Viti 2017 nisi shkëndijën kulturore shqiptare në Maqedoni, ja çfarë thonë dashamirët e artit për 2018-tën

Kultura shqiptare në Maqedoni për vite me radhë pothuajse ka qenë e “harruar” tërësisht, me investime simbolike dhe me asnjë risi në të. Punët që filluan që para gjysmë dekade edhe më tej nuk kanë përfunduar, ndërsa qytetet tjera ngelen edhe më tej pa teatro dhe qendra kulturore. Pavarësisht ngecjeve kulturore, që nga mediat nga jashtë Maqedonia cilësohen si “humbje shqiptare” dhe që ndanë “kulturën si me thikë”, artistët të kontaktuar nga Portalb.mk vitin 2017 e cilësuan si shkëndijë kulturore.

Që të gjithë thanë se në vitin 2017, pavarësisht “turbulencave politike dhe shoqërore” sërish ka pasur prurje artistike të nivelit të lartë, por vlerësojnë se në numër “janë të pakta” nëse Maqedonia krahasohet me shtetet e rajonit dhe të Evropës. Megjithatë, nga mënyra se si e përfundojnë vitin, ata vlerësuan se më vitin 2018 pritet më shumë punë, përkushtim dhe vëmendje nga publiku, politika dhe mediat.

Të gjithëve iu parashtrua e njëjta pyetje: Nga mënyra se si dhe sa u punua në kulturë në Maqedoni, si e vlerësoni vitin 2017 dhe çfarë pritni ndryshe në vitin 2018?

Përgjigjet mund t’i shihni më poshtë, radhitur sipas alfabetit shqip (a-zh).

Adem Karaga

Adem Karaga

Adem Karaga, drejtor i Teatrit Shqiptar të Shkupit

“Ne përmbyllëm vitin 2017 me premierën “Gratë” që u shfaq më 26 dhe 27 dhjetor. Vlerësoj se patëm një vit jashtëzakonisht të suksesshëm, në kuadër të rrethanave shumë të vështira që punuam. Teatri Shqiptar realizoi tre premiera me të cilat ngado që kemi qenë, në kuadër të repertorit të përmuajshëm, jemi kthyer në shtëpi me mbi 13 çmime. Vitin që po lëmë pas po e rrumbullakojmë me një sukses të jashtëzakonshëm, gjithnjë krahasuar me rrethanat që ne po punojmë. Për vitin 2018 kemi pritshmëri shumë të mëdha, si në sferën artistike po ashtu edhe në planin tjetër të fushës së përfundimit të punimeve të tërësishme të Teatrit Shqiptar në Shkup. Ne shpresojmë që nga vera të kthehemi në shtëpi, në godinën e re dhe të kemi premierën e parë të teatrit. Paraprakisht ne kemi programin e paracaktuar vjetor të cilit planifikojmë ta mbarojmë brenda vitit, kështu që qoftë ne si Teatër Shqiptar, qoftë publiku artdashës do të ketë vërtetë edhe kënaqësinë edhe mundësinë për të parë shfaqje të jashtëzakonshme të produktit të Teatrit Shqiptar. Mbarësi për të gjithë në vitin e ri!”.

LEXO: Kur do të jetë gati objekti i Teatrit Shqiptar në Shkup dhe Tetovë?

 

Berat Saliu

Berat Saliu

Berat Saliu, organizator i Festivalit Teatror “Othello” në Gostivar

“Festivali Othello edhe më herët ka qenë në plan të realizohet, por për shkaqe politike ajo nuk u bë e mundur. Sivjet, fatmirësisht këto pengesa u tejkaluan dhe Othello si Festival Teatror në Gostivar pati edicionin e tij të parë. “Othello” ngjalli interesim te publiku dhe mediat, dhe si rrjedhojë mund të konsiderohet si i suksesshëm. Duke e pasur parasysh se gjatë gjithë ditëve sa zgjati festivali kishte interesim të madh, presim që e njëjta të vazhdojë edhe në vitin 2018. Tashmë kemi dorëzuar kërkesën në Ministrinë e Kulturës nga ku presim që më vitin 2018 të miratohet që të mund të realizojmë edhe edicionin e dytë të festivalit. Përkrahje na është premtuar edhe nga kryetari i Gostivarit dhe duke e pasur parasysh se ai ka potencial, presim që e njëjta të realizohet. Ne do të insistojmë që më vitin 2018 “Othello” të jetë më madhështor, të ketë më shumë trupa teatrore, të ketë më shumë mjete dhe të njëjtin ta shndërrojmë në festival ndërkombëtar duke përfshirë edhe shtete jashtë trojeve shqiptare. Krahas “Othello”-s ne kemi edhe një shoqatë kulturore “Fishta” e cila funksion që 14 vjet. Edhe me këtë shoqatë ne kemi realizuar projekte të shumta, kryesisht shfaqje teatrore, megjithatë edhe pse në mungesë të një institucioni teatror, sërish në bashkëpunim me qendrën kulturore në Gostivar jemi munduar që të plotësojmë atë zbrazëtirë kulturore”.

