“Hamleti” i Shekspirit u ngjit mbrëmë në skenën e Skupi Festival, sonte vazhdon nata e tretë

Në skenën e Teatrit Shqiptar në Shkup, mbrëmë u prezantua shfaqja “Hamleti”, një nga veprat më të njohura të dramaturgut Uilliam Shekspir, në kuadër të edicionit të 20-të jubilar të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, Skupi Festival, shkruan Portalb.mk.

Shfaqja, produksion i Teatrit Metropol të Tiranës, erdhi nën regjinë e Jonida Beqos, me aktorin Amos Zaharia në rolin kryesor. Krahas tij interpretuan edhe emra të njohur të skenës shqiptare, si Yllka Mujo, Viktor Zhusti, Kosovare Krasniqi, Sokol Angjeli dhe aktorë të tjerë.

“Hamleti” sjell historinë e princit të Danimarkës, i cili, pas vdekjes së babait, përballet me tradhtinë, intrigat e pushtetit dhe dilemën mes hakmarrjes dhe ndërgjegjes. Përmes kësaj tragjedie, Shekspiri trajton çështje universale si drejtësia, morali, dashuria dhe lufta e njeriut me vetveten.

Ndërkohë, sonte, në natën e tretë të festivalit, publiku do të ketë mundësi të ndjekë shfaqjen polake “Sexoholic”, me autor dhe regjisor Gregor Kempinski, në interpretimin e aktoreve Veronika Psiuk-Çerepak dhe Karolina Koçanska, produksion i Teatrit Shtukofnia nga Polonia.

Programi vazhdon nesër, më 14 tetor, me shfaqjen “Gërrdia” të Teatrit Kombëtar të Kosovës, me autor dhe regjisor Astrit Kabashin. Në skenë do të interpretojnë Bujar Ahmeti, Maylinda Kosumovic dhe Rebeka Qena.

Edicioni i 20-të i Skupi Festival do të vazhdojë deri më 17 tetor, duke sjellë në Shkup produksione teatrore nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës.

Kultura shqiptareKulturë lajmeSkupi FestivalTeatër shfaqje teatroreTeatri Shqiptar Shkup