Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Skupi Festival” vazhdon sonte në Teatrin Shqiptar në Shkup me shfaqjen “Gërrdia”, produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës, me tekst dhe regji të Astrit Kabashit. Në të interpretojnë Bujar Ahmeti, Majlinda Kosumoviq dhe Rebeka Qena, shkruan Portalb.mk.
Në qendër të shfaqjes është Leka, një burrë të cilin e ndjekin trauma dhe një sekret nga fëmijëria. Pas vdekjes së babait, që e kishte mbrojtur për vite, gjendja e tij psikologjike rëndohet dhe e kaluara nis t’i trazojë edhe marrëdhëniet me njerëzit përreth. Drama trajton peshën e fajit, heshtjen brenda familjes dhe temat tabu të një shoqërie patriarkale.
Në programin e mbrëmshëm ishte shfaqja polake “Sexoholic”, me autor dhe regjisor Gregor Kempinski, në interpretimin e Veronika Psiuk-Çerepak dhe Karolina Koçanska, produksion i Teatrit Shtukofnia nga Bytomi. Drama rrëfen historinë e një gruaje të suksesshme në karrierë, e cila përballet me varësinë nga seksi dhe pasojat e saj në jetën personale. Shfaqja mbështetet në dëshmi të vërteta të personave që përballen me këtë varësi.
Nesër, më 15 tetor, do të paraqitet shfaqja “First Person Singular”, me aktore Vladanka Krstevski, nën regjinë e Dragana Gounin.
Edicioni i 20-të jubilar i “Skupi Festival” zhvillohet në Teatrin Shqiptar në Shkup dhe do të vazhdojë deri më 17 tetor.