Në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë (GAK) në periudhën nga 1 janari deri më 31 tetor 2026, janë kryer 3,266 lindje dhe kanë lindur 3,216 të porsalindur të gjallë, nga të cilët 610 ose 19 përqind ishin të parakohshëm, raporton SDK, përcjell Portalb.mk. Përqindja më e lartë krahasuar me mesataren shtetërore rezulton nga fakti se Klinika është një qendër terciare kombëtare ku referohen shtatzënitë me rrezik të lartë nga e gjithë vendi, tha sot drejtoresha, Prof. Dr. Irena Aleksioska-Papestiev.
Numri i lindjeve të parakohshme në GAK është rritur nga 14 përqind në 19 përqind, duke pasur parasysh se këto shtatzëni me rrezik të lartë janë të përqendruara, tha ajo, duke shtuar se ata kanë arritur të ulin vdekshmërinë perinatale.
“Më shumë se 90 përqind e foshnjave nën 32 javë shtatzënie trajtohen në Klinikë dhe ne kemi një kontribut të madh në këtë sukses”, tha ajo.
Drejtoresha kujtoi se në fillim të këtij viti, UNICEF dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në një raport e nxorën në pah Maqedoninë si një vend që ka ulur me sukses vdekshmërinë perinatale, me 87 përqind në dekadën e fundit, që është një sukses i madh për kujdesin shëndetësor maqedonas, me njohje ndërkombëtare.