Pas raportimeve se zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka përdorur emailin zyrtar të qeverisë për qëllime partiake, redaksia e Portalb.mk kërkoi prononcim zyrtar nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK). Nga atje vetëm konfirmuar se ky veprim bie ndesh me parimet bazë të qeverisjes së mirë dhe shkel në mënyrë të qartë Kodin e Etikës për funksionarët publikë, pa u përgjigjur në pyetjen tonë nëse do të ndërmarrin diçka, raporton Portalb.mk.
“Kodi i sjelljes etike për anëtarët e qeverisë dhe bartësit e funksioneve publike të emëruar nga qeveria përcakton se bartësit e funksioneve ekzekutive në punën e tyre i përkushtohen ekskluzivisht interesit publik dhe të mirës së përgjithshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të saj dhe nuk mund ta përdorin funksionin e tyre për të përfituar përfitim personal ose në dobi të personave të afërt, si dhe në dobi të një partie politike dhe subjekti tjetër, dhe gjatë kryerjes së detyrave të tyre janë të detyruar t’i përdorin burimet publike në mënyrë të arsyeshme”, thuhet në përgjigje.
Kodi i lartpërmendur, shtojnë nga Antikorrupsioni, përcakton që mbajtësit e funksioneve ekzekutive, kur marrin pjesë në aktivitetet partiake si anëtarë dhe mbajtës të funksioneve në partitë politike, nuk duhet të rrezikojnë profesionalizmin dhe saktësinë e kryerjes së funksionit dhe se funksioni ose detyra publike do të ketë gjithmonë përparësi.
“Neni 16 i Kodit përcakton që postimet në profilet e mediave sociale në të cilat mbajtësit e funksioneve ekzekutive veprojnë në emër të institucioneve nuk duhet të promovojnë aktivitete dhe simbole partiake. Ata gjithashtu duhet të përdorin ambientet shtetërore, inventarin, burimet financiare dhe teknike që u vihen në dispozicion në lidhje me kryerjen e detyrave të tyre me ndërgjegje dhe përgjegjësi dhe ekskluzivisht për qëllime zyrtare”, thuhet në përgjigje.
Nga dispozitat e Kodit, thuhet më tej, padyshim që rrjedh se mbajtësit e funksioneve ekzekutive në Qeveri, në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, duhet të udhëhiqen ekskluzivisht nga interesi publik dhe t’i përdorin burimet e besuara ekskluzivisht për qëllime zyrtare.
“Theksojmë se në përputhje me nenin 2-a të Kodit, kryetari i Qeverisë emëron një anëtar të Qeverisë përgjegjës për monitorimin e zbatimit të Kodit nga mbajtësit e funksioneve ekzekutive”, përfundon përgjigjja e Antikorrupsionit.
Megjithatë, pavarësisht këtij sqarimi, nga Komisioni Antikorrupsion nuk u dha përgjigje lidhur me atë nëse do të ndërmerren masa konkrete ndaj këtij rasti. Pavarësisht këmbënguljes sonë, deri në këtë moment nuk kemi marrë ndonjë përgjigje.
Heshtjet e tilla institucionale, ngrenë pikëpyetje mbi funksionimin e mekanizmave të llogaridhënies në vend dhe përforcon perceptimin se shkeljet e funksionarëve të lartë shpeshherë kalojnë pa pasoja.
Kujtojmë se zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai ditëve të fundit ka vepruar në kundërshtim me atë që përfaqëson, përkatësisht, praktikat e qeverisjes së mirë. Ai përmes emailit të tij zyrtar, në vend se të informojë për zhvillimet në institucionin që ai drejton, ka lëshuar disa herë kumtesa që lidhen me aktivitetet partiake të Aleancës për Shqiptarët nga ku edhe është shkarkuar. Megjithatë ai, sërish thirret në funksionet e njëjta edhe pas shkarkimit, duke dërguar komunikata informative për partinë.
Një mënyrë e tillë e të vepruarit, hap shqetësime serioze për përdorimin e burimeve shtetërore për promovim politik, praktikë që bie ndesh me parimet e qeverisjes së mirë dhe ndarjes së shtetit nga partitë politike.
Përdorimi i emailit zyrtar për komunikime që kanë natyrë partiake dhe jo institucionale, mund të përbëjë shkelje të etikës së administratës publike dhe të normave ligjore për ndarjen e funksioneve shtetërore nga aktivitetet politike.