LEXO: Përfundoi edicioni i parë i “Othellos”, “Darka e thërrimeve” ndër shfaqjet më të vlerësuara (VIDEO)

 

Blerim Grubi

Blerim Grubi

Blerim Grubi, muzikant

“Edhe pse ky vit kaloi me shumë turbulenca politike, mund të them se orari i artistëve ka rrjedhur në mënyrë normale. Këtë e them nga përcjellja ime nëpër mediume të ndryshme dhe postime të ndryshme në rrjetet sociale. Potencova vështirë, se opinioni ka pasur më shumë vëmendjen në ngjarje politike, se sa në ngjarje kulturore, që është për të ardhur keq nga njëra anë. Kultura ka nevojë për përqendrim ndryshe nga institucionet dhe opinioni i artdashësve. Unë mendoj se ndodhi një kthese e madhe sa i takon ndërrimit të strukturave si ato qendrore dhe lokale, si pasojë e të cilave ndoshta nuk ka pasur jehonë të madhe kjo pjesë e jetës kulturore këtu te ne. Sa i takon aktivitetit tim, mund të them se këtë vit kam pasur disa koncerte që kanë rrjedhur nga marrëveshjet e mia me organizatorët dhe institucionet relevante. Në muajin mars kam pasur prezantim në shtetin fqinj Greqi në festivalin e muzikës klasike Edesa, në muajin maj kisha ftesë nga Filarmonia e Ankarasë së Turqisë ku unë me disa koleg mbajtëm koncert me mjaftë sukses. Aty bashkëpunova me një pianiste të njohur Turke, Jeshim Gogllap ku koncerti u vlerësua nga kritikët turq me notë të lartë. Në muajin qershor unë u prezantova me një recital në Shkup në Qendrën Kulturore Informative, së bashku me pianisten Marija Vrshkova. Në muajin gusht unë kisha ftesë nga festivali me renome Vera e Ohrit ku aty u prezantova me një koncert së bashku me pianisten maqedonase, Marija Vrshkova. Ky koncert u vlerësua dhe prit shumë mirë nga publiku dhe kritika artistike. Vlen të theksohet se ky koncert u dha drejtpërsëdrejti “live stream” në rrjetin social “youtube”, ku aty për aty e kanë ndjekur mijëra shikues. Projekti i radhës ishte në muajin tetor, ku unë si një ndër organizatorët e festivalit Kamerfest – Prishtinë, së bashku me kolegen Sihana Badivuku, me mjaft sukses i prezantuam artistët si brenda po ashtu edhe jashtë vendit. Në fund dua të theksoj se jam prezantuar edhe me dy koncerte me studentët e mi nga Universiteti i Tetovës, këtë e lë në fund, pasi që dua të përcjell mesazhin se ne si shoqëri duhet të kemi kujdes të madh për gjeneratat e reja që vijnë, për arsye se ata duhet të sistemohen nëpër institucione artistike dhe arsimore. Viti i ardhshëm besoj se do te jetë më i qetë sa i takon shoqërisë sonë dhe projektet do të jenë më të shumta sa i takon aktiviteteve të ndryshme kulturore artistike. Gëzuar dhe gjitha të mirat në vitin 2018”.

