“Ata nuk janë më” u shpall shfaqja më e mirë e edicionit jubilar të Skupifestivalit

Shfaqja “Ata nuk janë më”, me tekst të Doruntina Bashës dhe regji të Andrej Nosovit, fitoi çmimin kryesor në edicionin e 20-të jubilar të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skupifestival”, i cili u përmbyll mbrëmë në Teatrin Shqiptar në Shkup. Bashkëprodhimi i Hartefaktit nga Beogradi dhe teatrit SARTR nga Sarajeva, me interpretimin e Mirjana Karanoviqit, Svetozar Cvetkoviqit dhe Alban Ukajt, ishte edhe shfaqja që mbylli programin e festivalit, shkruan Portalb.mk.

Shfaqja trajton pasojat e gjenocidit të Srebrenicës përmes historisë së Sadikës, një gruaje të mbijetuar që jeton e vetme në një shtëpi përkujdesjeje në Holandë. Kujtimet për njerëzit që ka humbur sjellën një rrëfim për dhimbjen dhe frikën e harresës. Teksti  i Doruntina Bashës, ndërsa regjinë e ka realizuar Andrej Nosov. Në rolet kryesore interpretuan Mirjana Karanoviq, Svetozar Cvetkoviq dhe Alban Ukaj.

Juria, në përbërje të Merita Çoçollit, Vesna Kusleskës dhe Anisa Ismailit, krahas çmimit për shfaqjen më të mirë, ndau edhe çmimin “Luran Ahmeti” dhe dy çmime speciale.

Çmimi “Luran Ahmeti” iu nda aktores Mirjana Karanoviq për interpretimin e rolit të Sadikës në shfaqjen fituese “Ata nuk janë më”.

Fotografi nga aktorja Mirjana Karanoviq në shfaqjen “Ata nuk janë më”

Me çmim special u vlerësua ansambli i aktorëve të shfaqjes “Unrecognized”, Shkëlqim Islami, Katerina Kisten, Kato Kalatozishvili, Maria Saloma, Ellen Jelinek dhe Johanes Vanselov. Me tekst të Jeton Nezirajt dhe Davit Gabunias dhe regji të Data Tavadzes, ky bashkëprodhim ndërkombëtar hapi edicionin jubilar më 10 tetor.

Fotografi nga shfaqja “Unrecognized”. Foto: Laura Laçi (Portalb.mk)

Çmim special iu nda edhe aktorit Bujar Ahmeti për interpretimin e rolit të Lekës në shfaqjen “Gërrdia”, me tekst dhe regji të Astrit Kabashit, produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Fotografi nga shfaqja “Gërrdia”. Foto: Portalb.mk

Nga 10 deri më 17 tetor, publiku ndoqi tetë produksione teatrore, me pjesëmarrjen e artistëve dhe institucioneve nga rajoni dhe Evropa. Krahas shfaqjeve të shpërblyera, programi përfshiu “Hamletin” e Teatrit Metropol të Tiranës, “Sexoholic” nga Polonia, “Gjërat që nuk thuhen” nga Moldavia, monodramën “Veta e parë njëjës” dhe “Zoti i Masakrës” të Teatrit Kombëtar “Ivan Vazov” të Bullgarisë.

Me një program që bashkoi krijues nga disa vende, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Skupi Festival” shënoi jubileun e tij të njëzetë. Ky edicion vijoi traditën e sjelljes së teatrit bashkëkohor ndërkombëtar para publikut të Shkupit, duke ofruar një hapësirë takimi mes kulturave, ideve dhe mënyrave të ndryshme të shprehjes skenike.

Përmes shfaqjeve të përzgjedhura, festivali solli këndvështrime të ndryshme artistike dhe tema që nxisin reflektimin e dialogun. Jubileu ishte njëkohësisht një rast për të vlerësuar rrugëtimin njëzetvjeçar të festivalit dhe rolin e tij në pasurimin e jetës teatrore të kryeqytetit.

Edicioni i 20-të u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut dhe mbështetësve të tjerë, të cilët kontribuuan në vazhdimësinë e këtij takimi të përvitshëm mes artistëve dhe publikut.

Festival i teatritKultura shqiptareKulturë lajmeSkupi FestivalTeatër shfaqje teatroreTeatri Shqiptar Shkup