Disa nga disa emaile partiake të dërguara nga emaili zyrtar i Fetait press.cabinetarbenfetai@gs.gov.mk janë:
- Ju ftojmë të merrni pjesë në konferencën për media të Këshillit Koordinues të Aleancës për Shqiptarët, e cila do të drejtohet nga Kryetari i Kuvendit të ASH-së, njëherit edhe zëvendëskryeministër Arben Fetai.
- Zëvendëskryeministri Arben Fetai, konfirmon mbështetjen nga strukturat rinore të Aleancës për Shqiptarët
-
Kumtesë e Arben Fetai për vendimin e deputetes Mimoza Musa
-
Mesazh për aktivistët dhe përkrahësit e Aleancës për Shqiptarët i Zv.KM Arben Fetai
Redaksia jonë ka dërguar pyetje në kabinetin e zëvendëskryeministrit Fetai, për të sqaruar se:
- Mbi çfarë baze përdoret emaili zyrtar i qeverisë për dërgimin e njoftimeve partiake?
Dy ditë pas dërgimit të kësaj pyetjeje, nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga kabineti i tij.
Sipas standardeve të qeverisjes së mirë, administrata publike duhet të jetë politikisht neutrale, dhe përdorimi i mjeteve publike (si email-et, zyret apo resurset shtetërore) për qëllime partiake, përbën keqpërdorim të pozitës publike zyrtare.
Kodet Etike ndalojnë qartë përzierjen e funksioneve shtetërore me promovimin politik.
Rasti i Fetait nuk është i pari. Edhe në të kaluarën janë hasur shembuj të ngjashëm të keqpërdorimit të burimeve publike për qëllime partiake nga figura të ndryshme politike.
Dikur, ish-zëvendëskryeministri dhe ministri Artan Grubi shfrytëzonte zyrat e ministrisë për të mbajtur aktivitete partiake, ndër të cilat edhe organizime të takimeve të ndryshme partiake të liderit të partisë Ali Ahmeti po në hapësirat e ministrisë.
Zëvendëskryeministrja e atëkohshme Sllavica Gërkovska i dërgoi paralajmërim që të mos i keqpërdor zyrtar e ministrisë për sistem politik, për qëllime dhe aktivitete partiake.
Kabineti i ish-zëvendëskryeministres për krijimin e politikave të mira, Sllavica Gërkovska më herët kishte shqiptuar paralajmërime për shkelje të kodit etik edhe ndaj ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, për të cilin kishte konstatuar se e ka shfrytëzuar veturën zyrtare të ministrisë për aktivitete partiake dhe zgjedhore, ndërsa Komisioni për Anti Korrupsion kishte konstatuar se në Ministrinë e Jashtme nuk kishte as raport dhe evidencë përkatëse për shfrytëzimin edhe të naftës në veturat zyrtare.
Ish-zëvendëskryeministrja Sllavica Gërkovska deklaroi se kodi etik dhe moral për funksionarët në vend nuk luan rol të rëndësishëm. Ajo theksoi se disa funksionarë më të lehtë e kanë të paguajnë gjoba se sa të respektojnë vlerat etike dhe morale në shtet dhe shoqëri.
Kjo tregon për problem sistemik që kërkon reagim të menjëhershëm institucional dhe rishikim të mekanizmave ekzistues të kontrollit dhe transparencës.
Pavarësisht se siç e kanë cekur nga Antikorrupsionit, kryeministri emëron një anëtar të Qeverisë përgjegjës për monitorimin e zbatimit të Kodit nga mbajtësit e funksioneve ekzekutive, duket se ky funksion nuk po bën punën e vet në praktikë, ose është aty sa për sy e faqe.
Në një shoqëri demokratike, përdorimi i burimeve shtetërore duhet të jetë i ndarë qartë nga veprimtaritë partiake. Zyrtarët publikë nuk mund dhe nuk duhet të përdorin pushtetin dhe resurset që u janë besuar për të ndikuar politikisht ose për të përfituar në mënyrë personale apo partiake. Kur shkelje të tilla ndodhin, institucionet përgjegjëse kanë për detyrë të veprojnë shpejt dhe me vendosmëri, për të ruajtur besimin e qytetarëve në qeverisjen e ndershme.