Maqedoni-Kosovë: Autostrada Shkup-Bllacë ende askund,mosndërtimi i rrugës Tetovë – Prizren e ul nivelin ekonomik

Që nga viti 2009 përflitet rregullimi i rrugës rajonale Tetovë – Prizren ndërkaq që nga atëherë e deri më sot ende nuk është bërë analizë fizibiliteti nëpërmjet së cilës do të vlerësohej gjeografikisht, ekonomikisht dhe moralisht dobia e kësaj rruge rajonale, ku për shkak të 70 kilometrave qytetarët e rajonit të Pollogut nuk mund t’i afrohen Detit Adriatik, shkruan Portalb.mk.

Rruga Tetovë - Prizren mbetet premtim në letër

Rruga Tetovë – Prizren

“Për rrugën Tetovë – Prizren ende nuk ka analizë fizibiliteti për rëndësinë ekonomike të saj, prandaj edhe nuk mund të flasim se a do të ndërtohet apo jo. Tash për tash nuk parashihet një gjë e tillë”, thanë për Portalb.mk nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë.

Nevoja për rrugë rajonale Tetovë – Prizren u aktualizua pasi që Qeveria e Kosovës më parë u deklarua se me përfundimin e autostradës Prishtinë – Kosovë do të nisin punimet në rrugën rajonale Prizren – Tetovë. Nga atje njoftuan se autostrada Kosovë-Maqedoni do të jetë gati deri në fund të vitit 2018.

“Kosova dhe institucionet e saj kanë vullnet dhe gatishmëri që të ndërtohet rruga Prizren – Tetovë. Kjo rrugë sipas pjesës kosovare, është prioritet pas përfundimit të autostradës Prishtinë-Shkup”, thanë përfaqësues të shoqatës së biznesmenëve të Prizrenit gjatë qëndrimit në Tetovë më 16 nëntor të 2014-s.

Ndërsa në mesin e qershorit të 2013-s, ish-zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamed Hoxha tha se “Projekti studimor ende nuk është përfunduar. Pasi i njëjti të përfundojë atëherë do të shohim se si do të veprojmë për të gjetur mënyra që ai të fillojë dhe të realizohet në praktikë. Por presim se si do të jenë rezultatet nga ky studim”.

Analizë fizibiliteti: si dhe pse bëhet?

Mosparashikimi i rrugës rajonale Tetovë – Prizren me ciklin e investimeve arsyetohet me “mungesë të analizës së fizibilitetit”, megjithatë sipas profesorit të ekonomisë, Abdulmenaf Bexheti një analizë fizibiliteti do të bëhej shumë shpejtë, por vetëm nëse do të kishte “vullnet institucional-politik”.

“Mungon vullneti institucional-politik që të bëhet një fizibilitet ekonomik, sepse nëse ka vullnet politik, fizibiliteti kërkohet dhe bëhet analiza. Udhëheqësit institucional kanë promovuar ndërtim të kësaj rruge pa bërë asnjë analizë paraprake për arsyeshmërinë e tyre ekonomike. Fizibiliteti ekonomik do të impaktonte në mënyrë të konsiderueshme zhvillimin ekonomik të rajonit të Pollogut”, tha Bexheti.

Prof.dr. Abdulmenaf Bexheti, anëtar i ASHAM-it

Profesori universitar, Abdulmenaf Bexheti

Sipas profesorit Abdulmenaf Bexheti, analiza e fizibilitetit do të ndihmonte të kuptohet se sa ka leverdi nga ndërtimi i rrugës Tetovë – Prizren dhe se si do të duhej të bëheshte ajo.

“Kjo analizë do të ndihmonte të kuptohen se sa do të ndikonte në shkëmbimin tregtar dhe matjen e kostove duke u analizuar edhe përfitimet direkte edhe ata indirekte. Analizohen edhe kostot direkte edhe kostot jodirekte. Nga njëra anë llogariten përfitimet kurse nga ana tjetër llogariten edhe kostot. Te llogaritja e përfitimeve ka faza të cilat përfshijnë përfitimet direkte dhe janë përfitimet indirekte. Kemi edhe përfitime materiale edhe jo materiale. Ka përfitime edhe të komponentëve morale e shpirtërore, por që ato nuk mund të llogariten dhe maten. Të gjitha këto parashohin edhe atë se cilat do të ishin kostot e cilat janë trasat e ndërtimi, e përpunimit të tokës”, sqaroi më tej Bexheti.

