Vonesa të pagave në Klinikën e Fëmijëve, punonjësit protestojnë para Ministrisë së Financave

Punonjës të Klinikës së Fëmijëve kanë protestuar sot para Ministrisë së Financave, duke kërkuar pagesën e menjëhershme të pagave të papaguara, vazhdimin e kontratave të punës dhe zgjidhje të përhershme për statusin e tyre. Protestuesit shprehën shqetësimin dhe pakënaqësinë e tyre për faktin se që nga fillimi i vitit nuk kanë marrë paga, ndërsa në të njëjtën kohë kanë marrë përgjigje negative nga Ministria e Financave për vazhdimin e kontratave të tyre të punës, transmeton Portalb.mk.

“Nëse nuk ka pasur qëllim për vazhdimin e kontratave, atëherë pse përgjigjja është vonuar për pesë muaj? Për çfarë arsye punëtorët janë lënë të vazhdojnë punën deri në fund të muajit maj, ndërkohë që kërkesat kanë qenë në pritje që nga janari?”, tha Flora Gashi.

Sipas tyre, mbi 90 përqind e institucioneve shëndetësore kanë marrë përgjigje pozitive për vazhdimin e kontratave, ndërsa për Klinikën e Fëmijëve vazhdimisht janë dhënë përgjigje negative, pa argumente dhe pa sqarime të qarta.

Punonjësit theksuan se në mesin e tyre ka staf me deri në tetë vite përvojë pune të pandërprerë në institucion, të cilët çdo vit kanë dorëzuar kërkesa të ngjashme për vazhdimin e kontratave.

“Ne kemi punuar me përkushtim maksimal, kemi mbajtur ndërrime nate dhe kemi qenë pranë pacientëve çdo ditë. Sot po trajtohemi sikur puna dhe kontributi ynë nuk kanë pasur asnjë vlerë”, tha Gashi.

Protestuesit kërkuan pagesën e menjëhershme të pagave të mbetura, miratimin e pëlqimeve të punës, vendime të përhershme pune dhe trajtim dinjitoz për të gjithë punëtorët.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ata bënë të ditur se bëhet fjalë për rreth 50 punonjës, të cilët tashmë kanë gjashtë muaj pa marrë paga.

Lidhur me arsyetimin e Ministrisë së Financave për mosvazhdimin e kontratave, ata thanë se nuk kanë marrë një përgjigje konkrete.

“Një herë na është thënë se nuk ka buxhet për pagesa, herë të tjera nuk kemi marrë asnjë sqarim, por vetëm përgjigje negative”, u shpreh Gashi.

Punonjësit thanë se përgjegjësi kanë kërkuar si nga Ministria e Financave ashtu edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas tyre, ministri i Shëndetësisë ka pranuar publikisht se ka pasur gabime procedurale nga ana e institucionit që drejton, por pavarësisht përmirësimit të tyre, përgjigjja nga Ministria e Financave ka mbetur negative.

Protestuesit paralajmëruan se do të vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje urgjente, duke theksuar se durimi i tyre ka arritur kufirin dhe se mosvlerësimi i punëtorëve shëndetësorë paraqet goditje për të gjithë sistemin shëndetësor.

Në fund, ata u thirrën në mbledhje nga shefja e kabinetit të ministres së Financave, ku pasi u krye mbledhja thanë që kanë marrë premtim që do të angazhohen për të parë nëse situata ka ngecur në Ministrinë e Financave apo diku tjetër.

“I dhamë të dhënat, tani do ta fillojmë procedurën prej fillim. A është problemi te Ministria e Financave apo është problem administrativ. Për sot nuk besoj se do të kryhet diçka. Brenda javës, na thanë që do të kemi informatë. Nuk u takuam me ministren, por me sekretaren e ministres”, tha Sedat Bushi, njëri ndër përfaqësuesit e protestuesve.

Ministria e Financave (MF)Ministria e Shëndetësisë (MSH)Mjekësi Mjek(e) DoktorPaga - RrogaProtesta