Në seancën e sotme të procesit gjyqësor kundër gjyqtarit të Apelit, Gjoko Ristov, i akuzuar për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash, dëshmoi avokati Aleksandar Varela, dëshmitar i mbrojtjes, i cili foli për bastisjen në shtëpinë familjare të prindërve të Ristovit, ku në murin e kuzhinës u gjetën 350 mijë euro të mbështjella me foli alumini, transmeton Portalb.mk.
Varela para gjykatës tregoi se gjatë bastisjes së dytë, në janar të këtij viti, policia në kuzhinë hoqi pllakat dhe në një hapësirë në mur u gjetën 13 pako me para.
Për të qenë i pranishëm gjatë bastisjes, ai ishte ftuar nga djali i Zdravkos, Angel Ristov. Ai theksoi se bastisja ishte intensive dhe zgjati dy ditë.
Sipas dëshmisë së tij, babai i Ristovit, Zdravko, tha se paratë e gjetura ishin të tijat.
Gjatë kontrollit të përsëritur u kontrolluan pllakat në kuzhinë, me dyshimin se disa prej tyre lëshonin tingull të zbrazët kur goditeshin.
Ai theksoi se nga sjellja e Zdravko Ristovit mund të konkludohej se ai e dinte për paratë, por se më herët nuk i kishte treguar atij si avokat.
“Edhe unë isha aty, pronari Zdravko dhe dy policë, të cilët po i hiqnin pllakat. Zdravko kundërshtonte që të mos i thyenin pllakat, sepse do të duhej të vendoseshin përsëri. Por ata nuk mundën të gjenin asgjë dhe filluan t’i thyenin të gjitha me radhë. Kur arritën te rreshti i fundit, u shfaq një vrimë. Zdravko tha: ‘Hajde, u bë’. Domethënë, u bë”, tha ai.
Më pas ai tha se nuk kishte nevojë të thirreshin njësitë speciale, pasi bëhej fjalë për para.
Avokati tregoi para gjykatës se babai i të akuzuarit, kur u pyet për shumën, tha se bëhej fjalë për më shumë se 300, përkatësisht rreth 350 mijë euro.
“Më tha: ‘Nuk e dija se do të shkonin kaq larg, nuk doja që fëmijët ta dinin se kam para’. I thashë se tani mund t’ia marrin, ndërsa ai m’u përgjigj: ‘Le të bëjnë çfarë të duan, paratë janë të miat'”, tha ai.
Në pyetjen e Prokurorisë nëse në shtëpi kishte thasë me çimento dhe ngjitës, dëshmitari u përgjigj pozitivisht.
“Kishte çimento në dhomën ndihmëse, së bashku me thasë të tjerë me rërë dhe materiale, siç ka në çdo shtëpi”, tha avokati.
Ai theksoi se edhe policia e kishte pyetur Zdravko Ristovin nëse çimentoja ishte e tij dhe nëse kohët e fundit kishte bërë ndonjë rinovim.
“Tha se çimentoja ishte e tij. E pyetën nëse kishte rinovuar diçka. Fillimisht tha jo, sepse mendonte për ndonjë ndërhyrje më të madhe, ndërsa më pas tha se pllakat nën shkallë ishin ngjitur së fundmi”, tha Varela.
Prokurorja publike Iskra Haxhi-Vasileva, pas gjykimit të sotëm, deklaroi se dëshmitari i mbrojtjes kishte dhënë deklaratë jo të besueshme në pjesë kyçe. Sipas saj, një pjesë e dëshmisë kishte të bënte me fakte themelore, të cilat gjejnë mbështetje në atë që kishte ndodhur gjatë bastisjes, për sa i përket mënyrës dhe dinamikës së veprimit të policisë.
“Sa u përket disa fakteve, ai dha deklarata të pavërteta, sepse nuk përputhen me provat materiale dhe videomaterialin që e pamë në seancat e mëparshme”, tha Haxhi-Vasileva.
Në seancë dëshmoi edhe një dëshmitar i Prokurorisë, pronar i një dyqani për telefona celularë dhe i punësuar në MPB në fushën e sigurisë kibernetike. Ai tha para gjykatës se më 3 dhjetor 2025 nuk kishte marrë telefonatë nga Gjoko Ristov dhe se Prokurorisë ia kishte dorëzuar të gjithë dokumentacionin për pranimin e pajisjeve në servis.
Dëshmitari theksoi se nuk i kujtohej nëse Ristov kishte ardhur pas orës 19:00 në dyqan me një “Samsung” të zi me ekran të thyer dhe kishte kërkuar nxjerrjen e të dhënave nga telefoni.
Sipas aktakuzës, Ristov ndiqet penalisht për përfitim të kundërligjshëm dhe fshehje të pasurisë, si dhe për pastrim parash.
Më 17 prill, Prokuroria Publike njoftoi se në kuadër të hetimit ishin ndërmarrë disa veprime dhe ishin kryer bastisje, me ç’rast më 18 janar të këtij viti, në shtëpinë e prindërve të Ristovit në Negotinë, ishin gjetur 350 mijë euro, për origjinën e të cilave, sipas Prokurorisë, gjyqtari nuk kishte dëshmi dhe nuk i kishte deklaruar.
- LEXO: Gjykatësi Gjoko Ristov mohoi fajësinë për 350.000 euro të gjetura në murin e shtëpisë në Negotinë
- LEXO: Ekspertiza biologjike vërtetoi se gjykatësi Gjoko Ristov i ka fshehur personalisht paratë në murin e shtëpisë së prindërve
- LEXO: Nga gjykimi i çështjeve më të mëdha deri te 350.000 euro në mur, kronologjia e karrierës së Gjoko Ristovit