Xhulian Shabani është zgjedhur zëvendësdrejtor i Radio Televizionit të Maqedonisë (RTVM), përcjell TV21. Nga 8 kandidatë në konkurs, programi i punës i Xhulian Shabanit u zgjodh si më i miri.
Shabani ka përfunduar Fakultetin e Administratës dhe Menaxhmentit, ndërsa më pas ka kryer magjistraturën në Komunikim Ndërkombëtar, duke kombinuar përgatitjen akademike me përvojën në sektorin mediatik.
Ndryshe, zëvendësdrejtori i fundit në RTVM, ishte Harun Ibrahimi, ndërkohë për shkak se i njëjti kishte dalë në pension, nga viti 2021, RTVM kishte mbetur pa përfaqësues shqiptar.
Ndërkohë BDI ka bërë thirrje për hetim ndaj emërimit, pasi sipas BDI-së i njëjti para një muaji nuk i ka plotësuar kushtet për tu zgjedhur në atë pozicion.
“Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër vendimin skandaloz të Këshillit Programor të Radio Televizionit të Maqedonisë për emërimin e zëvendësdrejtorit, në kundërshtim flagrant me ligjet dhe çdo standard profesional. Zëvendësdrejtori i emëruar nga anëtarët e VMRO-DPMNE dhe VLEN në Këshillin Programor provimin e parë në arsimin e lartë e ka dhënë në vitin 2020, ndërsa ka diplomuar katër vite më pas, në 2024. Përvojë pune me më shumë vite, drejtori i emëruar ka në tregti me tekstil, ndërkohë që as edhe një ditë punë në gazetari. BDI vlerëson se ky vendim përbën precedent të rrezikshëm dhe sinjal alarmi për politizimin e plotë të mediave publike. RTVM po shndërrohet në vegël partiake, duke humbur funksionin e saj si shërbim publik i pavarur. Kërkojmë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që menjëherë të hapë procedurë dhe të anulojë këtë emërim të paligjshëm. Njëkohësisht, i bëjmë thirrje Prokurorisë që të veprojë pa vonesë për të hetuar përgjegjësinë penale të anëtarëve të Këshillit Programor. U bëjmë thirrje edhe Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Këshillit të Etikës në Media dhe faktorëve ndërkombëtarë që të reagojnë fuqishëm ndaj këtij politizimi të hapur. Kapja e institucioneve nuk do të kalojë pa përgjegjësi. RTVM nuk është pronë e asnjë partie – është e qytetarëve”, thuhet në reagimin e BDI-së.