LEXO: QIK: recital i Blerim Grubit dhe Marija Vrshkovës

 

Burhan Ahmeti

Burhan Ahmeti

Burhan Ahmeti, piktor dhe grafist

“Viti që shkoi kishte goxha shumë aktivitete artistike gatise në tërë territorin e Maqedonisë. Shumë ekspozita, shfaqje të ndryshme, festivale, koncerte, koloni artistike etj. Dihet se buxheti i shumicës së aktiviteteve është qesharak, por me rëndësi aktivitetet janë organizuar falë dëshirës së organizatorëve dhe artdashësve që dinë t’i mbushin sallat kur bëhet fjalë për vlera. Vetëm se do ishte mirë që të paktën në nivel republikan të botohet një revistë javore e vogël që do e shpaloste programin njëjavor të të gjitha aktiviteteve kulturore në çdo qytet. Ku të njëjtat të shpërndahen falas nëpër institucione të ndryshme, lokale të ndryshme ku ka më tepër frekuentim njerëzish dhe të informohen më detajisht për ekspozitat, koncertet, kinematë, teatrot, promovimet e librave etj. Gjithashtu paralel sikur të ketë edhe një faqe në internet ku do i shpaloste po të njëjtat informata. Popullata ka më shumë nevojë për informacione paraprake për ta menaxhuar më mirë kohën e lirë të tyre dhe për t’i përcjellë aktivitetet kulturore. Sa i përket artit figurativ që nga janari e deri në dhjetor ishte shumë i theksuar me ekspozita grupore po ashtu edhe më ekspozita personale. Unë këtë vit e fillova me simpoziumin ndërkombëtar në Adana të Turqisë, pastaj në Ulqin, në Poçitelj të Bosnjës, në Novi Pazar, në Stamboll në një punëtori të grafikës në Universitetin Yeldiz Teknik, në Kinë në një forum ndërkombëtar të grafikës si dhe në një punëtori tjetër të grafikës. Gjithashtu sivjet isha pjesë e një projekti të rëndësishëm ndërkombëtar “Polar Self Portrait” që u organizua edhe në Bienalen e Venedikut. E vazhdova me pjesëmarrje në dy ekspozita në Shkup të organizuara nga Shoqata e Artistëve Figurativ të Maqedonisë ku te njëra dhe u shpërbleva me vepër më të mirë. Këtë vit e përmbyll me ekspozitën time personale në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë “Çifte Hamam” Shkup ku u prezantova me 80 vepra arti, respektivisht me piktura dhe grafika. Jam tepër i kënaqur nga kjo ekspozitë e fundit dhe shpreso se në të ardhmen diku në vitin 2020 të paraqitem sërish në Shkup në kuadër të njëzetvjetorit të krijimtarisë sime artistike. Një falënderim të veçantë për të gjithë ato që më kanë përkrahur mua si dhe aktivitetet tjera kulturore, pasi që pa ato çdo aktivitet do të dukej i zbehtë. Për vitin e ardhshëm më presin aktivitete tjera kryesisht kolektive ndërkombëtare dhe shpresoj të keni akoma më shumë përkrahje financiare nga Ministria e Kulturës si dhe nga pushtetet lokale”.

LEXO: Në hapësirë antike me stil modern, grafisti Burhan Ahmeti hapi ekspozitën personale (FOTO)

 

Kushtrim Bekteshi

Kushtrim Bekteshi

Kushtrim Bekteshi, regjisor

“Vitin që po lëmë pas mund ta konsideroj si një vit të suksesshëm në krijimtarinë time artistike, me tre shfaqje të realizuara: në Teatrin “Adriana Abdullahu”-Ferizaj, në Teatrin “Migjeni”-Shkodër dhe së fundmi në Teatrin “Bekim Fehmiu” -Prizren, ku për herë të parë inskenova tekstin tim “Ata që ikin”. Shpresoj me këtë dinamikë pune dhe satisfakcion artistik të vazhdoj edhe në vitin 2018 me projekte teatrore që më presin, si dhe me finalizimin e postproduksionit të filmit tim me metrazh të gjatë “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”. Uroj që viti 2018 të jetë i mbarë për të gjithë, i plotë me shfaqje teatrore estetikisht të pasura, me buxhete jodenigruese për kulturën shqiptare dhe të paktën dyfishim të audiencës në ngjarjet kulturore”.

LEXO: Festivali i Teatrove në Ferizaj, “Tartufi” dhe “Armiku i Popullit” ndër shfaqjet më të çmuara

Muzbajdin Qamili

Muzbajdin Qamili

Muzbajdin Qamili, drejtor i Festivalit Itf Skupifestival

“Itf Skupifestival shënoi 11 vjetorin e vet këtë vit dhe nga viti në vit po rritemi si festival ndërkombëtar. Kemi arritur që të jemi anëtarë të dy rrjeteve më të mëdha të festivaleve dhe këtë vit pretendojmë të krijojmë rrjetin tone. Festivali ka arritur qëllimin e vet këtë vit me programin e vet artistik, ku morën pjesë nga vendet më të ndryshme të botes. Për vitin e ardhshëm shpresojmë në ngritjen e mëtejshme të festivalit dhe sfidat qe na presin. Gëzuar 2018”.

