Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, deklaroi se është e gatshme të përballet me kryetarin e Çairit, Visar Ganiu, i cili dje paralajmëroi se do ta padisë për pretendimet lidhur me ndërtimet pa leje në Çair të Shkupit dhe rrethanat rreth legalizimit të tyre, transmeton Portalb.mk.
“Do të kem kënaqësinë të përballem me të me të gjitha këto prova, kudo dhe në çdo platformë”, tha sot Arsovska.
Arsovska këtë e tha në brifingun për gazetarët, ku informoi se në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit (PTHPKK) është dorëzuar një dokumentacion i gjerë prej 3,200 faqesh lidhur me procedurat e dyshimta për legalizimin dhe ndërtimin e objekteve në Çair.
Ajo tha se dokumentacioni përmban prova për falsifikime, përfshirë edhe deklarata të nënshkruara nga persona që në momentin e ndërtimit të supozuar të objekteve pa leje ishin të mitur.
“Bëhet fjalë për ndërtesa që po ndërtohen tani, ndërsa flasim, pa asnjë dokumentacion, pa projekt, pa statikë, pa paguar asnjë denar ndaj komunës. Janë objekte të mëdha që nuk mund të fshihen, as të futen në xhep”,tha Arsovska, duke theksuar se bëhet fjalë për një operacion të qartë pastrimi parash.
Në lidhje me akuzat se rasti ka prapaskenë politike, ajo theksoi se kallëzime të ngjashme penale janë dorëzuar edhe në komuna të tjera pa polemizuar për dimensionin politik të tyre. Paralajmëroi se nëse institucionet nuk veprojnë në këtë rast, do të krijohet një precedent i rrezikshëm.
Kujtojmë se, të mërkurën, më 23 korrik, policë nga Departamenti për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Krimit të Rëndë në Ministrinë e Brendshme sekuestruan dokumentacion nga komuna e Çairit dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, në lidhje me ndërtimet e paligjshme për të cilat kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ka ngritur alarmin për një kohë të gjatë. Arsovska po ashtu, paraqiti kallëzim penal në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër kryetarit të Çairit, Visar Ganiu dhe disa punonjësve të tjerë të komunës, duke deklaruar se komuna dyshohet se ka përdorur një regjistër të falsifikuar në të cilin janë regjistruar kërkesat për legalizimin e ndërtesave pa leje.
Arsovska së fundmi ka qenë në “gjueti të ndërtimeve pa leje” në Komunën e Çairit, duke i dokumentuar ato dhe duke i publikuar në profilin e saj në Facebook përmes video-mesazheve. Ajo madje ka kërkuar ndihmë edhe nga faktori ndërkombëtar.