Maqedoni – Kosovë, autostradë dhe kufinj jofunksionalë: mbi 200 milion shkëmbim tregtar i pamjaftueshëm!

Premtimi i Kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev se do të ketë rritje mbi 200 milion euro shkëmbim tregtar ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës është i pamjaftueshëm, për siç thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-perëndimore ajo vlerë ka qenë edhe më herët. Nga OEMVP-ja thonë se kjo shumë duhet të dyfishohet, pasiqë Kosova paraqet në nga burimet e shkëmbimit tregtar më të mëdha të Maqedonisë, shkruan Portalb.mk.

Faktorët më të mëdhenj të cilët kanë ulur apo edhe penguar rritjen e shkëmbimit tregtar Maqedoni – Kosovë konsiderohen të jenë: mos ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë, vendkalimi Glloboçicë – Jazhincë që e lidh Tetovën me Kosovën dhe vendkalimi Bellanoc – Stançiq që e lidh Kumanovën me Kosovën.

Haradinaj - Zaev
Haradinaj – Zaev

Për këto pengesa kryeministri Zaev është i vetëdijshmen, megjithatë nuk ka hap dhe afat kohor konkret për tejkalimin e tyre. Në drejtim të rritjes së shkëmbimit tregtar Maqedoni- Kosovë, Zaev me optimizëm tha se do të ketë rritje mbi 200 milion euro.

“Kishim shkas që të bisedojmë për perspektivat e të dyja shteteve, biseduam për ndërtimin e shpejtë të autostradës Shkup – Bllacë e cila duhet të përpiqet të arrijë atë investim që po bëhet nga Prishtina deri në vendkalimin kufitar Hani i Elezit. Biseduam edhe për venkalimin kufitar Bellanoc – Stançiq. Aktualisht këmbimi do të arrijë mbi 200 milion euro duke u rritur edhe importi i thëngjillit në Kosovë. Dua të dërgojë mesazh që të nxisim sa më shumë kontakt ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe Maqedonisë në sferën e kulturës, arsimit, sipërmarrësisë sepse ka kapacitet për rritjen e përfitimin ekonomik nga ndërmarrjet e të dyja shteteve”, tha Zaev pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Nga ana tjetër drejtori i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri – Perëndimore, Drilon Iseni për Portalb.mk thotë se kjo shumë prej mbi 200 milion euro nuk është e arrirë e madhe, sepse ajo vlerë në vazhdimësi e ka shoqëruar shkëmbimin tregtar Maqedoni – Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Drilon Iseni
Drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Drilon Iseni

“Premtimi i kryeministrit Zaev që Maqedonia dhe Kosova do të arrijnë nivelin e 200 milion euro të qarkullimit tregtarë është i realizueshëm pasiqë në kontinuitet të 4 viteve paraprake mesatarja ka qenë rreth 213 milion euro. Andaj ne nuk mundë të themi do të jetë një arritje shumë e madhe nëse kjo realizohet sepse këtë nivel ne vetëm se e kemi”, tha Iseni.

Ai thotë se vlera prej 200 milion euro duhet të rritet, pasiqë Kosova paraqet një nga burimet më të mëdha të suficitit tregtar të Maqedonisë.

“Kosova paraqet një ndër partnerët kryesor të vendit tonë kur bëhet fjalë për ekonominë. Ajo që e bën Kosovën edhe më të rëndësishme në aspektin ekonomik është fakti se është i vetmi vend me të cilin kemi suficit të konsiderueshëm në shkëmbimin tregtar. Ne si OEMVP kërkojmë në vazhdimësi që ky nivel të rritet, por patjetër që Maqedonia të angazhohet në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, gjegjësisht rruga Shkup-Bllacë dhe vendkalimi Jazhincë”, tha Iseni.

Mosndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë (Shkup – Kosovë)

Kufiri Maqedoni-Kosovë
Vendkalimi kufitar Bllacë – Hani i Elezit (Maqedoni – Kosovë)

Autostrada e Shkup – Bllacë ka qenë projekt i premtuar që nga viti 2014. U tha se do të jetë gati deri më 2015, por ajo edhe sivjet nuk ka siguruar të holla me buxhetin e Maqedonisë. Rëndësia e kësaj autostrade rritet edhe më shumë sepse kjo do të lidhte Shkupin apo Maqedoninë me Rrugën e Arbrit, që paraqet një nga autostradat më të mëdha që do të lidh Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.

 

 

Problemi i vendkalimit Glloboçicë – Jazhincë ( Tetovë – Kosovë)

Glloboçic - Jazhince
Glloboçicë – Jazhincë

 

Problemi i këtij vendkalimi qëndron në atë sepse nuk lejohet qarkullimi i lirë i mallrave. Kërkesë për heqjen e pengesës së mallrave është bërë që nga viti 2015, megjithatë ky vendkalim edhe më tej ngelet i bllokuar. Për këtë para një viti në Shkup u takuan delegacione qeveritare të Maqedonisë dhe Kosovës, por sërish në praktikë nuk ka zgjidhje ndërsa bizneset që gravitojnë në fushën e Pollogut dhe që duan të eksportojnë mall në Kosovë duhet të kalojnë rreth 100 kilometra për të arritur në terminalin doganor të Bllacës.

 

Problemi i vendkalimit Bellanoc- Stançiq (Kumanovë – Kosovë)

Rruga për në Bellanoc
Rruga për në Bellanoc

Ky vendkalim paraqet projekt që është premtuar që nga viti 2013, megjithëse as pas katër vitesh nuk është realizuar. Projekti ishte pjesë e Programit Qeveritar të vitit 2011, për të cilin u ndanë mjete dhe u caktua që viti 2013 të jet viti i përfundimit të punimeve. Në mesin e gushtit të 2017-s në Prishtinë u nënshkrua protokolli për hapjen e kufirit Bellanoc-Stançiq.

Përndryshe, mosndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë, moshapja e vendkalimit Glloboçicë – Jazhincë për mallra dhe mos hapja e kufirit Bellanoc – Stançiq ka ndikuar në rënien e shkëmbimit tregtar me Kosovën që është e dukshme në katër vitet e fundit. Nëse do të krahasonim shkëmbimin tregtar midis Maqedonisë dhe Kosovës, mund të konstatojmë se Maqedonia ndër vite po e humb tregun e Kosovës, nga gati 420 milionë euro në vitin 2011, në vitin e kaluar ka pasur shkëmbim prej 212 milionë euro.

Ndryshe, për dy vjet, për sa pritet të përfundojë cikli i investimeve nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve (MTL), në Maqedoni pritet të shpenzohen 86 milionë euro për rregullimin e 26 rrugëve që në total paraqet 420 kilometra, mirëpo në këtë cikël investimeve parashihet rekonstruimi i rrugës Shkup- Bllacë, por jo edhe ndërtimi i rrugës Tetovë- Prizren.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button