LEXO: Me shfaqjen “Shtëpia e Berndarda Albës” u hap Festivali Itf Skupifestival

 

 

Qëndrim Rijani

Qëndrim Rijani

Qëndrim Rijani, regjisor

“Nëse do të nisesha nga vetja, për mua viti që po lëmë pas ka qenë vërtetë i plotësuar, kisha 4 premiera dhe pjesëmarrje në festivale të ndryshme. Uroj dhe që edhe viti që do të vijë të jetë në po të njëjtin intensitet të punës. Sa i përket artit dhe kulturës në përgjithësi, ne si shqiptarë vërtetë kemi nevojë për më shumë kujdes në artin skenik nga udhëheqësia politike, më shumë kujdes nga publiku dhe më shumë kujdes nga mediat. Mbi të gjitha kemi më shumë nevojë për kujdes nga vetja jonë, për veten tonë që të arrimë që në vitin që po vjen ta bëjmë punën tonë më mirë seç e kemi bërë gjatë vitit që po e lëmë pas”.

LEXO: Me “hë baba, a u ngope dhe binde me kaq sa dëgjove?” u shfaq premiera “Gratë” (VIDEO)

Sulejman Rushiti

Sulejman Rushiti

Sulejman Rushiti, regjisor

“Në vitin 2017 në hapësirën e përgjithshme shqiptare, vlerësoj se ka pasur prurje të arrira teatrore, por megjithatë me pak shfaqje në numër. Ne as që mund të krahasohemi ende me rajonin, e lëre më me Evropën. Shfaqjet dhe festivalet dëshmojnë se ka spektator të interesuar për të ndjekur shfaqjet, por duhet të ketë më shumë investim. Të kujtojmë që ka plot qytetet ku ende nuk ka teatër. Aty bëhen shfaqje me nisma private ose vijnë shfaqje vizitore për ta përmbushur nevojën e qytetareve për art. Uroj që viti 2018 të jetë vit ku se paku do të hapet një teatër i ri dhe një vit ku do të punohen më shumë shfaqje”.

LEXO: Premiera e shfaqjes “G”: Pas qindra vjetëve Fishta i revoltuar me politikën shqiptare (FOTO/VIDEO)

 

Shkëlzen Pajaziti

Shkëlzen Pajaziti

Shkëlzen Pajaziti, muzikant

“Viti që po e lëmë pas, edhe përkundër problemeve të shumta politike dhe ekonomike ne vend, përsëri arriti që të jetë një vit i larmishëm në sferën e artit dhe të kulturës, i kurorëzuar me aktivitete të ndryshme, por jo edhe të shumta sa i përket kulturës së mirëfilltë muzikore. Edhe pse ka pasur aktivitete të cilat kanë bërë bujë të madhe, përsëri mendoj se nuk kanë qenë të mjaftueshme. Në vitin 2018 pres të kemi mundësinë dhe hapësirën për të pasur dhe ndjekur më shumë aktivitete profesionale kulturore dhe muzikore kur e dimë që muzika është një prej edukuesve më të mëdhenj të shpirtit dhe intelektit, ose siç do të thoshte L.W. Beethoven: “Muzika është gjuha e shpirtit, ajo nuk nxjerr prej nesh instinktet por mendimet tona më të thella”, prandaj duhet të gjithë së bashku të kontribuojmë që të kemi një të ardhme të shëndoshë sa i përket artit muzikor dhe kjo padyshim që arrihet me ndihmën e institucioneve dhe mediume në theks të veçantë”.

