Më 4 mars Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive e shpalli thirrjen publike për këtë vit për financimin e shoqatave dhe fondacioneve. Tre muaj më vonë Qeveria e konfirmoi vendimin se cilat organizata do të ndajnë rreth 290.000 euro të ndara nga nënprogrami për promovimin e marrëdhënieve ndëretnike, shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.
Mbështetje fituan 36 organizata. Procesi i sivjetshëm filloi dhe përfundoi gjatë mandatit të ministrit të atëhershëm, Ivan Stoillkoviq.
Duke e shfrytëzuar Ligjin për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik 360 Gradë kërkoi dhe mori dokumente për një pjesë të projekteve të mbështetura. Verifikuan se kush qëndron pas organizatave dhe çfarë aktivitetesh më saktësisht do të realizojnë ato me para nga shteti.
Nëse shihet lista e sivjetshme e fituesve të parave nga Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive nuk është ndonjë çudi që numri më i madh i tyre janë nga Shkupi.
Nga 36 organizata të mbështetura 20 i kanë selitë në kryeqytet. Por, ajo që bie në sy është se të dytat për nga numri dhe dukshëm para të tjerave janë organizatat nga Kumanova. Ato kanë fituar 5 projekte. Sa për krahasim Manastiri ka 3, Tetova dhe Strumica nga 2, ndërsa nga Kërçova, Shtipi, Dibra dhe Dellçeva është mbështetur vetëm nga 1 organizatë.
Kumanova është qyteti i lindjes i Ivan Stoillkoviqit, njeriut që ishte në krye të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në kohën e ndarjes së mjeteve. Kjo ishte edhe shkak që u shqyrtuan më detajisht organizatat kumanovare.
Një nga fituesit është qendra mediatike-informative SRBI.MK, Kumanovë. Kjo shoqatë është themeluar në vitin 2024. Projekti i tyre mban titullin “Urat e gjuhës dhe kulturës“, ndërsa kanë shkruar se qëllimi i organizatës është ruajtja, promovimi dhe avancimi i gjuhës, kulturës dhe traditës serbe përmes përfshirjes aktive të të rinjve. Kanë shtuar se këtë do ta arrinin përmes tribunave, si dhe vizitave dhe punëtorive në 5 shkolla fillore dhe të mesme në Rajonin planor verilindor ku zhvillohet mësimi në gjuhën serbe.
“Rezultatet dhe përmbajtjet nga aktivitetet do të publikohen në portalin e shoqatës, gjë që do të mundësojë qasje më të gjerë, dukshmëri dhe ndikim afatgjatë“, thuhet në propozim-projektin.
Deri në botimin e kësaj storje në portalin në fjalë nuk u gjetën publikime të tilla.
“Për shkak të problemeve teknike dhe sepse projekti është në vijim e sipër ende nuk i kemi publikuar aktivitetet, gjë që në afat sa më të shkurtër do të përmirësohet dhe publikohet, e nëse keni nevojë mund t’ju dërgoj foto. Po mundohemi maksimalisht që i gjithë projekti të realizohet në mënyrën më profesionale, për çka jam e bindur se do ta tregojë raporti përfundimtar“, tha Merima Tushevska nga QMI “Srbi.mk“.
Në uebfaqe nuk kanë të publikuar as impresum, ndërsa në të dhënat e qasshme përmes Regjistrit Qendror ka një e-mail ku përmendet mbiemri Triçkoviq. Sa i përket pjesëmarrësve në shoqatë deri në muajin mars të këtij viti si pronar ka figuruar Mirosllav Triçkoviq. Bëhet fjalë për drejtorin e tanishëm të Drejtorisë për Zhvillim dhe Avancim të Arsimit në Gjuhët e Pjesëtarëve të Bashkësive – organ në përbërje të Ministrisë nga ku “Srbi.mk“ ka marrë mbështetje financiare. E pyetëm Triçkoviqin nëse kjo do të thotë se përderisa është drejtor në të njëjtën kohë përmes “Srbi.mk“ aplikon për projekt nga ministria përkatëse dhe deri kur më saktësisht ka qenë aktiv atje?
“Apsolutisht, nën përgjegjësi të plotë materiale dhe penale, deklaroj se në kohën e thirrjes publike në fjalë nuk kam qenë pjesë e shoqatës së përmendur dhe se nuk kam nënshkruar asnjë aplikim apo kam marrë pjesë në të“, tha Triçkoviq.
ShKA “Srpski vez“ Kumanovë ka marrë 8 mijë euro për promovimin e pasurisë së diversitetit përmes traditës dhe zakoneve, ndërsa projekti u referohet të rinjve pjesëtarë të bashkësive nën 20% nga Komuna e Kumanovës dhe më gjerë. Janë paraparë punëtori për punimin e veshjeve kombëtare, suvenireve dhe zbukurimeve, si dhe për njohjen me vallet popullore dhe muzikën e bashkësive. Është paraparë edhe ekspozitë dhe koncert. Këtë verë hapësirat e tyre në Kumanovë ishin cak i një sulmi vandalësh. Për rastin në fjalë video ka publikuar pikërisht ministri Stoillkoviq, i cili tha se hapësirat me të vërtetë ishin dëmtuar, ndërsa në mure ishin shkruar mbishkrime UÇK.
Nga publikimet e tyre në Facebook nuk mund të konkludohet se çfarë dhe sa kanë realizuar nga projekti, prandaj iu drejtuam me pyetje.
“Një pjesë e aktiviteteve të parapara tashmë janë realizuar dhe janë ndjekur nga mediat nga ana e mediave lokale. Pjesa tjetër e aktiviteteve të planifikuara janë ende në vijim e sipër dhe do të realizohen në periudhën e ardhshme. Aktiviteti përfundimtar është planifikuar për më 4 nëntor të vitit 2026, me ç’rast edhe i njëjti do të ndiqet nga mediat, me qëllim promovimin shtesë të projektit, aktiviteteve të tij dhe rezultateve të arrira“, thanë nga ShKA “Srpski vez“ Kumanovë.
Duke kërkuar nëpër të dhënat e qasshme publikisht ndeshëm edhe në një emër tjetër të njohur. Deri në mars të vitit 2025 person i autorizuar në ShKA “Srpski vez“ ka qenë drejtori i tanishëm i Agjencisë për Realizimin e Të Drejtave të Bashkësive, Dalibor Kitanoviq, ndërsa shoqëria ka marrë para për projekt nga ministria përkatëse edhe në thirrjen e vitit të kaluar në qershor – vetëm disa muaj pas tërheqjes së tij.
“Pas emërimit tim në funksion publik u desh që një periudhë e caktuar kohe ShKA ‘Srpski vez’ të gjente zëvendësim përkatës dhe të zbatonte procedurë adekuate në kuadër të shoqatës. Shumë shpejt pas kësaj u mbajt Kuvendi i ShKA ‘Srpski vez’, në të cilin si kryetar i ri u zgjodh Marko Mlladenovski… Tërheqja ime nga funksioni në ShKA ‘Srpski vez’ ishte rezultat i nevojës për ndarjen e funksionit publik nga angazhimi në shoqatë, e jo për ndonjë motiv të çfarëdoshëm të lidhur me mbështetjen financiare nga Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive“, tha Dalibor Kitanoviq, drejtor i Agjencisë për Realizimin e Të Drejtave të Bashkësive.
Tashmë ka përfunduar edhe projekti “E ardhmja digjitale për të rinjtë e Kumanovës“, bartës i të cilit është Instituti – Pulsi i Demokracisë. Ishin paraparë trajnime, analizë profesionale, ndërsa në kuadër të projektit u realizuan edhe podkaste.
Themelues i organizatës është Enver Salihi, ish-anëtar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nga radhët e Lëvizjes BESA, e cila tani është pjesë e koalicionit qeverisës VLEN. Duke e pasur parasysh funksionin e tij të mëparshëm, e pyetëm Salihin – a ka ndikuar karriera e tij e kaluar politike dhe lidhja me BESA-n që shoqata e tij të marrë para nga shteti?
“Projekti është realizuar plotësisht dhe janë zbatuar të gjitha aktivitet e parapara. Në kuadër të aktivitetit kryesor në vend të pesë të planifikuarave realizuam gjashtë podkast-episode. Sa i përket angazhimit tim politik dëshiroj të theksoj se pas përfundimit të mandatit tim në KShZ në janar të vitit 2021 i jam përkushtuar plotësisht punës në sektorin joqeveritar dhe studimeve të doktoraturës. Përkushtimi ynë dhe aktivitetet e realizuara janë të dukshme edhe përmes publikimeve në rrjetet tona sociale“, tha Salihi.
Nuk janë nga Kumanova, por elemente të një lidhjeje të mundshme me pushtetin mund të vihen re edhe te dy projekte të tjera. “Fol që të shoh kush je“ – është titulli i projektit të Bashkësisë Serbe në Maqedoni nga Shkupi. Grup i synuar janë nxënësit, ndërsa në mesin e aktiviteteve kanë tre punëtori verore, si edhe dy të tjera të përkushtuara për veprat e Branisllav Nushiçit dhe Ivo Andriqit, si dhe orë të të folurit bukur në gjuhën serbe. Është cekur edhe përgatitja e një reviste digjitale për nxënësit në gjuhën serbe. Gjatë muajve të kaluar në faqen e tyre në Facebook flitet shumë pak për aktivitetet e tyre në kuadër të projektit, por rregullisht publikojnë komente politike.
