Pa bërë vlerësim në shtëpitë e personave me aftësi të kufizuar që janë të varur nga asistentët personalë dhe as vlerësim mjekësor shteti ua ka shkurtuar 80 orët e garantuara me ligj në javë për asistent personal, duke i vënë kështu në rrezik nga mosfunksionimi i plotë, pasiguria dhe jeta në varfëri, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.
Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi ka konstatuar diskriminim në bazë të aftësisë së kufizuar në fushën e mbrojtjes sociale, ndaj personave me aftësi të kufizuar që janë shfrytëzues të shërbimit të asistencës personale, të kryer nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe e Rinisë dhe Qendra kompetente për Punë Sociale.
Që në muajin mars mbi 40 shfrytëzues të këtij shërbimi, të ndihmuar nga 26 asistentë, i janë drejtuar me nënshkrime Komisionit dhe kanë kërkuar që t’i mbrojë nga shteti. Këta persona me aftësi të kufizuar kanë kërkuar mbrojtje sistemike, ndërsa për shkak të seriozitetit të gjendjes Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi (KPMD) ka ngritur procedurë sipas detyrës zyrtare.
Po ndodh shkurtim i paparë deri më tani i mjeteve financiare për personat me aftësi të kufizuar, po hiqen të drejtat ligjore për asistent personal, po shkurtohen 80 orët e garantuara me ligj në javë për ndihmë nga asistenti personal për personat e rritur të palëvizshëm ose me vështirësi në lëvizje, e drejta për asistentë arsimorë për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe të drejta të tjera që këta qytetarë i realizonin deri më tani
Në shkresën drejtuar KPMD-së këta persona theksojnë se të drejtat e garantuara me ligj nga fusha e mbrojtjes sociale po kufizohen, shtyhen ose nuk realizohen aspak.
“Si problem serioz që e përmendin të nënshkruarit e konsiderojnë shkurtimin arbitrar dhe të paligjshëm të orëve për asistencë personale të 80 orëve të përcaktuara me ligj pa asnjë rivlerësim mjekësor apo ndryshim në gjendjen funksionale dhe nevojat e personave me aftësi të kufizuar. Sipas pretendimeve me këtë cenohet e drejta për jetesë të pavarur, përfshirje sociale dhe pjesëmarrje të barabartë në shoqëri. Ata theksojnë se si persona me aftësi të kufizuar janë të privuar nga kushtet themelore për jetë dinjitoze, janë ekspozuar ndaj varësisë së shtuar, përjashtimit social dhe varfërisë’, shkruajnë nga Komisioni për rastin në uebfaqen e tyre.
Personat e dëmtuar me aftësi të kufizuar kanë dorëzuar ankesa kundër vendimeve të QPS-së për shkurtimin e orëve për asistent personal, por Ministria e Punës Sociale, Demografisë dhe Rinisë ua ka refuzuar.
Në përgjigjen drejtuar Komisionit, nga Ministria thonë se QPS-ja kompetente vendimin për shfrytëzimin e shërbimit të asistencës personale e merr në bazë të asaj nëse shfrytëzuesi ka mbështetje nga anëtarët e familjes së ngushtë, nëse është në marrëdhënie pune, i papunë apo pensionist, nëse shfrytëzuesi është i përfshirë në procesin arsimor, në rehabilitim profesional dhe vende të tjera ku realizohen aktivitete të lidhura me kryerjen e arsimimit dhe aftësimit për punë të shfrytëzuesit, nëse në të njëjtën familje ka edhe shfrytëzues tjetër të shërbimit të asistencës personale.
“Gjithashtu, është marrë parasysh fakti nëse shfrytëzuesi i shërbimit shfrytëzon të drejta nga mbrojtja sociale (Ndihmë dhe kujdes nga person tjetër në shumë prej 9.389 denarë, Shtesë për aftësi të kufizuar në shumë prej 10.209 denarë), mjete me të cilat mund të sigurohet ndihmë dhe mbështetje shtesë nga një person tjetër. Nga Ministria thonë se në rastin konkret nuk ekziston diskriminim’, citon Komisioni.
Komisioni është ndalur veçanërisht në faktin se shteti i detyron këta persona të palëvizshëm ose me vështirësi në lëvizje që me shtesat e vogla për ndihmë dhe kujdes: të hanë, të jetojnë, të paguajnë fatura, qira, këste dhe shpenzime komunale, të blejnë barna të shtrenjta dhe njëkohësisht t’i paguajnë vetë orët për asistent personal.
“Komisioni i vlerësoi edhe pretendimet se gjatë përcaktimit të vëllimit të asistencës personale merret parasysh nëse shfrytëzuesi realizon të drejta në para nga mbrojtja sociale, gjegjësisht të drejtën për ndihmë dhe kujdes nga person tjetër dhe shtesë për aftësi të kufizuar, me arsyetimin se me këto mjete mund të sigurohet ndihmë dhe mbështetje shtesë. Në këtë drejtim Komisioni thekson se realizimi i të drejtave në para nga mbrojtja sociale në vetvete nuk paraqet provë se është zvogëluar nevoja e shfrytëzuesit për asistencë personale. Asistenca personale paraqet shërbim të individualizuar për mbështetjen e jetesës së pavarur dhe pjesëmarrjes në komunitet, ndërsa të drejtat në para realizohen në përputhje me kushte të veçanta të përcaktuara me ligj dhe e kanë qëllimin e tyre. Krahas kësaj neni 28 i Konventës e njeh të drejtën e personave me aftësi të kufizuar për standard adekuat jetese dhe mbrojtje sociale, si dhe për qasje në shërbime dhe programe të mbrojtjes sociale’, theksojnë nga KPMD.
Me konstatimin e diskriminimit nga ana e shtetit ndaj shfrytëzuesve të asistentëve personalë, Komisioni rekomandon që:
- Brenda afatit prej 90 ditësh të kryejë vlerësim të ri individual të nevojave të shfrytëzuesve të cilëve u është shkurtuar numri i orëve për asistencë personale. Gjatë vlerësimit të merren parasysh aktivitetet konkrete për të cilat nevojitet mbështetje, barrierat me të cilat përballen shfrytëzuesit gjatë jetesës së pavarur dhe pjesëmarrjes në komunitet, si dhe vullneti dhe preferencat e tyre, duke e siguruar pjesëmarrjen e tyre aktive në procesin e vlerësimit dhe vendimmarrjes.
- Brenda afatit prej 90 ditësh të kryhen kontolle në shtëpitë e shfrytëzuesve.
- Në të ardhmen çdo QPS kompetente dhe Ministria të përmbahen nga shkurtimi i vëllimit të shërbimit të asistencës personale pa kryer paraprakisht vlerësim adekuat të individualizuar të nevojave aktuale të shfrytëzuesit dhe pa arsyetim konkret dhe objektiv për shkaqet që e arsyetojnë ndryshimin e numrit të orëve.
- të ndërpritet qasja diskriminuese dhe shfrytëzimi i të drejtave në para nga mbrojtja sociale të mos trajtohet në vetvete si provë për nevojë të zvogëluar për asistencë personale;
- Ministria dhe QPS-ja ta njoftojnë Komisionin për masat e ndërmarra dhe të dorëzojnë dokumentacion përkatës si provë për veprimin sipas rekomandimeve.
Në të kundërtën, Komisioni paralajmëron padi ndaj dy organeve shtetërore te gjykata kompetente.