Zyrtare: Ja sa vota mori Ganiu dhe sa Ibrahimi në vendvotimin 2901 në Çair (VIDEO)

Visar Ganiu i Bashkimit Demokratik për Integrim do të udhëheqë me Komunën e Çairit për katër vitet e ardhme. Në ri-votimin e sontëm në vendvotimin 2901 në Çair, siç konfirmon për për Portalb.mk, Xhemil Idrizi, kryetar i Komisionit Komunal Zgjedhor në Çair, Ganiu ka marrë 169 vota ndërsa kundërkandidati i tij, Zeqirja Ibrahimi nga Lëvizja Besa i cili e pranoi humbjen, ka marrë 98 vota. Vetëm 5 fletëvotime ishin të pavlefshme.

Sot kanë dalur të votojnë 272 votues nga 719 sa numëron ky vendvotim.

19.00- Përfundoi rivotimi në vendvotimin 2901 në Çair.

18.55 – Deri në këto momente në vendvotimin 2901 të Komunës së Çairit kanë dalur të votojnë 272 votues nga 719 sa numëron ky vendvotim, raporton Portalb.mk.

“Gjithçka në rregull ka shkuar. Shpejtë do e mbyllim votimin.” u shpreh për Portalb.mk, Xhemil Idrizi, kryetar i Komisionit Komunal Zgjedhor në Çair.

Xhabir Deralla nga OJQ Civil e cila e ka vëzhguar procesin tha se gjithçka ka qenë në rregull në vendvotim dhe se të gjithë qytetarët kanë qenë në listë.

“Kemi informata nga terreni, disa qytetarë thanë se kanë pasur pengesa për votim. Ne do t’i hulumtojmë këto denoncime. Shohim dhe prani të madhe të policisë por kjo tregon se policia është e gatshme për intervenim dhe është për të përshëndetur. Kemi parë aktivistë partiakë duke lëvizur, por larg vendvotimit dhe nuk kanë penguar procesin” tha Deralla.

Policia në vendvotim
Policia në vendvotim

17:40 – Deri në këto momente në vendvotimin 2901 të Komunës së Çairit kanë dalur të votojnë 252 votues nga 719 sa numëron ky vendvotim, raporton Portalb.mk.

“Jo ma shumë se herët e kaluara. Nuk besojmë që do të rritet numri i votuesve më. Votimi ka rrjedhur shumë mirë pa asnjë problem” u shpreh për Portalb.mk, Xhemil Idrizi, kryetar i Komisionit Komunal Zgjedhor në Çair.

15:50- Deri në këto momente në vendvotimin 2901 të Komunës së Çairit kanë dalur 30% e numri të përgjithshëm të votuesve, raporton Portalb.mk.

“Në vendvotimin 2901 deri në ora 15:45 kanë dalur 30% nga numri i përgjithshëm i votuesve. Numri gjithsej i votuesve është 215 deri në këto momente”, tha Burim Amiti, kryetar i Komisionit Komunal Zgjedhor në vendvotimin 2901 ku po rivotohet sot.

_______________________________________

14.00- Burim Ameti, kryetar i komisionit komunal zgjedhor në vendvotimin 2901 shprehet për Portalb.mk se nuk ka asnjë problem në vendvotim dhe kanë dalë 185 votues deri më ora 14.00.

“Procesi zgjedhor në vendvotimin 2901 ka ecur mirë deri në këto momente. Rregullshmëri në dalje ka por jo si në rrethin e dytë të votimeve. Deri në këto momente kanë dalur rreth 185 votues dhe presim fluksi të rritet”, tha Ameti.

13.30 – Vëzhguesit e Civilit konstatojnë se rivotimi në vendvotimit 2901 në Çair po zhvillohet qetë dhe pa jehonë të madhe në pjesën e parë të ditës zgjedhore.

Siç kumtojnë deri në orën 12:30 në votim kanë dalë 130 qytetarë nga gjithsej 719 votuesit e regjistruar.

11.00 – Burim Ameti, kryetar i komisionit komunal zgjedhor në vendvotimin 2901 shprehet për Portalb.mk se votimi është duke u zhvilluar në atmosferë të qetë dhe kutitë janë hapur në kohë.

“Në ora 7 jemi hapur, gjithçka shkon mirë. Deri më tani kanë votuar 60 persona, nëse bëjmë krahasim me herën e kaluar janë më pak votues sot. Por presim në vijim dalja në votim të rritet” tha Ameti.

