Takimi Haradinaj- Zaev, nënshkruhen dhjetëra marrëveshje bilaterale e dokumente bashkëpunimi

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë, është shprehur i lumtur për takimin e tij që e realizoi me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Siç bëri të ditur Zaev pas takimit, në takim janë nënshkruar 19 marrëveshje bilaterale dhe 16 dokumentet për rritjen e bashkëpunimit Maqedoni – Kosovë në interes të qytetarëve të të dyja shteteve, njofton Portalb.mk.

“Maqedonia dhe Kosova kanë marrëdhënie dhe bashkëpunim pozitiv e konstruktiv në të gjitha nivelet. Jemi këtu për të shkuar një hap tutje; për të hapur mundësi të reja për promovimin dhe thellimin e marrëdhënieve tona. Ndjehem i lumtur që jam kryeministri i parë i Maqedonisë që erdha për vizitë në Kosovë. Me republikën e Kosovës janë nënshkruar 19 marrëveshje bilaterale dhe 16 dokumente të tjera kurse po punohet për nënshkrim edhe të 20 dokumenteve të reja”, tha Zaev.

Ndërkaq homologu i Zaevit, Ramush Haradinaj duke vlerësuar se “Maqedoninë dhe Kosovën si shtete fqinje i bashkon perspektiva euro-atlantike” ai tha se obligimet e marra do të përfundojnë në seancën qeveritare Maqedoni – Kosovë.

“Me vizitën e sotme nënkuptohet që marrëdhëniet do të përparojnë, edhe pse janë të mira. Kemi marrë plot obligime që besoj se do t’i realizojmë në takimet e dy qeverive”, tha Haradinaj.

Haradinaj - Zaev
Haradinaj – Zaev

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev edhe zyrtarisht ftoi kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj që në fillim të 2018-s të vjen në Maqedoni për të mbajtur seancën e përbashkët Maqedoni – Kosovë.

“Në këtë seancë do të nënshkruhen edhe 20 dokumentet të cilat po përgatiten nga të dyja shtetet”, tha Zaev.

Siç vlerësoi Zaev, qëllimi i nënshkrimit të këtyre dokumenteve ndërlidhet me aspiratën euro-atlantike të Maqedonisë dhe Kosovës.

“Kjo bëhet pasi që të dyja shtetet kemi aspirata euro-atlantike dhe kështu do të ndihmojmë njëri – tjetrin dhe kështu do të mund të kemi një të ardhme më të mirë evropiane”, tha Zaev.

LEXO MË SHUMË NË LIDHJE ME TAKIMET E SOTME TË ZAEVIT NË KOSOVË:

____________________________________________________________________

09:00 – Takimi mes Zoran Zaevit e Ramush Haradinajt nisi me gjysmë ore vonesë.

Ka nisur në orën 9:00 takimi mes kryeministrave të Kosovës e Maqedonisë Ramush Haradinaj e Zoran Zaev.

Takimi ishte paraparë të niste në orën 8 e 30, por ka nisur në ora 9:00.

Është paraparë që takimi mes dy kryeministrave të zgjasë 1 orë e gjysmë.

Para takimit për Zaev-in u shtrua tepihu i kuq dhe prania e tij u nderua nga Njësiti Ceremonial i FSK-së.

Vizita e Kryeministrit Zaev është e para zyrtare e një kryeministri të Maqedonisë në Kosovë.

Haradinaj - Zaev
Haradinaj – Zaev

___________________________________________________________________

08:20- Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev sot do të qëndrojë për një vizitë zyrtare njëditore në Kosovë.

Zaev do të takohet me homologun e tij kosovar, Ramush Haradinaj, me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi si dhe me kryetarin e Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, kryeministri i Maqedonisë do të takohet me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit maqedonase- kosovare.

Në delegacionin që do të udhëhiqet nga kryeministri Zaev do të jenë edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski, ministri i Kulturës Robert Alagjozovski, si dhe ministri pa portofol përgjegjës për Diasporën, Edmond Ademi.

Vizita e Zaev është vizita e parë zyrtare e një kryeministri të Republikës së Maqedonisë në Republikën e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button