Analizë: Konsultime publike pa ndikim, si institucionet e RMV-së e trajtojnë pjesëmarrjen e qytetarëve si formalitet (I)

Në Maqedoninë e Veriut, konsultimet publike ekzistojnë si mekanizëm ligjor, por në praktikë shpesh mbeten vetëm detyrim formal për institucionet, ndërsa ndikimi real i qytetarëve, organizatave dhe palëve të interesuara në hartimin e ligjeve mbetet i kufizuar. Të dhënat tregojnë se institucionet janë më të prirura të publikojnë informacione sesa të sigurojnë pjesëmarrje reale. Në vitin 2025, mbi 60% e propozim-ligjeve nuk kanë qenë të disponueshme për komentim publik, ndërsa edhe kur qytetarët dhe organizatat komentojnë, institucionet shpesh nuk tregojnë nëse dhe si propozimet e tyre kanë ndikuar në tekstin përfundimtar. Problemi, nuk qëndron vetëm te mungesa e pjesëmarrjes së publikut, por te kultura institucionale që konsultimin publik e sheh si procedurë për t’u përmbushur, e jo si mundësi për të dëgjuar publikun dhe për të hartuar politika e ligje më të mira, shkruan Portalb.mk.

Transparencë e kufizuar

Edhe këtë vit, të dhënat e monitorimit të Indeksit të Hapjes nga Fondacioni Metamorfozis tregojnë se institucionet në përgjithësi janë më të prirura në publikimin e informacioneve bazë sesa në mekanizmat që duhet të mundësojnë llogaridhënie reale dhe pjesëmarrje të qytetarëve.

Për këtë vit, rezultati i përgjithshëm i transparencës së Qeverisë është 75,84%, ministritë janë në pozitën e dytë me 61,13% transparencë, ndërsa organet ekzekutive kanë transparencë mesatare prej 56,87%. Pushteti legjislativ është vlerësuar me 76,49%.

Rezultatet tregojnë se institucionet në vend vazhdojnë të kenë nivel shumë të pabarabartë të transparencës.

“Pra, është më e lehtë të përmbushet detyrimi për të publikuar diçka në ueb-faqe sesa të vendoset praktikë që publiku të konsultohet në kohë, të marrë përgjigje ose të mund të ndjekë mënyrën se si zbatohen politikat”, thotë Marijana Jançeska Ungaroviq nga Metamorfozis.

Ky është viti i dhjetë radhazi që Metamorfozis e zhvillon hulumtimin dhe çdo vit përfshihen 40 institucione: Qeveria, Kuvendi, të gjitha 20 ministritë dhe 18 organe ekzekutive të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme.

Konsultime publike të dobëta

Nga Metamorfozis sqarojnë se ka disa dobësi që përsëriten te grupe të ndryshme institucionesh.

“Te ministritë, për shembull, konsultimet publike janë në nivel shumë të dobët. Te institucionet pothuajse nuk ka plane vjetore të publikuara për konsultime publike, shumë rrallë publikohen raporte nga konsultimet e zhvilluara, ndërsa edhe më rrallë publiku mund të shohë se çfarë ka ndodhur me komentet dhe propozimet që ka dorëzuar”, thotë Jançeska Ungaroviq.

Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ka përmirësime, por ende ka hendek midis transparencës formale dhe thelbësore

Nga Metamorfozis sqarojnë se ka përmirësime reale dhe ato duhet të pranohen, pasi sot shumë më tepër informacione janë të disponueshme online, institucionet përdorin më shumë mjete digjitale, ndërsa te një pjesë e tyre shihen edhe praktika më të mira të transparencës proaktive.

Por Indeksi i Transparencës tregon se ende ekziston hendek mes transparencës formale dhe asaj thelbësore.

