“Skupifestival” hap edicionin e njëzetë jubilar me premierën botërore të “Unrecognized”

Me premierën botërore të shfaqjes “Unrecognized”, mbrëmë në Teatrin Shqiptar në Shkup filloi edicioni i njëzetë jubilar i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skupifestival”, Portalb.mk.

Shfaqja, me autorë Jeton Neziraj dhe Davit Gabunia, në regji të Data Tavadze, trajton luftën, dëbimin nga vendlindja, kufijtë e kontestuar dhe përkatësinë. E frymëzuar nga miti antik i Ifigjenisë në Tauridë, ajo ndërthur rrëfimet e lashta me përvojat e sotme të njerëzve që përballen me luftën dhe humbjen e shtëpisë.

Përmes dëshmive personale, materialeve dokumentare, trillimit dhe humorit, shfaqja shtron pyetjen se kush ka pushtetin të vendosë për kufijtë, të quajë dikë të huaj dhe të njohë apo të mos njohë një shtet. Në skenë interpretojnë gjashtë aktorë nga Ukraina, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Finlanda dhe Suedia.

Në këtë shfaqje luajtën aktorët: Ellen Jelinek, Kateryna Kisten, Kato Kalatozishvili, Maria Salomaa, Johannes Wanselow, Shkëlqim Islami.

Fotografi nga shfaqja “Unrecognized”. Foto: Laura Laçi (Portalb.mk)

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, shpalli të hapur edicionin e 20-të jubilar të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skupi Festival”, duke shënuar nisjen e një jave kushtuar artit skenik dhe krijimtarisë teatrore.

“Është gjithmonë emocionuese të ngjitesh në skenë. Madhështia e saj dhe emocionet që të dhuron mbeten të papërshkrueshme, pavarësisht nëse je aty për të aktruar, për të moderuar apo për të mbajtur një fjalim, si sonte.

Është nder i veçantë të jem këtu, në këtë skenë, në momentin e hapjes së edicionit të 20-të të ‘Skupi Festival’. Njëzet vite krijimtari, bashkëpunim dhe dialog kulturor janë pjesë e identitetit më të bukur të kryeqytetit tonë dhe shprehje e angazhimit fisnik të artistëve tanë.

Mbi të gjitha, këto njëzet vite dëshmojnë se arti nuk njeh kufij. Ai është një gjuhë që na bashkon dhe një hapësirë ku dallimet nuk na ndajnë, por na pasurojnë”, tha Gashi.

 

Fotografi nga shfaqja “Unrecognized”. Foto: Laura Laçi (Portalb.mk)

Muzbajdin Qamili-Muçi, drejtor i “Skupi Festival”, tha se rrugëtimi i festivalit nisi pikërisht në skenën e Teatrit Shqiptar në Shkup.

“Çdo udhëtim ka pikënisjen dhe historinë e vet. Historia jonë filloi pikërisht këtu, në këtë skenë të Teatrit Shqiptar në Shkup. Këtu lindi ideja që Shkupi të bëhej një pikëtakim për teatro, artistë dhe kultura nga vende të ndryshme të botës, duke krijuar ura komunikimi përmes gjuhës universale të teatrit. E meqë po flasim për botën, duhet ta pranojmë se festivali ynë ka udhëtuar vërtet larg. Aq larg, sa ndonjëherë pyesim veten nëse ka mbetur ndonjë pjesë e botës që nuk e kemi sjellë ende në këtë skenë”, tha Qamili.

Programi i festivalit vazhdon nesër, më 12 tetor, me “Hamletin” e Uilliam Shekspirit, në regji të Jonida Beqos, nga Teatri Metropol i Tiranës. Në qendër të veprës është princi Hamlet, i cili, pas vdekjes së të atit, përballet me dyshime dhe të vërteta të rënda për familjen dhe oborrin mbretëror. Kërkimi i së vërtetës dhe dëshira për hakmarrje e fusin në një përballje me tradhtinë, pushtetin dhe ndërgjegjen e tij.

Në shfaqje interpretojnë, Amos Zaharia, Kosovare Krasniqi, Viktor Zhusti, Yllka Mujo, Sokol Angjeli, Armela Demaj, Urim Aliaj, Xhino Musollari, Amri Hasanlliu, Luisa Dinellari, Marius Dhrami, Edvin Mustafa, Jurgen Dervishi, Besmir Sula, Mario Bali, Sara Koci, Silva Brahimataj dhe Elion Guri.

Edicioni jubilar sjell edhe një risi në përbërjen e jurisë. Shfaqjet pjesëmarrëse do të vlerësohen nga Merita Çoçoli, Vesna Kusleska dhe Anisa Ismaili, tri profesioniste të artit dhe kulturës, të cilat do të përcaktojnë fituesit e tri çmimeve të festivalit.

Krahas çmimit kryesor për shfaqjen më të mirë, juria do të ndajë edhe çmimin special “Luran Ahmeti”, në nderim të aktorit të njohur shqiptar dhe kontributit të tij në jetën teatrore e kulturore.

Edicioni i 20-të realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, dhe disa mbështetësve të tjerë.

Festival i teatritKultura shqiptareKulturë lajmeSkupi FestivalTeatër shfaqje teatrore