Këtë verë, portali “expres.mk“ publikoi qëndrim të Këshillit të tyre Rajonal – Kumanovë, në të cilin kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçe, e quajtën “vjellësirë politike“, “monstër shpirtëror“ e të ngjashme. Reagimi erdhi si pasojë e akuzave të LSDM-së se Stoilkoviqi i mbron interesat ruse në një vend anëtar të NATO-s. Korrespondenca nxiti reagime nga partitë opozitare nga Serbia – se qëndrimi i shoqatës nuk është qëndrim i popullit serb, por tentative për mbrojtjen e pozitës së Stoilkoviqit. Në këtë u kundërpërgjigj kryetarja e OJQ-së, Gordana Joviq Stojkovska.
“Ivan Stoillkoviqi nuk do të ishte ky që është dhe ku është po të mos e mbështeste një numër i madh serbësh në Maqedoni. Bashkësia Serbe në Maqedoni qëndron plotësisht prapa adresimit të përmendur, përfshirë edhe tonin e tij“, shkroi Joviq–Stojkovska.
U pyetën se çfarë dhe sa kanë realizuar nga projekti dhe nëse favorizimi politik i Stoillkoviqit nga ana e tyre ka pasur ndikim që ta fitojnë projektin? Kontaktuam me ta, por në fund nuk morëm përgjigje zyrtare.
Vetëm podkaste janë paraparë edhe me projektin e Forumit Rinor për Bashkëpunim – Shkup. Në projekt thuhet se bëhet fjalë për koncept-podkast origjinal të luftëtarëve me përvojë kundër korrupsionit, autorit të projektit Oliver Romevski dhe aktorit Sasho Tasevski.
“Në momentin e aplikimit ndoshta e kemi momentin më të përshtatshëm dhe më të mirë politik për luftë kundër korrupsionit. Asnjë Qeveri nuk ka dhënë impuls të tillë të fuqishëm demokratik të autopërgjegjësisë dhe autokritikës, por edhe përkushtim direkt e të padyshimtë për tu përballë me korrupsionin si e keqja më e madhe e shoqërisë në Maqedoni“, thuhet në propozim-projektin e tyre.
Podkastet po realizohen me dinamikën e paraparë. Në to shkruan se kush i mbështet. Romevski është ish-drejtor i Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPH). Në këtë pozitë erdhi si kuadër i GROM-it të Stevço Jakimovskit, që atëkohë ishte në koalicion me VMRO-DPMNE-në. Por, ai ka përvojë të pasur edhe në sektorin joqeveritar. Duke parasysh se është i mendimit se asnjë qeveri nuk i është përkushtuar luftës kundër korrupsionit si kjo aktualja, siç edhe ka shënuar në propozim-projekt, e pyetëm se sa ka luajtur rol preferenca politike për marrjen e mbështetjes? Ai thotë, aspak.
“Nëse merret parasysh se Shoqata Forumi Rinor për Bashkëpunim ekziston që nga viti 2001, se deri më tani ka realizuar 28 projekte, se ka qenë e financuar nga BE, e menaxhuar nga Banka Botërore, se të gjitha revizionet dhe kontrollet flasin për një punë të shkëlqyer, se deri më tani ka realizuar pesë projekte ku pika kryesore ka qenë lufta kundër korrupsionit, se ka marrë Fletëfalënderim nga USAID dhe se në fund të fundit me vlerësimin nga komisioni i Ministrisë kemi qenë të 27-tët nga 30 të miratuarit, atëherë pyetja juaj është e pabazë! E sa i përket asaj nëse Qeveria ka dhënë impuls të fuqishëm demokratik, autokritikë dhe përkushtim të padyshimtë, anëtarët e Forumit Rinor për Bashkëpunim që e shkruan dhe e konceptuan projektin përsëri thonë apsolutisht PO, gjë që nga ana tjetër nuk do të thotë se në kuadër të podkastit nuk e kritikojmë po atë Qeveri dhe anëtarët e saj për lëshime të caktuara, papërputhshmëri dhe korrupsion potencial që zbardhet nga të ftuarit tanë. Nuk kursehet askush!“, u përgjigj Romevski.
Si pikërisht këto dhe të tjerat, gjithsej 36 organizata joqeveritare, kanë marrë mbështetje? U pyet edhe Ivan Stoillkoviqin, i cili në kohën kur janë ndarë mjetet ishte në krye të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive. Tani, ai është ministër i vetëqeverisjes lokale.