“Një institucion mund të ketë ueb-faqe, të publikojë një strategji ose të ketë një procedurë të vendosur formalisht, por kjo në vetvete nuk do të thotë se është realisht transparent. Për ne, transparenca thelbësore është kur qytetari mund ta gjejë lehtësisht informacionin (jo më shumë se tre klikime për të arritur te informacioni), të kuptojë se si merret vendimi, të marrë pjesë para se ai të merret, të marrë një shpjegim se çfarë ka ndodhur me propozimin e tij dhe më pas të shohë çfarë rezultati ka dhënë vendimi. Pikërisht në këtë pjesë ende ka shumë hapësirë për përmirësim”, tha Marijana Jançeska Ungaroviq.

ENER dhe VNR si mjet për transparencë dhe konsultime, sa dhe si (nuk) funksionojnë?

Përpara se të sqarojmë se si funksionon në praktikë ENER dhe VNR, fillimisht le të ndalemi të shohim se çfarë nënkuptojnë në praktikë secila prej tyre.

Çfarë është ENER-i?

Regjistri i Vetëm Nacional Elektronik i rregulloreve (ENER) përfaqëson sistem elektronik i cili përveç rregullave aktuale në republikën e Maqedonisë së Veriut përmban edhe: njoftimet për fillimin e procesit të përgatitjes së propozim-ligjeve, raport për Vlerësimin e Ndikimit të Rregullores (VNR), propozim-ligje dhe lloje të tjera të dokumenteve (strategji, plane veprimi, metodologji etj) të ministrive në fazën përgatitore, tekste të korrigjuara të ligjeve, iniciativa të paraqitura për dispozita të veçanta ligjore ose propozime të përgjithshme, komente, qëndrime dhe mendime nga palët e interesuara për propozim-ligje specifike, lloje të tjera të dokumenteve (strategji, plane veprimi, metodologji etj) dhe iniciativa.

Për çka përdoret ENER-i?

Ai përdoret për informim elektronik të qytetarëve, organizatave joqeveritare, subjekteve biznesore dhe ministrive për zbatimin e procesit të Vlerësimit të Ndikimit të Rregullores (VNR); për përfshirjen e publikut në përmirësimin e përmbajtjes së propozim ligjeve dhe llojeve të tjera të dokumenteve të Qeverisë (strategji, plane veprimi, metodologji etj) kur krijohen ato, duke paraqitur komente dhe sugjerime; për paraqitje elektronike të iniciativave me propozime për politika të cilat i referohen rregullave ligjore konkrete ose propozimeve të përgjithshme; për debate tematike të cilat janë të rëndësishme për ministritë si dhe për qytetarët në procesin e krijimit të politikave.

Kush udhëheq me ENER-in?

Ueb-portalin e mirëmban dhe rregullon Ministria e Administratës Publike në emër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ndërsa të gjitha ministritë rregullisht përditësojnë dhe publikojnë propozim ligje, akte nënligjore dhe lloje të tjera të dokumenteve (strategji, plane veprimi, metodologji etj.) në kompetencat e tyre si dhe dokumente që rezultojnë nga procesi i VNR-së.

Foto: Printscreen nga ueb-faqja e ENER

Çfarë është VNR dhe pse është e rëndësishme?

Vlerësimi i ndikimit të rregullores (VNR) paraqet pjesë integrale në procesin e hartimit të ligjeve. Qëllimi kryesor i procesit të VNR-së është t’u sigurojë ministrive dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të marrin informacione të sakta mbi efektet nga mënyrat e mundshme për zgjidhjen e çështjeve dhe mbi propozimin e mënyrës për arritjen e qëllimit, për arsye të së cilës propozohet Propozim-Ligji.

Procesi përfshin përcaktimin e problemeve dhe qëllimeve, zbatimin e analizave dhe konsultimet me palët e interesuara (administrata shtetërore, qytetarët, organizatat joqeveritare dhe komuniteti i biznesit).

Sa (nuk) respektohen ENER dhe VNR në praktikë, ja çfarë thonë statistikat për dy vitet e fundit

Në bazë të të dhënave për vitin 2025 nga Raporti vjetor për zbatimin e procesit të Vlerësimit të Ndikimit të Rregullativës (VNR) për vitin 2025 i Ministrisë së Administratës Publike, vërehet zbatim jo i plotë i VNR-së.

Nga 74 ligje të miratuara që i nënshtrohen VNR-së, vetëm 54% i janë dorëzuar Qeverisë me raporte përkatëse për VNR, gjë që tregon se një pjesë e ligjeve i dorëzohen Qeverisë pa analizë përkatëse të ndikimit të tyre.

Gjithashtu, transparenca e pamjaftueshme vërehet përmes përqindjes së ulët (36,5%) të dokumenteve të publikuara në ENER, që njëkohësisht tregon mundësi të kufizuar për konsultim me palët e interesuara, më shumë se 63,5% e propozim-ligjeve nuk kanë qenë të disponueshme për komentim publik brenda afatit minimal prej 30 ditësh në ENER.

Përveç kësaj, vetëm 32,4% e Draft-Raporteve për VNR i janë dërguar Ministrisë së Administratës Publike për mendim, që përfaqëson respektim të pamjaftueshëm të procedurave të përcaktuara në Rregulloren e punës së Qeverisë.

Lidhur me respektimin e procesit të konsultimeve në ENER në vitin 2025, të dhënat tregojnë praktika të ndryshme të ministrive lidhur me publikimin e propozim-ligjeve dhe raporteve për VNR në ENER.

Të dhënat tregojnë se Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e respektojnë në tërësi procedurën e publikimit në ENER, ndërsa Ministria e Financave, Ministria e Transportit dhe Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë kanë numrin më të madh të dokumenteve të papublikuara në ENER.

Kjo gjendje tregon nevojën për avancimin e praktikave të ministrive për realizimin e konsultimeve në kohë, me qëllim sigurimin e gjithëpërfshirjes në procesin e përgatitjes së ligjeve.

Në tabelën më poshtë mund të shihen të dhëna krahasuese për ENER-in dhe VNR-në ndër vite.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Këto gjetje janë pasqyruar edhe në Raportin vjetor të Monitorimit të ENER-it për vitin 2025 nga Qendra Qytetare Burimore.

Ngecje edhe në 2024, ministritë nuk e respektojnë rregulloren

Në raportin vjetor të monitorimit të ENER-it për vitin 2024 nga Qendra Qytetare Burimore ku jepet pasqyrë e pjesëmarrjes së publikut në proceset e përgatitjes së ligjeve, theksohet se edhe pse ministritë janë të detyruara t’i publikojnë në ENER të gjitha propozim-ligjet që miratohen me procedurë të rregullt ose të shkurtuar, ato nuk e kanë respektuar plotësisht Rregulloren e punës së Qeverisë.

Në vitin 2024, nga Qeveria në Kuvend janë dorëzuar gjithsej 101 propozim-ligje për të cilat kishte detyrim që të vendoseshin në ENER, ndërsa vetëm për 34,65% ishte publikuar teksti i draft-ligjit në ENER.

Raporti thekson se ka përkeqësim të gjendjes sa i përket publikimit të propozim-ligjeve në ENER në krahasim me vitet paraprak, ndërsa se ekziston interes i moderuar i publikut për komentim.

Megjithatë, ministritë rrallë japin përgjigje ndaj komenteve në ENER. Gjatë periudhës së monitorimit, ministritë publikuan 50 përgjigje në ENER ndaj gjithsej 143 komenteve të vendosura, por këto komente në përqindjen më të madhe janë njoftime se propozimet do të shqyrtohen.

Më tej nënvizohet se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk zhvillon proces konsultativ për propozim-ligjet që propozohen nga deputetët dhe propozuesit e autorizuar të ligjeve.

