Rruga Shkup-Bllacë: Nuk është autostradë, por rikonstruim i rrugës

“Qeveria e Maqedonisë ka ndarë mjete për rikonstruim të rrugës Shkup-Bllacë dhe jo për ndërtim të autostradës së këtij relacioni” kështu bëri të ditur ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski gjatë konferencës së sotme në Shkup, raporton Portalb.mk.

Projekti i autostradës Shkup-Bllacë i premtuar që nga viti 2014 që do të lidhet me autostradën Prishtinë-Hani i Elezit e gatshme më vitin 2018, është larg nisjes, pasi që siç bëri të ditur drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Zoran Kitanov ende nuk janë përgatitur dokumentet për realizim të këtij projekti. Profesori universitar, Abdylmenaf Bexheti thotë se ajo do të kushtone 81 milionë euro ndërkohë që nga Oda Ekonomike thonë se mosndërtimi i kësaj autostrade do të ulë shkëmbimin tregtar Maqedoni-Kosovë.

Kitanov-Sugareski

Kitanov tha se edhe “projekti i rikonstrumit të rrugës Shkup-Bllacë nuk është përfunduar dhe se për momentin është punuar vetëm në raportin preliminar të projektit, raportin për vlerësimin e komunikacionit dhe vlerësimit strategjik të ndikimin në planifikimin hapësinor, kurse aplikimi për të fituar fonde shtesë është bërë në shtator të 2017-s”.

“Nuk e di pse u bënë këto spekulime. Projekti i autostradës pret me vite të tëra. Bëhet rekonstruimi i rrugës ekzistuese në mënyrë sa më të mirë që të zhvillohet komunikacioni pa ndërprerë kurse në ndërkohë përgatitet dokumentacioni për autostradën Shkup-Bllacë”, tha Kitanov.

Se kur parashihet të jetë gati autostrada Shkup-Bllacë, Kitanov tha: “Na lejoni ta bëjmë në mënyrë racionale dhe në mënyrë të mirë. Projekti parashihet të realizohet mirë, të ketë vlerësim gjeo-mekanik dhe cilësor dhe jo të jetë si në të kaluarën kur është ndërtuar a nuk është bërë testim gjeo-mekanik. Projektimi i kësaj autostradë le të zgjasë aq sa duhet por le të bëhet si duhet. Pasi të bëhen këto vlerësime do të aplikohet për tenderim”, tha Kitanov.

Sa mund të kushtojë autostrada Shkup-Bllacë?

Abdylmenaf Bexheti
Abdylmenaf Bexheti, profesor universitar

Duke analizuar pozitën gjeografike të rrugës Shkup-Bllacë, i konsultuar nga Portalb.mk ekonomisti Abdylmenaf Bexheti vlerësoi se rruga Shkup-Bllacë mesatarisht do të kushtonte rreth 81 milionë euro.

“1 km në zonën e rrugës Shkup-Bllacë në bazë të kushteve gjeografike mesatarisht kushton 6-7 milionë euro, që në total, meqë rruga Shkup-Bllacë ka gjatësi prej 13.5 kilometra ajo, mesatarish do të kushtonte 81 milionë euro. Ka vende kur pozita gjeografike është e rrafshët 1 km mund të shkojë edhe deri në 3 milionë euro, por, nëse ka kthesa e ura dhe ka nevojë edhe për tunele, mesatarja do të jetë 6-7 milionë euro por ndonjëherë edhe më shumë”, tha Bexheti.

Mosndërtimi i autostradave do të ulë shkëmbimin tregtar me Kosovën

Drejtori i Odës Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, Drilon Iseni për Portalb.mk thotë se rikonstruimi i rrugës Shkup-Bllacë dhe mosshndërrimi i saj në autostradë do të ulë shkëmbimin tregtar Maqedoni-Kosovë.

“Ne si Odë Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, duke mbrojtur interesat e bizneseve tona gjithnjë kemi lobuar për realizimin e projekti të autostradës Shkup – Bllacë. Kjo edhe një herë e vërteton qasjen selektive edhe të kësaj garniture politike”, tha Iseni.

Drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Drilon Iseni
Drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Drilon Iseni

Sipas Isenit, mosndërtimi i autostradave që lidhen me Kosovën ka bërë që shkëmbimi tregtar me Kosovën në vitin 2016 të pësojë ulje krahasur me vitin 2014 kur ai arrinte vlerën prej 420 milionë euro.

“Këto barriera infrastrukturore dukshëm e pengojnë qarkullimin drejt vendit fqinj. Mos parashikimi i autostradave ka bërë që shkëmbimi tregtar me Kosovën të jetë më i ulët. Nëse do të krahasonim shkëmbimin tregtar midis Maqedonisë dhe Kosovës, mund të konstatojmë se Maqedonia ndër vite po e humb tregun e Kosovës, nga gati 420 milionë euro në vitin 2011, në vitin e kaluar ka pasur shkëmbim prej 212 milionë euro”, thonë për Portalb.mk nga OEMVP.

Përndryshe, në shtator të 2015-s, ish-ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri u shpreh se: “Prej Prishtinës do të ketë autostradë e cila do të ndërtohet deri në vendkalimin Bllacë dhe gjithashtu ne në Maqedoni veç kemi përgatitur deri në fund të vitit do të duhet të përfundon projekti se sa do të kushtojë rruga Shkup-Bllacë dhe kështu do të lidhemi me Shqipërinë,” u shpreh Neziri, projekt ky që u premtua nga Bashkimi Demokratik për Integrim që në mars të 2014-s.

Ndryshe, Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit që lidhë Kosovën me Maqedoninë dhe me të cilën duhet të lidhet edhe autostrada Shkup-Bllacë kap shumën e rreth 600 milionë euro dhe po ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash. Momentalisht përmes aksit rrugor Kosovë-Maqedoni brenda ditës kalojnë mbi 5000 automjete ndërkaq, importi i mallrave nga Maqedonia në Kosovë në vitin e kaluar ka qenë mbi 150 milionë euro, ndërsa, eksporti nga Kosova në Maqedoni ka qenë mbi 35 milionë euro. Kjo atuostradë shihet edhe si alternativë e vetme e lidhjes së Maqedonisë me autostradën Rruga e Arbrit që lidhë Maqedoninë, Kosovën dhe Shqipërinë.

LEXO MË SHUMË:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button