Tetë shfaqje ndërkombëtare në edicionin jubilar të “Skupi Festival” i cili fillon të shtunën

Nën moton “Teatër, njerëz, histori, emocione pa kufij”, nga 10 deri më 17 tetor në Shkup do të mbahet edicioni i 20-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skupi Festival”. Në skenën e Teatrit Shqiptar në Shkup, publiku do të ketë mundësi të ndjekë tetë shfaqje, që sjellin histori, përvoja dhe qasje të ndryshme artistike, shkruan Portalb.mk.

Edicioni jubilar do të hapet me premierën botërore të shfaqjes “Unrecognized”, të autorëve Jeton Neziraj dhe Davit Gabunia, me regji të Data Tavadzes. Ky bashkëprodhim ndërkombëtar bashkon gjashtë aktorë nga Ukraina, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Finlanda dhe Suedia.

E frymëzuar nga miti antik i Ifigjenisë në Tauridë, shfaqja lidh rrëfimet e lashta me përvojat e sotme të luftës, dëbimit dhe kufijve të kontestuar. Përmes dëshmive personale, materialeve dokumentare dhe humorit, ajo ngre pyetje mbi përkatësinë dhe të drejtën për të vendosur kufij, për ta njohur një shtet apo për ta lënë të panjohur.

Më 12 tetor do të jepet “Hamleti” i Uilliam Shekspirit, me regji të Jonida Beqos, produksion i Teatrit Metropol të Tiranës. Më 13 tetor në program është shfaqja polake “Sexoholic”, e autorit dhe regjisorit Gregor Kempinski, ndërsa më 14 tetor publiku do të ndjekë “Gërdia”, të autorit dhe regjisorit Astrit Kabashi, produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Dy shfaqje janë paraparë për 15 tetorin. Nga Moldavia vjen “Gjërat që nuk thuhen”, e autores Maria Ivanov, me regji të Ana Batevës, ndërsa nga Turqia “Muhamed Ali”, e autorit dhe regjisorit Turgaj Korkmaz, me aktorin Erdem Kaynarca.

Më 16 tetor do të prezantohet “Zoti i Masakrës”, e autores Jasmina Reza, me regji të Anton Ugrinovit, produksion i Teatrit Kombëtar “Ivan Vazov” të Bullgarisë.

Festivali do të përmbyllet më 17 tetor me shfaqjen “Ata nuk janë më”, të autores Doruntina Basha, me regji të Andrej Nosovit. Në të interpretojnë Mirjana Karanoviq, Svetozar Cvetkoviq dhe Alban Ukaj.

Programi i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skupi Festival”. Foto: Skupi Festival” (Facebook)
Kultura shqiptareKulturë lajmeSkupi FestivalTeatër shfaqje teatroreTeatri Shqiptar Shkup