LEXO: Të lumtë Shkëlzen

 

Ylber Nuredini

Ylber Nuredini

Ylber Nuredini, drejtor i Festivalit të Teatrit Shqiptar në Dibër

“Në vitin që po lëmë qyteti i Dibrës nuk i përmbushi pritshmëritë e publikut dibran dhe këtij komuniteti të vogël artistësh. Arsyet, refren i përvitshëm, buxheti i varfër i Komunës së Dibrës për artin e dramës dhe kulturën në përgjithësi. Mbështetja financiare nga ish ministresha shovene ishte tepër simbolike për projektet në Dibër. Me ndryshimet në Ministrinë e Kulturës presim dhe shpresojmë që të ndryshojë për mbarë qasja, vlerësimi dhe mbështetja për festivalin teatror, si ngjarje e parë dhe shumë e rëndësishme dhe sigurisht miratimin e se paku dy shfaqjeve teatrore profesioniste në qytetin e Dibrës, që kohën e fundit veçohet me varfëri kulturore edhe pse me publikun më të mrekullueshëm kur krahasohemi me qytetet tjera. Ju uroj gëzuar 2018, me një vëmendje më të madhe ndaj qytetit, gati të harruar, të Dibrës dhe në veçanti ndaj aktiviteteve kulturore, si në pasqyrimin e tyre dhe nxitjen dhe mbështetjen mediatike, që ato të jenë më të numërta dhe me cilësorë në radhë të parë”.

LEXO: Dje duhej të kishte natën e fundit, Festivali i Teatrit në Dibër përfundoi para kohe!

 

Zarije Jonuzi Çeliku

Zarije Jonuzi Çeliku

Zarije Jonuzi Çeliku, aktore

“Teatrin e kam shtëpinë time të dytë pasi që aty edhe jam e punësuar si aktore. Vitin 2017 mund ta vlerësoj si të suksesshëm për Teatrin Shqiptar në Shkup, sepse kemi nxjerrë tre premiera ku e fundit ishte para disa ditëve, “Gratë” në të cilën mora pjesë edhe unë. Përveç premierave ne kemi marrë pjesë edhe në festivale. Megjithatë, tre premiera nuk janë të mjaftueshme për një vit si Teatri Shqiptar, por kur marrim parasysh vendin ku funksionojmë, ngaqë ende nuk është gati shtëpia jonë, mund të themi se sërish ka qenë një vit i suksesshëm. Për momentin jemi duke funksionuar në objektin e Teatrit të Komedisë ku tash për tash funksionojnë tre institucione, gjë e cila pamundëson që të realizojmë më shumë aktivitete. Funksionimi i tre institucioneve teatrore në objektin e Teatrit të Komedisë ka vështirësuar në vazhdimësi punën tonë, rast konkret ka qenë përgatitja e premierës “Gratë” ku ka pasur rast që provat kanë zgjatur deri në ora 3 të mëngjesit sepse në të njëjtën kohë janë përgatitur tre premiera të ndryshme. Kjo është arsyeja se pse viti 2017 nuk ka qenë ashtu siç mund të kishte qenë, dhe shpresoj se viti 2018 të na gjejë në objektin tonë në të cilin do të mund të krijojmë dhe veprojmë më lirshëm”.

Ndryshe, Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë për vitin 2018 ka paraparë 3 miliardë e 92 milionë e 147 mijë denarë. Nga kjo shumë 2,055,831,000 denarë do të shkojnë për investime direkte në veprimtari kulturore – artistike, 1,116,500,000 denarë do të shkojnë për investime kapitale ndërkaq 246,684,000 denarë janë paraparë për bllok dotacione.

Krahas kësaj, në shumë prej afro 4 miliardë denarë, për Agjencinë e Filmit janë paraparë të holla në vlerë prej 154,563,000 denarë, për ngrohje qendrore janë paraparë 129 milionë denarë, për bashkëpunimin ndërkombëtar 82,169,000 denarë ndërkohë që të holla janë paraparë edhe për integrime evropiane në vlerë prej 20 milion denarë dhe qendrat kulturore në diasporë në vlerë prej 15 milionë denarë.

Ndryshe, për institucionet kulturore shqiptare që priten të financohen nga Ministria e Kulturës janë: Teatri Shqiptar Shkup në vlerë prej 250 milionë denarë për përfundim të punimeve të objektit kapital, Teatri i Tetovës në vlerë prej 250 milion denarë për vazhdim të punimeve në projektin kapital, Qendra Konzervative në Gostivar në vlerë prej 3 milionë e 9 mijë denarë për ndërtim të objektit dhe Muzeu i Alfabetit Shqip në vlerë prej 2 milionë e 600 mijë denarë.

Është paraparë edhe formim i anasamblit shtetëror shqiptar i cili është në procedurë të përpilimit të strategjisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP