Ekonomia e RMV-së sipas KE-së: Ka rritje por me dobësi të pazgjidhura, reformat po vonohen

Ekonomia e Maqedonisë së Veriut shënoi rritje në vitin 2025, por reformat për menaxhimin e financave publike, formalizimin e ekonomisë dhe përmirësimin e kushteve për biznes vazhdojnë të zvarriten. Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të këtij viti vlerëson se vendi ka bërë përparim të kufizuar në zhvillimin e ekonomisë funksionale të tregut, ndërsa rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht. Investimet publike përballen me menaxhim të dobët, institucionet mbikëqyrëse me mungesë kapacitetesh dhe tregu i punës me probleme strukturore, shkruan Portalb.mk.

BPV-ja reale u rrit me 3,5% në vitin 2025, e nxitur nga investimet dhe konsumi privat. Kjo rritje tejkaloi mesataren prej 3,2% të periudhës 2021–2024. Megjithatë, inflacioni u rrit sërish nën ndikimin e presioneve të brendshme dhe ndërkombëtare mbi çmimet.

Deficiti fiskal u ul sipas planit, por struktura e shpenzimeve u përkeqësua. Me rishikimin e buxhetit, mjete të planifikuara për investime kapitale u zhvendosën drejt shpenzimeve rrjedhëse. Ndërkohë, kostot për pensionet u rritën përmes vendimeve të posaçme në shtator 2025 dhe mars 2026.

Reformat buxhetore shtyhen, Këshilli Fiskal mbetet me kapacitete të kufizuara

Zbatimi i plotë i Ligjit për buxhetet u shty për në vitin 2028, ndërsa kufizimi i deficitit në 3% të BPV-së u shty nga viti 2027 në vitin 2028. Vonesat në platformën informatike që mbështet ligjin po bllokojnë edhe reformat përkatëse fiskale.

“Këshilli Fiskal vazhdon të ketë mungesë personeli dhe financimi. Projektligji për partneritetet publiko-private ende nuk është miratuar”, thuhet në raport.

Në kuadër të Agjendës së Reformave, deri në qershor 2026 Komisioni kishte disbursuar 142,1 milionë euro, përfshirë parafinancimin. Vendi kishte realizuar 22 nga 136 hapat e planifikuar, ndërsa zbatimi i udhëzimeve nga Dialogu Ekonomik dhe Financiar ishte më i dobët se një vit më parë.

Ekonomia joformale dhe emigrimi pengojnë zhvillimin

Sipas vlerësimeve të cituara në raport, ekonomia joformale përbën rreth 38% të BPV-së dhe shtrembëron konkurrencën. Punësimi joformal arriti në 14,5% të punësimit të përgjithshëm në tremujorin e dytë të vitit 2026, duke shënuar rritje krahasuar me një vit më parë.

“Zbatimi i Strategjisë dhe i Planit të Veprimit për Formalizimin e Ekonomisë Joformale është vonuar ndjeshëm, pjesërisht për shkak të riorganizimit të përgjegjësive brenda qeverisë”, vëren KE-ja.

Megjithëse inspektimet për punëtorët dhe bizneset e paregjistruara u shtuan me mbi 20% krahasuar me vitin 2024, rezultatet praktike të ligjit për angazhimet e përkohshme dhe të rastit mbeten për t’u dëshmuar. Vonesa ka edhe në masat për lehtësimin e kreditimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Tregu i punës shënoi përmirësim të lehtë, por pjesëmarrja e ulët, mospërputhja e aftësive me kërkesat e tregut, emigrimi dhe hendeku gjinor vazhdojnë ta kufizojnë rritjen.

Përparim në digjitalizim dhe energji të rinovueshme

KE-ja evidenton avancim në digjitalizimin e ekonomisë dhe në reformën e arsimit profesional. Sektori bankar mbeti i qëndrueshëm, ndërsa banka qendrore ndoqi politikë monetare të kujdesshme dhe forcoi mbikëqyrjen.

Kapacitetet nga burimet e rinovueshme arritën në 58,22% të kapacitetit të instaluar, kryesisht falë investimeve në diell dhe erë. Megjithatë, varësia nga importet e energjisë tejkalon 60%, duke e lënë ekonominë të ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme.

Çfarë kërkon Komisioni Evropian?

Për funksionimin e ekonomisë së tregut, gjatë vitit të ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti të:

  • Forcojë konsolidimin fiskal duke ulur shpenzimet tatimore dhe duke frenuar rritjen e pagave në sektorin publik dhe të pensioneve, si dhe duke siguruar pavarësinë e plotë të Këshillit Fiskal dhe duke përmirësuar qasjen e tij në të dhëna;
  • Përshpejtojë zbatimin e planit të veprimit për menaxhimin e investimeve publike dhe të miratojë Ligjin për partneritetet publiko-private;
  • Miratojë dhe zbatojë një plan të rishikuar veprimi për formalizimin e ekonomisë joformale.

Në fushën e politikës ekonomike dhe monetare, gjatë vitit të ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti të:

  • Sigurojë zbatimin në kohë të reformave të parashikuara në Ligjin organik për buxhetet, përfshirë vënien në përdorim të Sistemit të Integruar Informativ për Menaxhimin Financiar, si dhe të zbatojë në praktikë reformat e parashikuara në Dekretin për menaxhimin e investimeve publike;
  • Shfuqizojë ndryshimin e janarit të vitit 2025 në Ligjin për Bankën Popullore, i cili dobëson autonominë e saj financiare duke kanalizuar pjesën më të madhe të fitimit të saj në buxhetin e shtetit
  • Plotësojë bazën ligjore të kornizës institucionale të Këshillit Fiskal, në mënyrë që ai të jetë plotësisht i pavarur dhe të funksionojë me efikasitet.

Në fushën e politikës së ndërmarrjeve dhe të industrisë, gjatë vitit të ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet të:

  • Konsolidojë strukturën institucionale dhe mandatet e organeve publike në lidhje me parimet e politikës së ndërmarrjeve dhe të industrisë, si dhe t’u përgjigjet rekomandimeve të Entit Shtetëror të Revizionit për punën e Ministrisë së Ekonomisë.

Raporti evidenton edhe mangësi në punën e Ministrisë së Ekonomisë. Sipas gjetjeve të Entit Shtetëror të Revizionit për vitin 2025, këto kanë sjellë humbje të të ardhurave buxhetore dhe humbje të pakthyeshme të të dhënave elektronike, ndërsa janë konstatuar edhe mosrespektim i afateve nga nëpunësit dhe mangësi në raportim.

Probleme ka edhe në zbatimin e politikave për ekonominë qarkulluese, ku financimi i pamjaftueshëm, infrastruktura e papërshtatshme, riciklimi i ulët dhe koordinimi i dobët institucional vazhdojnë ta pengojnë përparimin, pavarësisht kornizës solide ligjore dhe të politikave.

Përndryshe, Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.

Ekonomia e shtetit - Lajme ekonomiKriza ekonomikeMinistria e Ekonomisë dhe Punës (MEP)Raporti i Komisionit Bashkimit Evropian (KE) për Maqedoninë