“Në lidhje me thirrjen publike për financimin e shoqatave dhe fondacioneve për vitin 2026 theksoj se vendimi për ndarjen e mjeteve ka kaluar përmes Komisionit të përbërë nga përfaqësues të shtatë ministrive dhe sektorit joqeveritar në kuadër të Qeverisë (Këshilli për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile). Ata e bëjnë eliminimin, ndërsa te ministri përkatës vijnë vlerësimet përmbledhëse, pas çka unë vura nënshkrimin tim për më mirë të ranguarit, që do të thotë se nuk do kisha mundur të ndikoja tek vendimmarrja“, tha Stoillkoviq.
Sa i përket faktit se në listë ka 5 shoqata me parashtesë serbe, ai tha:
“Shoqatat serbe nuk janë të vetmet që kanë marrë mbështetje financiare, as nuk janë aq sa përmendet në publik. Në lidhje me të tjerët që veprojnë në fusha të ndryshme, shikoni projektet dhe thirrjen dhe vlerësoni se si kanë marrë mbështetje“, shtoi ai.
Ka edhe baza të tjera për shkak të të cilave lista e fituesve është e përshtatshme për analizë.
Për shembull, siç shkruan edhe në vendimin e qeverisë, paratë ndahen nga nënprogrami 11 – për promovimin e marrëdhënieve ndëretnike. Ndërsa mes projekteve ka të tillë që sipas përshkrimit nuk kanë asgjë të përbashkët me marrëdhëniet ndërmjet bashkësive. Për shembull, shoqatës “Zllatni angeli (Engjujt e artë)“ i janë ndarë para për shtrat terapeutik, kolltuk për masazh për fëmijët me paralizë cerebrale, si dhe seanca terapeutike e edukative dhe aktivitete grupore. Shoqata e të sëmurëve nga veshkët “Nefron“ ka marrë para për zhvillimin e kulturës së dhurimit të organeve dhe transplantimit. Por, mes qëllimeve prioritare të numëruara në thirrjen për mbështetje financiare, përveç barazisë dhe mosdiskriminimit, janë numëruar edhe aktivitete si – përmirësimi i kohezionit social dhe ndërtimi i një shoqërie inkluzive.
“Kjo pyetje na kthen te bojkoti i Këshillit për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile, gjegjësisht në vitin 2022 u vendos – Qeveria e atëhershme vendosi – t’i ndërpresë mjetet që ndaheshin nga Sekretariati i Përgjithshëm dhe t’i kalojë në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive. Edhe atëherë kuptohet, pa konsultime, pa argumentim mjaftueshëm të mirë se pse mjetet që për më shumë se dhjetë vjet ndaheshin nga Sekretariati i Përgjithshëm po transferohen në një ministri shumë të specializuar të lidhur me avancimin e bashkësive etnike në Maqedoni“, kujton Aleksandra Savevska nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN).
Me Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive atëkohë udhëhiqte Artan Grubi. Në kohën e tij mediat zbuluan se para nga programi merrnin edhe organizata joqeveritare të themeluara nga njerëz të afërt me BDI-në, të emëruar apo të punësuar në institucione shtetërore dhe lokale.
Këshilli për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile atëherë e bojkotoi punën e tij gjatë ndarjes së mjeteve, ndërsa u rikthye vitin e kaluar. Por, për dallim nga ajo që pretendon Stoillkoviqi, nga QMBN thonë se këtë vit Këshilli përsëri nuk ka marrë pjesë në proces.
“Këtë vit Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dërgoi shkresë pranë Këshillit me të cilën i informon se në fillim të vitit do të zbatohet thirrje dhe se do të ketë konkurs publik, ka lënë hapësirë për komentimin e këtyre prioriteteve që i ka përcaktuar në programin për financim dhe ka kërkuar që Këshilli të përfshihet si anëtar aktiv në Komisionin e Vlerësimit me të drejtë vote. Mirëpo, të udhëhequr nga përvoja e vitit 2025 Këshilli ka sjellë vendim se nuk do të mbështesin një proces pro-formë i cili nuk do t’i respektojë proceset për ndarje transparente dhe korrekte të mjeteve, por kanë kërkuar të kenë vetëm rol vëzhgues. Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive nuk është përgjigjur në këtë kërkesë dhe e dimë se e ka zbatuar procesin pa përfshirjen e tyre. Ata nuk kanë marrë pjesë fare“, tha Savevska nga QMBN, organizatë që ka përfaqësuesin e saj në Këshill.
Të gjitha shoqatat që kanë marrë para janë të obliguara të dorëzojnë raporte përfundimtare me përshkrim të aktiviteteve dhe dinamikës me të cilën janë realizuar, si dhe vlerësim për rezultatet e arritura.