Gazetarja jonë në terren ka vërejtur prani të madhe të policisë të cilët e sigurojnë vendin.

Policia e Maqedonise

10.00- Në Çair votimi filloi në kohë dhe po zhvillohet pa pengesa.

Rivotimi në vendvotimin 2901 në komunën e Çairit ku përsëritet votimi nga raundi i dytë i Zgjedhjeve lokale, filloi në kohë dhe zhvillohet pa pengesa, informojnë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, njofton Portalb.mk.

Maqedoni zgjedhje votim

07.00 – Kush do të jetë kryetar i Komunës së Çairit, do të vendosin banorët e tre rrugëve të cilët sot votojnë në vendvotimin 2901, pasi që Gjykata Administrative e pranoi ankesën e Lëvizjes Besa, ku më pas edhe KSHZ e miratoi vendimin për rivotim, ku më herët i kishte refuzuar të gjitha ankesat.

Dje votuan personat e sëmurë dhe të dobët. Nga Komsioni Komunal i Zgjedhjeve në Çair, për MIA-n deklaruar se tre persona të sëmurë janë paraqitur për të votuar, prej të cilëve të drejtën e votës e realizuan dy.

Rezultatet e këtij vendvotimi janë vendimtare. Këtu janë të regjistruar 719 votues, e cila është më tepër se e mjaftueshme për ndryshimin e rezultateve përfundimtare për kryetar të kësaj komune.

Kandidati për kryetar nga radhët e BDI, pas rrethit të dytë ishte në avantazh prej 209 votave në nivel të komunës.

Lëvizja Besa, e pakënaqur nga forma e zbatimin të procesit zgjedhor në rrethin e dytë në Çair, ku në KSHZ ka parashtruar 89 ankesa. Ankesat që ishin për vendvotimet në Çair, më së shumti kishte të bëjë me numërimin e votave, ku përfaqësuesit e autorizuar të partisë i kanë vlerësuar si të pavlefshme fletëvotimet të cilat, sipas asaj që thuhet në ankesë, se qartë shihet dëshira e shprehur e votuesve, gjegjësisht për kandidatin e tyre për kryetar.

“Në vendvotimin 2901, Komuna e Çairit, gjatë mbledhjes dhe konfirmimit të votave, votat që i janë besuar Besës konsiderohen si të pavlefshme edhe pse qartë është parë dëshira e shprehur e votuesve. As gjatë procedurës së votimit, as gjatë procedurës së numërimit dhe konfirmimit të rezultateve, përfaqësuesit tanë të autorizuar janë ballafaquar me presion të madh që të mos regjistrojnë vërejtjet e tyre në procesverbalin me numër 16. Gjithashtu, mbi të është kryer presion edhe më i madh që të mos regjistrojnë vërejtje në Komisionin Komunal Zgjedhor në afat prej 5 orëve pas përfundimit të votimit, në përputhje me nenin 117 paragrafi 6 nga Kodi Zgjedhor”, qëndron në ankesën e Besës, konkretisht për vendvotimin 2901 ku do të rivotohet, transmeton “Civil“.

Procesi zgjedhor në Çair deri tani, në dy rrethet zgjedhore, sipas të dhënave dhe raporteve të Civilit, ka filluar me shkelje të heshtjes zgjedhore, ndërsa vazhdon me tentim për ryshfet të votuesve, si dhe nuk ka munguar edhe shkelja e të drejtës së votës, problemi me Listën Zgjedhore, votimi familjarë dhe në grup dhe sjellje jo të ligjshme të Këshillave Zgjedhore. Në disa momente, janë paraqitur edhe konflikte verbale dhe fizike, ku në njërin rastin kanë marr pjesë aktivistë të BDI dhe Besa.

Vendvotimi 2940, Sh.F. “Rajko Zhinzifov” është treguar si më problematike, duke plotësuar çdo kategori të parregullsive zgjedhore, në bazë të së cilave janë udhëhequr vëzhguesit e Civilit në dy rrethet e zgjedhjeve lokale.

CIVIL – Qendra për Liri do të vëzhgojë rivotimin sot. Në organizatë konstatohet se paqartësia do të zgjatë deri në konfirmimin e rezultatit zyrtar. Nuk janë të përjashtuara edhe tentimet për ryshfet të votuesve, kërcënimet dhe presionet, si mjete të “zakonshme” të agjitimit partiak dhe propagandës.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button