Me tetë shfaqje nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës, “Skupi Festival” do të shënojë këtë vit edicionin e tij të 20-të. Festivali Ndërkombëtar i Teatrit do të mbahet nga 10 deri më 17 tetor në Teatrin Shqiptar në Shkup, ndërsa edicioni jubilar vjen nën moton “Teatër, njerëz, histori, emocione pa kufij”, shkruan Portalb.mk.
Drejtori artistik i festivalit, Osman Ahmeti, për Portalb.mk thotë se dy dekadat e Skupi Festivalit përfaqësojnë një rrugëtim me shumë sfida, por edhe me një mision të pandryshuar, sjelljen e teatrit cilësor dhe të estetikave bashkëkohore para publikut të Shkupit.
“Ky rrugëtim 20-vjeçar nuk ka kaluar pa sfida të ndryshme ndër vite. Skupi Festival ka lindur në skenën e Teatrit Shqiptar në Shkup, ku edhe është kthyer tashmë prej disa edicionesh, por vazhdimësia e tij deri këtu ka kaluar pothuajse nëpër të gjitha skenat teatrore e kulturore të qytetit të Shkupit. Misioni ynë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, të sjellim shfaqje cilësore nga rajoni, Evropa dhe më gjerë, si dhe rrymat dhe estetikat teatrore të kohës”, tha Ahmeti.
Ahmeti thotë se pas çdo edicioni që publiku e sheh në skenë qëndron një punë e gjatë dhe shpesh e padukshme.
“Asnjë aktivitet kulturor nuk mbahet vetëm nga dashuria, e aq më pak një festival ndërkombëtar. Do të thoja me plot gojë se ky festival është mbajtur gjallë dhe ka ardhur deri te ky edicion i 20-të, në radhë të parë për shkak të kokëfortësisë së organizatorëve të tij. Ndër vite, që nga themelimi, ne kemi pasur si mbështetëse Ministrinë e Kulturës, por ka pasur edhe edicione kur jemi përballur me obstruksione të ndryshme, deri në fshirjen e SkupiFestivalit nga harta kulturore, pikërisht nga njerëz apo funksionarë që ishin vendosur në pozita për ta avancuar, rritur dhe mbështetur artin dhe kulturën shqiptare. Ata bënin krejt të kundërtën. Tani, ajo që nuk shihet është një punë gati njëvjeçare, nga njëri edicion në tjetrin, për përgatitjen e programit të radhës. Mund të jetë një takim, mund të jetë një email, mund të jetë një udhëtim, ndonjë propozim apo ndonjë ndryshim, por pothuajse nuk ka ditë që një pjesë e kohës të mos i dedikohet SkupiFestivalit, kuptohet, nga stafi i tij i ngushtë”, tha Ahmeti.
Sipas tij përgatitjet për festivalin praktikisht nuk ndalen gjatë gjithë vitit.
“Ajo që publiku nuk e sheh është një punë gati njëvjeçare, nga një edicion në tjetrin. Mund të jetë një takim, një e-mail, një udhëtim apo një propozim për ndonjë ndryshim, por pothuajse nuk ka ditë që një pjesë e kohës të mos i dedikohet Skupi Festivalit”, theksoi ai.
Pas 20 edicionesh, drejtori artistik vlerëson se festivali tashmë ka krijuar një identitet dhe ka lënë gjurmë në skenën teatrore të vendit.
“Pa modesti, besoj se në këto 20 edicione kemi lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën teatrore të vendit. Kemi sjellë produksione teatrore nga institucione të mëdha nga rajoni dhe Evropa, emra të njohur të aktrimit, regjisë dhe dramës, por edhe emra nga skenografia, kostumografia, koreografia, pantomima dhe muzika”, tha Ahmeti.
Ai shton se jubileu nuk është fundi i një rruge, por një pikë prej së cilës festivali duhet të vazhdojë të zhvillohet.
“Sigurisht që ka gjëra që do të donim t’i kishim bërë ndryshe, por mendoj se duhet të vazhdojmë përpara, duke mos harruar të përmirësohemi aty ku mund të kemi çaluar”, përfundoi Ahmeti.
Edicioni jubilar do të hapet me premierën botërore të shfaqjes “Unrecognized”, të autorëve Jeton Neziraj dhe Davit Gabunia, me regji të Data Tavadzes. Me një kast aktorësh të përzier: Shkëlqim Islami, Katerina Kisten, Kato Kalatozishvili, Maria Saloma, Ellen Jelinek dhe Johanes Vanselov. Ky produksion teatror vjen nga teatro dhe produksione nga Suedia, Ukraina, Gjeorgjia, Finlanda, Kosova dhe Maqedonia.
E frymëzuar nga miti antik i Ifigjenisë në Tauridë, shfaqja lidh rrëfimet e lashta me përvojat e sotme të luftës, dëbimit dhe kufijve të kontestuar. Përmes dëshmive personale, materialeve dokumentare dhe humorit, ajo ngre pyetje mbi përkatësinë dhe të drejtën për të vendosur kufij, për ta njohur një shtet apo për ta lënë të panjohur.
Më 12 tetor do të jepet “Hamleti” i Uilliam Shekspirit, me regji të Jonida Beqos, produksion i Teatrit Metropol të Tiranës.
Më 13 tetor në program është shfaqja polake “Sexoholic”, e autorit dhe regjisorit Gregor Kempinski.
Më 14 tetor publiku do të ndjekë “Gërdia”, të autorit dhe regjisorit Astrit Kabashi, produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Dy shfaqje janë paraparë për 15 tetorin. Nga Moldavia vjen “Gjërat që nuk thuhen”, e autores Maria Ivanov, me regji të Ana Batevës, ndërsa nga Turqia “Muhamed Ali”, e autorit dhe regjisorit Turgaj Korkmaz, me aktorin Erdem Kaynarca.
Më 16 tetor do të prezantohet “Zoti i Masakrës”, e autores Jasmina Reza, me regji të Anton Ugrinovit, produksion i Teatrit Kombëtar “Ivan Vazov” të Bullgarisë.
Festivali do të përmbyllet më 17 tetor me shfaqjen “Ata nuk janë më”, të autores Doruntina Basha, me regji të Andrej Nosovit. Në të interpretojnë Mirjana Karanoviq, Svetozar Cvetkoviq dhe Alban Ukaj.