Irena Mulaçka, Miomir Serafinoviq, Snezhana Lupevska, Aleksandar Metodijev dhe Suzana Miceva janë fituesit e çmimeve të Bashkimit Evropian për gazetari hulumtuese 2024, të cilat u ndanë dje, transmeton Portalb.mk.
Irena Mulaçka nga “Fokus” mori çmimin e parë për storjen “Skandali Onkologjia”, që zbuloi abuzime me terapitë për pacientët onkologjikë.
Miomir Serafinoviq dhe Snezhana Lupevska Sozen morën çmimin e dytë për storjen “Pema Familjare Zajas, Soravia, Elektriciteti, Diplomacia” nga emisioni KOD, TV Telma, e cila zbulon lidhjet familjare dhe keqpërdorimet nga zyrtarët e lartë.
Për storjen “Pyjet e brishta” (Nota.mk), i cili hulumton prerjet ilegale dhe neglizhencën institucionale të mjedisit, çmimi i tretë i takoi Metodijevit dhe Micevës.
Ceremoninë e hapi ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas, i cili theksoi përkushtimin e Bashkimit Evropian në mbështetjen e gazetarisë së pavarur dhe lirisë së mediave në rajon.
“Ne kemi nevojë për gazetari që të funksionojë demokracia. Gazetaria profesionale na ndihmon të përballemi me shumë sfida. Rrjetet sociale krijojnë lehtësisht opinionin publik. Ajo që nevojitet është të përpiqemi të ndihmojmë profesionin, për të mos thënë, për të arritur standardet e BE-së, por për të siguruar që gazetarët të mund të punojnë në kërkime. Ky është një mundësi për të treguar ndikimin e gazetarisë investigative që krijon ndryshime sociale dhe një mjedis në të cilin qytetarët do të prosperojnë”, tha ambasadori Rokas.
“Gjatë gjithë historisë, stafi i onkologjisë u inkurajua të merrte pjesë në storje dhe të fliste për atë që po ndodhte atje. Unë sinqerisht shpresoj se pak nga pak kjo histori u ka ndihmuar pacientëve në Maqedoni dhe shpresoj se deri në fund të vitit do të ketë zgjidhje ligjore. Falënderoj redaksinë e Fokus, jurinë dhe familjen time”, tha Irena Mulaçka në ceremoni.
Fituesit e konkursit kombëtar për çmimin e BE-së për gazetari hulumtuese do të kenë mundësinë të konkurrojnë për konkursin rajonal ku storjet me ndikim rajonal shpërblehen nga një komision i posaçëm jurie. Fituesit e konkursit rajonal do të shpallen në javën e fundit të tetorit në Ankara të Turqisë.