe si rezultat i marrëveshjeve të ndryshme joligjore, joparimore dhe jomorale ndërmjet partive politike për mbivotim në institucionet përkatëse shtetërore”, deklaroi Ademi.

Ai mohoi që ka pasur takime me partinë fituese VMRO-DPMNE.

“Çështja e fundit që u diskutua është takimi i nesërm. Fronti Europian ditën e nesërme do të ketë takim pune, mbledhje pune, në Shkup në ora 13:00”, deklaroi Ademi, duke theksuar që të gjithë përfaqësuesit e këtij koalicioni do të jenë nesër në takim.

Ademi theksoi që “stabiliteti është krucial për vendin tonë për të pasur një perspektivë të qartë dhe të parashikueshme”.

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024. Sipas rezultateve përfundimtare, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe Znam 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve.

Arbër AdemiBashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Fronti EvropianZgjedhje parlamentare RMV 2024Zgjedhje presidenciale RMV 2024