Helmi i padukshëm nën këmbët tona, mbi 13 pika të nxehta në RMV presin sanimin, ligji mbetet në sirtar

Toka është një nga pjesët më pak të dukshme, por më të rëndësishme të mjedisit jetësor. Kur ndotet ajri pasojat shpesh vihen re menjëherë. Kur ndoten lumenjtë ndryshimet mund të shihen edhe me sy. Por, ndotja e tokës mund të mbetet e fshehur nën sipërfaqe për vite me radhë, përderisa substancat e rrezikshme gradualisht përhapen në mjedisin përreth, shkruan Racin, transmeton Portalb.mk.

Pikërisht për këtë rrezik paralajmëron organizata ekologjike “Eko-Svest”, e cila më 16 tetor kërkoi nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor që ta publikojë urgjentisht projekt-ligjin për mbrojtjen e tokave dhe të hapë konsultim publik.

Sipas kësaj organizate projekt-ligji është hartuar nga ekspertë të jashtëm dhe është dorëzuar pranë Ministrisë, por ende nuk është publikuar për diskutim publik. Nga “Eko-Svest” paralajmërojnë se me ndryshimet e fundit në Ligjin për Mjedisin Jetësor janë fshirë dispozitat për menaxhimin e zonave të kontaminuara, duke i lënë këto lokacione pa kornizën e duhur ligjore për menaxhim.

Problemi nuk është vetëm te miratimi i edhe një ligji tjetër. Bëhet fjalë për atë se kush do t’i identifikojë zonat e ndotura, kush do ta masë rrezikun, kush do ta marrë përgjegjësinë për sanimin dhe nga cilat mjete do të financohet pastrimi.

Nga OHIS-i deri te mbetjet e tjera minerale nga minierat: Harta e ndotjes shumëvjeçare

Nga “Eko-Svest” thonë se Maqedonia po përballet me ndotje historike në të paktën 13 lokacione. Nga ana tjetër dokumente dhe hulumtime më të vjetra shtetërore kanë evidentuar edhe 16 lokacione të kontaminuara industriale, varësisht nga shtrirja dhe periudha e inventarizimit. Kjo nuk është provë se të gjitha lokacionet sot kanë të njëjtin nivel rreziku, por tregon për shkallën dhe kohëzgjatjen e problemit.

Ohis. Foto: Inspektorati i Mjedisit Jetësor

Ndër pikat më të rëndësishme të nxehta është ish-kompleksi kimik OHIS në Shkup, shkritorja e plumbit dhe cinkut në Veles, miniera e Llojanës, minierat Sasa, Zletovo dhe Toranica, miniera e bakrit Buçim, ish-kompleksi industrial Jugohrom në Jegunovcë, si dhe lokacione të lidhura me kapacitete energjetike dhe metalurgjike në Manastir, Kavadar dhe Shkup. Këto lokacione dallojnë sipas llojit të industrisë, ndotësve dhe statusit të punës transmeton Portalb.mk. Në OHIS një nga problemet më të njohura ekologjike janë mbetjet e kontaminuara me lindan, kimikat nga grupi HCH që është përdorur si insekticid. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor dhe partnerët ndërkombëtarë po punojnë për largimin e mbetjeve të kontaminuara nga deponia e vogël, ndërsa deponia e madhe mbetet sfidë e veçantë për sanim.

Në Veles hulumtimet shkencore të tokës në rrethinën e ish-shkritores së plumbit dhe cinkut kanë konstatuar përqendrime të rritura të më shumë elementeve potencialisht toksike, si plumb, kadmium, cink, arsen dhe zhivë. Hulumtimi i publikuar në Journal of Hazardous Materials ka nxjerrë në pah se përqendrimet e kadmiumit në një pjesë të lokacioneve të ekzaminuara kanë qenë tre herë, ndërsa të plumbit dhe cinkut dy herë më të larta se vlerat intervente referente sipas standardeve holandeze të aplikuara në studim. Këto rezultate u referohen lokacioneve të ekzaminuara dhe nuk do të thotë se e gjithë toka në Veles ka të njëjtën shkallë të kontaminimit.

