Në rrugën “Zhikica Ivanovski – Shpanac”, e cila lidh dy arteriet kryesore të qytetit, “Tode Mendoll” dhe “Dr. Ribar”, ndriçimi publik nuk funksionon prej disa javësh. Banorët ankohen për errësirën dhe kërkojnë nga institucionet ndërhyrje sa më të shpejtë për zgjidhjen e problemit. Komuna e Komunaovës përgjegjësinë ia hedh kompanisë private që e mirëmban rrjetin, e cila njoftoi për Portalb.mk se këtë javë do të ndërhyjnë.
Qytetarët kanë ngritur shqetësime për mungesën e ndriçimit, veçanërisht në orët e mbrëmjes, duke theksuar se rrugët e pandriçuara vështirësojnë qarkullimin dhe krijojnë pasiguri për banorët dhe kalimtarët.
Jeton Ismaili, banor i Kumanovës për Portalb.mk tha se mungesa e ndriçimit publik është veçanërisht shqetësuese gjatë natës, pasi rrugët e errëta vështirësojnë lëvizjen dhe mund të paraqesin rrezik për këmbësorët.
“Gjatë natës është rrezik të dalësh dhe të ecësh në këmbë, sepse nuk mund të shohësh asgjë. Tani, me shkurtimin e ditës, situata do të jetë edhe më shqetësuese. Fëmijët dalin nga shkolla kur tashmë është errët dhe duhet të kalojnë nëpër rrugë të pandriçuara. Përveç qenve endacakë, ekziston edhe rreziku që të lëndohen, pasi në errësirë nuk mund të shohin se ku shkelin”, tha Ismaili.
Ai kërkoi që institucionet dhe shërbimet përgjegjëse të ndërhyjnë sa më shpejt dhe të rikthejnë ndriçimin në rrugët ku ai mungon.
Bunjamin Osmani, tjetër banor i lagjes, tha se zakonisht del për të ecur pas përfundimit të orarit të punës, por mungesa e ndriçimit publik siç shprehet ai, e ia vështirëson lëvizjen.
“Si për këmbësorët, ashtu edhe për veturat, është e vështirë të lëvizësh në rrugët ku mungon ndriçimi. Do të bëja thirrje që problemi të zgjidhet sa më shpejt dhe të mundësohet lëvizje më e sigurt”, tha Osmani.
Portalb.mk iu drejtua Komunës së Kumanovës se pse ndriçimi publik në këto rrugë nuk punon prej disa javëve dhe pse nuk kanë ndërhyrë. Por nga komuna theksuan se mirëmbajtja dhe zgjerimi i rrjetit të ndriçimit publik është përgjegjësi e partnerit privat të komunës, ICS Sistem Servis, i cili, sipas tyre, ka vendosur tre numra telefoni për raportimin e defekteve.
“Defektet mund të raportohen gjatë 24 orëve, pasi numrat e telefonit janë të lidhur me një aparat zanor (‘telefon sekretare’), i cili pas thirrjes jep udhëzime. Pas sinjalit mund të raportohet se ku ndodhet defekti, përkatësisht numri i ndriçuesit ose adresa e shtyllës”, thonë nga Komuna e Kumanovës.
Nga aty u bëjnë thirrje qytetarëve se në rast kur ndonjë defekt është raportuar në mënyrë të rregullt dhe nuk është intervenuar, të drejtohen në hapsirat e komunës.
“Defekti do të raportohet edhe nga ana jonë dhe do të kërkohen të dhëna për arsyen se pse nuk është vepruar”, theksojnë nga komuna.
Nga kompania ICS Sistem Servis, për Portalb.mk theksuan se brenda kësaj jave do të intervenojnë dhe ta rregullojnë ndriçimin përgjatë kësaj rruge. Nga atje shtuan se për problemin në këtë rrugë kanë marrë njoftim dhe ekipet e tyre do të ndërhyjnë për ta sanuar brenda afatit të paraparë.
“Në momentin kur marrim njoftim nga qytetarët për mosfunksionimin e ndriçimit publik, ekipet tona brenda dy-tre dite do të dalin në terren për t’i sanuar problemet. Qytetarët duhet të njoftojnë përmes emrit të rrugës dhe numrit të shtylles që ekipet tona të dalin në terren për ta zgjidhur problemin”, thonë nga ICS Sistem Servis.
Për raportimin e defekteve në ndriçimin publik janë në dispozicion numrat:
- 0800-88-0-88
- 031-380-390
- 070-38-28-00
Ndryshe, ndriçimi publik dhe funksionalizimi i saj në të gjithë qytetin ka qenë edhe premtim i kryetarit aktual të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski në zgjedhjet e fundit lokale.