Një pjesë e bulevardit “Ilinden” në Tetovë, pranë kryqëzimit me bulevardin “Vidoe Smilevski Bato” (Industrial), mbetet pa ndriçim publik gjatë natës, duke ngritur shqetësime për sigurinë në këtë zonë, ku çdo ditë kalojnë nxënës të dy shkollave të mesme dhe studentë të dy universiteteve. Mungesë ndriçimi ka edhe në një pjesë të bulevardit Industrial, komuna arsyetohet, transmeton Portalb.mk.
Qytetarët janë ankuar përmes mediave për këtë problem duke kërkuar zgjidhje, pasi mungesa e ndriçimit përbën rrezik për aksidente të trafikut.
Ndonëse qytetarët paguajnë rregullisht nga 184 denarë taksë të detyrueshme për ndriçimin publik në faturat e rrymës, marrja e shërbimit nuk është në nivelin e duhur.
Nga ana tjetër Komuna e Tetovës arsyetohet se në këtë rajon është i instaluar një sistem matës i cili monitoron konsumin e energjisë elektrike. Siç thonë, në rastet kur konsumi tejkalon kapacitetin e përcaktuar, aktivizohet siguresa automatike, duke shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike dhe, si pasojë, mbetjen e zonës pa ndriçim publik.
“Me këtë rast, apelojmë te të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë në përdorimin racional të ndriçimit publik, duke shmangur keqpërdorimet dhe ngarkesat e panevojshme të sistemit elektrik. Njëkohësisht, theksojmë se problemi është evidentuar dhe do të punohet në drejtim të identifikimit të zgjidhjes përkatëse teknike, me qëllim që ndërprerjet e tilla të mos përsëriten dhe qytetarëve t’u sigurohet ndriçim publik i vazhdueshëm dhe funksional”, thanë nga Komuna e Tetovës për TV21.
Për këtë rast reaguan edhe nga BDI Dega e Tetovës, ata thonë se qytetarët e paguajnë ndriçimin publik dyfish, edhe kur rrugët mbeten në errësirë.
“Kërkojmë ndërhyrje konkrete, një afat të qartë për rikthimin e ndriçimit dhe transparencë për mirëmbajtjen e sistemit e shpenzimin e mjeteve që paguajnë qytetarët”, thonë nga partia opozitare.
Për këtë problem Portalb.mk ka raportuar edhe më heret.
Ndryshe, Komuna e Tetovës në vitin 2023 ia ka dhënë menaxhimin dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik një kompanie private përmes modelit të Partneritetit Publiko-Privat.