Në Llojan tek ish-miniera e arsenit dhe antimonit, hulumtime shkencore kanë dokumentuar kontaminim të tokës, sedimenteve dhe ujërave nëntokësore. Analizat tregojnë për arsen dhe antimon, por edhe për zhivë, talium, plumb dhe molibden. Hulumtuesit paralajmërojnë se mbetjet nga aktiviteti minieror dhe mbetjet e depozituara paraqesin burim potencial të ndotjes për zonën më të gjerë mes Llojanës, Vaksincës dhe Tabanocit.

Arseni dhe mbeturinat e tjera minerale në minierën “Llojan”. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Te minierat e plumbit dhe cinkut, si dhe te kapacitetet minerore dhe metalurgjike, rreziku buron nga deponitë e mbetjeve minerale, mbetjet e flotacionit dhe materialet që përmbajnë metale. Përshkrimi zyrtar i gjendjes me tokat në Maqedoni tregon se ndotja mund të përhapet edhe përmes ujërave të lumenjve që përdoren për ujitje, si dhe përmes pluhurit që shtresohet mbi tokë dhe bimë.

Cilat substanca janë të rrezikshme dhe çfarë mund të shkaktojnë ato?

Jo çdo element kimik në tokë automatikisht paraqet rrezik. Rreziku varet nga përqendrimi, forma kimike, lëvizshmëria e materies, mënyra e ekspozimit dhe kohëzgjatja. Mirëpo, te disa nga ndotësit e identifikuar në pikat e nxehta ekologjike në Maqedoni efektet shëndetësore janë të dokumentuara mirë.

Plumbi: Është posaçërisht i rrezikshëm për fëmijët, pasi mund ta dëmtojë përgjithmonë zhvillimin e trurit dhe sistemit nervor, të ndikojë në aftësinë për të nxënë dhe në sjelljen e fëmijës. Tek të rriturit lidhet me tensionin e lartë të gjakut, problemet kardiovaskulare dhe dëmtimin e veshkave. Ekspozimi është i mundur përmes marrjes së pluhurit, tokës, ujit ose ushqimit të kontaminuartransmeton Portalb.mk. Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë theksojnë se nuk është definuar asnjë nivel i ekspozimit ndaj plumbit për të cilin dihet se është tërësisht i parrezikshëm.

Kadmiumi: Ky metal toksik mund të akumulohet në organizëm dhe t’i dëmtojë veshkat, eshtrat dhe sistemin respirator. Është klasifikuar si kancerogjen për njerëzit. Nëse gjendet në tokën ku kultivohet ushqim, atëherë është e rëndësishme të hulumtohet nëse dhe në çfarë mase depërton në produktet bujqësore.

Arseni: Komponimet inorganike të arsenit janë posaçërisht toksike. Ekspozimi afatgjatë përmes ujit dhe ushqimit të ndotur mund të shkaktojë ndryshime në lëkurë, probleme kardiovaskulare, çrregullime në zhvillim dhe lloje të ndryshme të kancerit, përfshirë këtu kancerin e lëkurës, fshikëzës së urinës dhe mushkërive. Prandaj është tejet e rëndësishme të hulumtohet nëse ndotja e tokës ndikon në ujërat nëntokësore dhe ujin që përdoret për pije apo ujitje.

Antimoni, zhiva dhe metale të tjera: Efektet e tyre varen nga forma kimike dhe doza. Zhiva mund ta dëmtojë sistemin nervor dhe veshkat, ndërsa disa komponime të antimonit mund të shkaktojnë efekte toksike në mushkëri, zemër dhe sistemin tretës. Prania e këtyre substancave në mostra të tokës apo ujit kërkon vlerësim të ekspozimit konkret, e jo konstatim automatik se popullata tashmë vuan nga pasojat shëndetësore.

Lindani dhe komponimet e lidhura HCH: Për dallim nga metalet, këtu bëhet fjalë për kimikate organike që janë përdorur si pesticide. Lindani është një ndotës organik i qëndrueshëm, ndërsa ekspozimi mund të ndikojë në sistemin nervor. Prania e gjatë e mbetjeve të kontaminuara është problem sepse nuk mund të zgjidhet vetëm me mbulimin e deponisë ose me largimin e mbetjeve të dukshme pa vlerësim dhe sanim të duhur.

Ndotja jo gjithmonë mbetet në vendin ku ka filluar

Rreziku më i madh nga toka e kontaminuar është mundësia që ndotësit të barten në pjesë të tjera të mjedisit jetësor.

Pluhuri nga terrenet e ndotura mund të shpërndahet me erën dhe të thithet. Të reshurat mund t’i përcjellin ndotësit në ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore. Në kushte të caktuara bimët mund të thithin metale nga toka, ndërsa uji i ndotur për ujitje mund të kontribuojë në kontaminimin e sipërfaqeve bujqësore, transmeton Portalb.mk. Kjo nuk do të thotë se të gjithë ndotësit sillen njësoj apo se çdo kulturë bujqësore i thith ata në masë të barabartë. Por, pikërisht për këtë arsye është e domosdoshme marrja sistematike e mostrave, kryerja e analizave laboratorike dhe vlerësimi i rrezikut për lokacionet konkrete.

Nëse këto kontrolle nuk bëhen rregullisht, institucionet nuk kanë mjaftueshëm të dhëna për të përcaktuar se cilat zona duhet të rrethohen me urgjencë, cilat mund të përdoren me kufizime dhe ku është i nevojshëm sanim i plotë.

Arseni dhe mbeturinat e tjera minerale në minierën “Llojan”. Foto: Portalb.mk

Çfarë ndodh nëse shteti vazhdon të presë?

Shtyrja e mbrojtjes së tokave mund t’i rrisë shpenzimet për sanim të ardhshëm, ta zgjasë periudhën e ekspozimit dhe ta vështirësojë identifikimin e përgjegjësisë për ndotjen. Nëse nuk dihet saktë se kush është pronari apo përgjegjësi për terrenin e kontaminuar, problemi mund të mbetet pa financim dhe pa plan të qartë për zgjidhje.

Pasojat janë edhe ekonomike. Toka e ndotur mund ta kufizojë përdorimin e tokës, ta zvogëlojë vlerën e saj dhe të krijojë pasiguri për bujqësinë, ndërtimtarinë dhe zhvillimin lokal. Dhe kur ndotësit barten përmes ujit apo pluhurit pasojat nuk kanë pse të mbeten të kufizuara brenda kufijve të kompleksit industrial.

Prandaj, vetëm ligji nuk është i mjaftueshëm. Duhet përpiluar regjistër kombëtar i lokacioneve të kontaminuara, të përcaktohen kritere të qarta për përcaktimin e rrezikut, monitorim i rregullt, rregulla për sanim dhe informacion transparent për publikun. Nevojiten edhe mekanizma financimi, si dhe një ndarje e qartë e detyrimeve midis shtetit, operatorëve dhe pronarëve në përputhje me ligjin.

Ligji është fillimi, e jo fundi i sanimit

Kërkesa e “Eko-Svest” për publikimin urgjent të projekt-ligjit dhe konsultim publik hap një pyetje qenësore për politikën shtetërore ndaj ndotjes: a do të vazhdojë Maqedonia t’i trajtojë pikat e nxehta industriale si probleme të ndara e të përkohshme, apo do vendosë sistem për menaxhimin e tyre.

Konsultimi publik është i rëndësishëm sepse në të duhet të marrin pjesë shkencëtarë, komunitete lokale, organizata të shoqërisë civile, industria dhe institucionet që do ta zbatojnë ligjin. Mirëpo, pas miratimit do të duhet të pasojnë edhe aktivitete konkrete: hulumtime, prioritete për sanim, buxhet dhe kontroll i rezultateve.

Paralajmërimi më i rëndësishëm është se toka nuk mund të mbrohet vetëm me deklarata. Nëse lokacionet e kontaminuara mbeten pa mbikëqyrje të rregullt, pa përgjegjësi të qartë dhe pa plan sanimi, ndotja mund edhe më tej të ndikojë në ujin, ushqimin dhe mjedisin përreth edhe gjatë kohë pas mbylljes së fabrikave apo minierave.

Pa dallim nëse është e trashëguar apo akute, Maqedonia duhet të vendosë sistem që do të parandalojë që ndotja e tokave të shndërrohet në barrë edhe më të madhe ekologjike dhe shëndetësore.

EkologjiHelmimInspektorati komunal ekologjikInspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor (Ekologjik) RMVLindani në OhisLlojaniMinistria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH)Mjedisi jetësorNdotja e ajrit - ajër i ndoturNdotja e tokës mbeturinaOHIS