“Nga gjithsej 314 ligje të propozuara, 105 ligje, ose 33% e numrit të përgjithshëm, janë propozuar nga deputetët. Për një përqindje të konsiderueshme të propozim-ligjeve pamundësohet konsultimi i tyre me palët e prekura dhe ato i nënshtrohen ekskluzivisht procedurës legjislative për miratimin e ligjeve”, thuhet në raport.

Raportet rekomandojnë që në periudhën e ardhshme, vërejtjet e konstatuara të përmirësohen.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Shumica e ligjeve në Kuvend kalojnë pa debat publik

Ligjet që propozohen nga deputetët nuk publikohen në ENER, ndërsa debati publik për to zhvillohet në komisionet parlamentare. Nëse nuk ka presion nga publiku ose qëndrime diametralisht të kundërta mes pushtetit dhe opozitës, mund të mos ketë fare debat publik.

Nga viti 2021 deri në 2025 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut janë miratuar gjithsej 476 ligje me procedurë të shkurtuar, ndërsa të njëjtën periudhë, në Kuvend janë mbajtur vetëm 39 debate publike.

“Futja eventuale e mekanizmave shtesë për konsultime publike edhe për ligjet e propozuara nga deputetët do të kërkonte pëlqim politik dhe ndryshime përkatëse në kuadrin aktual ligjor dhe rregullativ”, thanë nga Kuvendi i RMV-së.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Metamorfozis: VNR-ja shembull pozitiv, por çalon në praktikë

Nga Fondacioni Metamorfozis e përmendin si shembull të mirë Vlerësimin e Ndikimit të Rregullativës (VNR), ku ka metodologji dhe procedurë të vendosur, por të dhënat tregojnë se raportet për VNR-në nuk publikohen në mënyrë të qëndrueshme në ueb-faqet e ministrive.

“Pra, sfida tashmë nuk është vetëm miratimi i një rregulli, por zbatimi i tij në mënyrë të qëndrueshme dhe bërja e dukshme për publikun e rezultatit të zbatimit të tij”, thanë nga Metamorfozis.

Për shkak të ridizajnimit dhe migrimit të ueb-faqeve të ministrive, periudhën e fundit ka pasur vështirësi në qasjen e raporteve, megjithatë raportet tani janë të qasshme në ueb-faqen e Ministrisë së Administratës Publike.

Përveç raporteve vjetore për VNR-në, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë përgatit edhe raporte vjetore për procesin e konsultimeve gjatë përgatitjes së propozim-ligjeve dhe strategjive, përdorimin e ENER-it dhe mekanizmave të tjerë për bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile.

Ministria e Administratës Publike i tha Portalbit se të dhënat për numrin e komenteve të dorëzuara dhe numrin e përgjigjeve nga ana e institucioneve përmbahen në raportet vjetore për procesin e konsultimeve gjatë përgatitjes së propozim-ligjeve dhe strategjive, përdorimin e ENER-it dhe mekanizmave të tjerë për bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, të cilat i përgatit Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Por të pyetur për detaje rreth kësaj teme, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske. Kujtojmë se së fundmi Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë të Maqedonisë (SPGM) reagoi se po shfaqet praktikë në të cilën Qeveria sistematikisht refuzon t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve dhe kufizon qasjen në informacione me interes publik.

Në pjesën e dytë të kësaj analize do të sjellim në detaje qëndrimet dhe vlerësimet e përfaqësuesve të sektorit joqeveritar, akademisë dhe Ministrisë së Administratës Publike mbi mënyrën se si zhvillohen konsultimet publike gjatë hartimit të ligjeve dhe politikave.

Përgatitja e këtij teksti është realizuar në kuadër të projektit “Përdorimi i mediave të reja për promovimin e transparencës qeveritare”, i financuar nga Fondi Kombëtar për Demokraci (NED) dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis.

Administrata ShtetëroreDebat publikFondacioni Metamorfozis (Metamorphosis)Ministria e Administratës Publike (MAP)Parlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutQeveria e Maqedonisë së VeriutReforma në administratëTransparencë institucionale