 

Se sa korsi do të duhej të ishte kjo rrugë rajonale, Bexheti u shpreh: “Mjafton të jetë me dy korsi pasi që tereni gjeografik nuk lejon më shumë sepse edhe frekuenca nuk mund të dihet pa u vënë në funksion rruga”, tha Bexheti.

Mosndërtimi i rrugës Tetovë – Prizren uli nivelin ekonomik

Sipas profesorit Abdulmenaf Bexhetit: “Ndërtimi i rrugës do të shkurtonte relacionet dhe do ta bënte transportin shumë më efikas duke sjellë edhe kosto më të ulëta për ndërmarrësit”, gjë e cila do të pengonte uljen e nivelit të zhvillimit ekonomik në Rajonin e Pollogut.

Drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Drilon Iseni

Drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Drilon Iseni

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në vazhdimësi kanë alarmuar për humbjen tregtare të Maqedonisë nga Kosova, e cila krahas mosndërtimit të autostradës Shkup- Bllacë është ndikuar edhe nga mosndërtimi i rrugës rajonale Tetovë- Prizren.

“Mosparashikimi i autostradës Tetovë – Prizren ndikon në rënien e shkëmbimit tregtar me Kosovën që është e dukshme në katër vitet e fundit dhe rritjen e shpenzimeve të transportit. Nëse do të krahasonim shkëmbimin tregtar midis Maqedonisë dhe Kosovës, mund të konstatojmë se Maqedonia ndër vite po e humb tregun e Kosovës, nga gati 420 milionë euro në vitin 2011, në vitin e kaluar ka pasur shkëmbim prej 212 milionë euro. Këto barriera infrastrukturore dukshëm e pengojnë qarkullimin drejt vendit fqinj. Nëse ne nuk ndikojmë që ti shfrytëzojmë tregjet fqinje, ato evropiane apo globale shumë më vështirë do ta kemi, prandaj kërkojmë që projekti i premtuar shumë herë dhe aq i përfolur të realizohet në periudhën sa më të shpejtë”, tha për Portalb.mk, drejtori i OEMVP-së, Drilon Iseni.

Në bazë të përllogaritjeve që janë bërë më herët vlerësohet se ky projekt kushton rreth 40 milionë euro, duke përfshirë edhe ndërtimin e dy tuneleve.

Përndryshe, nga Tetova deri në Prizren udhëtojmë 162 kilometra, ndërsa nga Tetova deri në Tiranë duhet të kalojmë 380 kilometra, ndërsa këtë mund ta bëjmë për 190 kilometra nëse do të ndërtohej kjo rrugë.

Përndryshe, që nga viti 2012, ish pjesëtari i OEMVP-së, Shefki Aliti tha se “Autostrada drejt Shqipërisë ka qenë e paraparë në buxhet, si për fillim me 500.000 euro për studim për arsyetimin ekonomik, por me rebalancin këto para ishin shkurtuar”.

Sa i takon rrugës Tetovë – Prizren, për këtë në “Bombën 38” të publikuar në mesin e qeshorit të 2015-s, ish-zëvendësi i ministrit të Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë Tahir Hani nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim u dëgjua duke kërkuar nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti që të intervenojë te ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski nga radhët e VMRO-DPMNE-së i cili nuk kishte dashur të dëgjojë për përgatitjen e fizibilit studimit, premtim parazgjedhor i vetë Ahmetit.

Për dy vjet, për sa pritet të përfundojë cikli i investimeve nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve (MTL), në Maqedoni pritet të shpenzohen 86 milionë euro për rregullimin e 26 rrugëve që në total paraqet 420 kilometra, mirëpo në këtë cikël investimeve parashihet rekonstruimi i rrugës Shkup- Bllacë, por jo ndërtimi i rrugës Tetovë- Prizren.

LEXO MË SHUMË:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP