Shkruan: Fatmir Sabriu
Në prill të këtij viti pas 16 vitesh pushtet ra Viktor Orbán. Në tetor pas 14 vitesh pushtet fati i njejti e ndoqi edhe partinë e Aleksandar Vuçiqit. Në Tiranë, studentët për disa muaj janë në rrugë dhe kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës. Dhe sot, më 3 nëntor, amerikanët votojnë në zgjedhjet e mesmandatit, ku demokratët janë konkurrues në shtete ku prej dekadash nuk kanë fituar asgjë.
Këto ngjarje duken të largëta nga njëra-tjetra, por realisht ato janë shumë të afërta dhe ngushtë të lidhura me njëra tjetrën. Ato tregojnë të njëjtën gjë: qytetari është i lodhur nga elitat që e kanë kapur shtetin dhe nga politika që flet për gjithçka, përveç jetës së tij të përditshme.
Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: a po shohim fundin e populistëve që sunduan me frikë, armiq të jashtëm dhe propagandë? A po po lind një politikë e re, që flet për vende pune stabile, qira të përballueshme, shëndetësi falas, drejtësi sociale, shtesa për fëmijë dhe arsim cilësor?
Në Serbi, gjithçka nisi me një tragjedi. Shembja e strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në nëntor të vitit 2024, u bë simbol i një sistemi ku korrupsioni vret. Studentët dolën në rrugë dhe nuk u kthyen më në shtëpi. Lëvizja e tyre rrëzoi fillimisht kryeministrin Vuçeviq, në janar të vitit 2025, dhe më pas e detyroi Vuçiqin të shkonte në zgjedhje të parakohshme.
Vuçiq dha dorëheqje nga posti i presidentit më 27 shtator, jo për t’u dorëzuar, por për të provuar të mbetej në pushtet si kryeministër. Llogaria i doli e gabuar. Më 25 tetor, Lista Studentore fitoi 52,7% të votave dhe 140 nga 250 ulëset, shumicë absolute pa asnjë partner koalicioni. Lista e Vuçiqit mori rreth 39%. Vetë Vuçiq e pranoi humbjen po atë natë duke thënë se: “Është e qartë se i humbëm këto zgjedhje.”
Në Hungari, skenari ishte i ngjashëm. Orbán kontrollonte median publike, pjesën më të madhe të medias private dhe gëzonte mbështetjen e hapur të Trump-it, deri te vizita e zëvendëspresidentit JD Vance një javë para votimit. Megjithatë, më 12 prill, partia Tisza e Péter Magyar fitoi rreth 53% të votave dhe 138 nga 199 ulëse, një shumicë prej dy të tretash, me pjesëmarrje rekord mbi 77% të qytetarëve të cilët ushtruan të drejtën e votës.
Magyar nuk është politikan i majtë, por ai fitoi duke folur kundër korrupsionit dhe për gjërat që i prekin njerëzit çdo ditë: shëndetësinë dhe transportin publik. Hungarezët nuk votuan për një ideologji. Votuan kundër një shteti të kapur dhe për një premtim të jetës normale.
A e pret i njëjti fat Edi Ramën? Askush nuk mund ta thotë me siguri. Partia Socialiste ka 83 nga 140 ulëset dhe qeveris e vetme. Por toni i rrugës ka ndryshuar. Prej muajsh, lëvizja “Flamingo” protestonte kundër një projekti luksoz turistik në jug dhe kundër korrupsionit. Prej 13 tetorit, studentët iu bashkuan me kërkesa për kushte më të mira në universitete, kosto më të ulëta të studimit dhe, mbi të gjitha, dorëheqjen e kryeministrit.
Përgjigjja e Ramës ka qenë e njohur për këdo që ka ndjekur Vuçiqin: protestat nuk janë studentore, pas tyre qëndrojnë “duar të huaja”. Kjo është gjuha e çdo pushteti që e ka humbur kontaktin me rrugën.
Ironia është e madhe. Rama drejton një parti që quhet socialiste, në pushtet prej vitit 2013, tani në mandatin e katërt. Megjithatë, Shqipëria ka pagën minimale më të ulët në rajon: 50.000 lekë, rreth 517 euro bruto sipas Eurostat-it, nën Maqedoninë e Veriut (586), Malin e Zi (670) dhe Serbinë (744). Ndërkohë, bregdeti u shit për resorte luksoze dhe të rinjtë largohen jashtë vendit.
Ky është mësimi i parë i kësaj vjeshte: etiketa e majtë nuk mjafton. Një qeveri që e quan veten socialiste, por që ndërton politika për oligarkët dhe investitorët e mëdhenj, ndëshkohet njësoj si një qeveri nacionaliste e djathtë. Qytetarët nuk i masin partitë sipas emrit, por sipas asaj që gjejnë në xhep, në spital dhe në shkollë.
Në anën tjetër të Atlantikut, sot po zhvillohet një provë tjetër. Sondazhet e fundit tregojnë se demokratët janë konkurrues aty ku deri dje askush nuk i merrte seriozisht.
Në Teksas, ku demokratët nuk kanë fituar një garë për Senat që nga viti 1988, James Talarico del para Ken Paxton-it me rreth 48% ndaj 46% në mesataren e sondazheve. Talarico, një ish-mësues 37-vjeçar, nuk ka bërë fushatë mbi luftërat kulturore. Mesazhi i tij qendror është se kriza e kostos së jetesës është pasojë e korrupsionit: ligjet shkruhen për miliarderët, ndërsa familjet punëtore paguajnë faturën. Ai propozon lehtësim tatimor për shtresën e mesme, rritje të pagës minimale, fshirje të borxheve mjekësore, sindikata më të forta dhe ndalimin e Super PAC-eve. Dhe e thotë hapur: miliarderët nuk shohin të kuq apo blu, por vetëm jeshile.
Në Michigan, Abdul El-Sayed, mjek dhe ish-zyrtar i shëndetit publik, udhëheq ndaj republikanit Mike Rogers 51% me 44% në sondazhin e fundit Mitchell. Nëse fiton, do të jetë senatori i parë mysliman në historinë e Senatit amerikan. Ai fushatën e ndërtoi mbi “Medicare for All”, shëndetësi publike për të gjithë, dhe mbi koston e lartë të karburantit. Fitoi primaret kundër kandidatëve të establishmentit demokrat, me mbështetjen e Bernie Sanders-it, dhe sot pothuajse të gjithë të rinjtë të moshës 18–44 vjeç e mbështesin si senatorin e tyre të ardhshëm.
Në Karolinën e Veriut, ku demokratët nuk kanë fituar Senatin që nga 2008, ish-guvernatori Roy Cooper del qartë para Michael Whatley-t në mesataren e sondazheve. Në Iowa, ku fitorja e fundit demokrate për Senat është po ashtu e vitit 2008, Josh Turek dhe Ashley Hinson janë praktikisht barazi.
A janë këto fakte të mjaftueshme që të konkludojmë se po vjen fundi i populistëve? A thua vallë po vdes një lloj i caktuar i populizmit: që sundon me frikë, me armiq të sajuar, me “duar të huaja”, me flamuj dhe me luftëra kulturore, ndërsa në prapaskenë i shpërndan pasurinë e shtetit miqve të vet? Përgjigjen në këto pyetje nuk mundet që ta japim me siguri të plotë, mirëpo diçka është shumë e sigurtë se qytetarët po kërkojnë politika të cilat po flasin për pagën, për qiranë, për faturën e rrymës dhe të gazit, për çmimin e ilaçeve, për shkollimin e fëmijëve. Për politika të cilat nuk e ndajnë shoqërinë në “ne” dhe “ata” sipas etnisë apo fesë, por sipas interesit: shumica që punon kundër një pakice që e ka kapur shtetin.
Për më tepër, kjo nuk është domosdoshmërisht një valë e majtë në kuptimin klasik. Magyar është konservator. Lista Studentore në Serbi është një front i gjerë, që bashkon njerëz me pikëpamje të ndryshme rreth një kërkese: sundimit të ligjit. Rama, nga ana tjetër, është zyrtarisht i majtë dhe megjithatë po përballet me të njëjtin zemërim. Emëruesi i përbashkët nuk është ideologjia, por llogaridhënia dhe përditshmëria.
Megjithatë, aty ku kjo valë merr formë programi, ajo merr ngjyrë sociale: drejtësi sociale, shëndetësi publike e përballueshme, shkollim pa barrë borxhi, energji me çmime të arsyeshme, shtesa për fëmijë dhe mbështetje për të rinjtë. Qytetarët nuk po kërkojnë utopi. Po kërkojnë që shteti të kthehet te detyra e tij themelore: të kujdeset për ta, jo për oligarkët.
Dhe ka edhe një mesazh për establishmentet qeverisëse. Për vite me radhë, elitat në Washington, Bruksel e kryeqytetet ballkanike folën më shumë për gjeopolitikë, luftë e paqe, aleanca e marrëveshje të mëdha, sesa për faturën e qytetarit në fund të muajit. Këto tema janë të rëndësishme. Por kur politika harron tryezën e familjes, familja e ndëshkon politikën në kutinë e votimit.
Maqedonia e Veriut nuk është ishull. Të njëjtat plagë i kemi edhe ne: institucione që shpesh u shërbejnë partive më shumë se qytetarëve, të rinj që e shohin të ardhmen jashtë vendit, paga që nuk ndjekin çmimet dhe një debat politik që sillet më shumë rreth identitetit, flamujve dhe marrëdhënieve me fqinjët, sesa rreth spitalit, shkollës dhe faturës së ngrohjes.
Ky mësim vlen për të gjithë, si për pushtetin, ashtu edhe për opozitën, si për partitë maqedonase, ashtu edhe për ato shqiptare. Askush nuk duhet të mendojë se avantazhi i sotëm është i përjetshëm. Orbán dukej i pathyeshëm. Vuçiq dukej i pathyeshëm. Në më pak se një vit, të dy u mundën nga qytetarë që thjesht thanë: mjaft.
Partitë që do ta kuptojnë këtë mesazh, që do të flasin për drejtësi sociale, për shërbime publike cilësore, për energji të përballueshme dhe për mbështetje reale të të rinjve dhe familjeve, do ta kenë të ardhmen. Ato që do të vazhdojnë me retorikë boshe, propagandë dhe kapje institucionesh, herët a vonë do ta gjejnë veten aty ku janë sot Orbán dhe Vuçiq: në opozitë, duke shpjeguar pse populli “nuk i kuptoi”.
Vjeshta e vitit 2026 do të mbahet mend si vjeshta kur qytetarët e kujtuan politikën se për kë ekziston.